Qeveria “harron” 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit, akademikët: Do kërkojmë ndihmën e biznesit për botimin e 4 veprave

    0
    430

    Instituti i Historisë këtë vit mes aktiviteteve që do të zhvillohen dy konferenca shkencore ia kushton figurës së Ismail Qemalit. Në punën e akademikëve dhe studiuesve janë të përfshira dhe disa vëllime mbi jetën dhe veprimtarinë e tij. Sipas akademikëve këto janë menduar në kuadër të 100- vjetorit të vdekjes të Ismail Qemalit. Por edhe pse puna për konferencat dhe botimet ka marrë përkushtimin e studiuesve buxhetet mungojnë. Drejtori i Institutit të Historisë akademiku Beqir Meta shprehet se do të mbahen konferenca shkencore me historianë të njohur, ku nuk do të mungojnë dhe të huaj, si dhe përgjatë vitit do të botohen katër vëllimet. Por ai pohon se deri tani nga shteti nuk kanë asnjë ndihmë financiare. “Ne një konferencë do ta zhvillojmë tani në janar në Vlorë, por më pas do të kemi dhe një tjetër konferencë të madhe në muajin qershor në Tiranë. Ne kemi bërë dhe më parë konferenca për Ismail Qemalin, gjithë aktivitetet që bëmë për pavarësinë, babai i saj ishte Ismail Qemali dhe jo se po fillojmë sot. Por këtë vit ne kemi një projekt dhe po punojmë fort për katër volume me dokumente për Ismail Qemalin, që del kontributi i tij dhe i qeverisë së Vlorës si kryetar i saj. Ne nga shteti nuk kemi asnjë lloj ndihme deri tani për botimet dhe aktivitetet, që janë menduar në këtë kuadër”, pohon akademiku Beqir Meta. Por sipas tij edhe pse është një punë që ka marrë përkushtimin e historianëve akademiku Meta njëkohësisht dhe drejtor i Institutit të Historisë mes të tjerave vijon se shpreson që shteti të mendojë për ti ndihmuar, por ata do ti drejtohen dhe bizneseve apo donatorëve të tjerë. “Deri tani nuk kemi asnjë lloj mbështetje dhe urojmë të fillojnë dhe të lëvizin pak nga shteti. Ne si Institut i Historisë kemi bërë punën, janë përgatitur dokumentet dhe tani po kërkojmë të gjejmë financues që të na financojë vetëm ato që janë për Ismail Qemalin, që tregojnë jetën dhe veprimtarinë e tij para vitit 1912 dhe deri me ndarjen e tij nga jeta në janar të vitit 1919. Nëse nuk na mbështesin ne do të drejtohemi dhe te bizneset apo fondacionet e ndryshme,  që të na ndihmojnë për këto botime, që kanë kosto dhe arrijnë sipas parashikimeve tona rreth 6 milionë lekë të reja”, vijon  historiani Meta. Të gjendur në këtë situatë akademiku Meta pohon se do të kërkojnë takim dhe me ministren e re të Arsimit. “Ne kërkojmë dhe takim me ministren e re të Arsimit, që të gjejmë mbështetjen si institut. Ne shpresojmë dhe kemi besim, që do të bisedojmë me të”, vijon akademiku Meta.

    Botimet me dokumente të arkivave europiane

    Rektor i Akademisë së Studimeve të Albanologjisë, akademiku Marenglen Verli shprehet se studiuesit e bëjnë punën e tyre, por nëse do të kishte një fond shtesë nga shteti për botimet kjo do të ndihmonte për katër vëllimet e Institutit të Historisë kushtuar figurës së Ismail Qemalit. Megjithëse nuk është përcaktuar një zë më vete në buxhet për 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit, rektori i ASA thotë se do të ketë edhe botime të rëndësishme me dokumente të arkivave europiane. “Ne bëjmë punën tonë shkencore, botime dhe konferenca shkencore, që janë punët tona. Ne kemi një buxhet të caktuar mbi bazën e të cilës bëjmë punë, konferenca dhe botime. Kur këto janë më shumë se sa ne kemi mundësitë financiare sigurisht që është e kërkuar dhe e mirëseardhur një mbështetje, sepse të botosh vëllime të tëra në mënyrë cilësore është përtej buxhetit tonë. Ne në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave si dhe instancat e tjera analoge përpiqemi që të bëhet më e mira e mundshme. Nëse do të kishte një fond që do të ofrohej në linjat shtetërore për të bërë më të mirën e mundshme kjo është gjë e mirë”. Por ndërsa për këto 4 vëllime nuk ka buxhet,  rektor i ASA akademiku Verli tregon se këtë vit do të finalizohet një tjetër projekt në bashkëpunim dhe me universitetet. “Ky projekt është me shtatë botime, por mes të tjerave edhe aty përfshihet Ismail Qemali”, tregon akademiku Marenglen Verli. Nuk është hera e parë që studiuesit flasin për mungesë të financimeve për botime, por dhe ky vit nëse nuk mbështeten nga shteti do ti bëjë ti drejtohen donatorëve të tjerë.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here