Interi rihap çështjen “Modriç”, kroati s’e mohon dëshirën të luajë në Milano

0
568

Luka Modriç ishte lojtari më i mirë në botë gjatë vitit 2018. Të gjithë organizmat kryesorë të futbollit dhe institucionet zyrtare e vlerësuan Modriçin si lojtarin më të mirë, madje “France Football” e vlerësoi me çmimin “Topi i Artë”, vlerësimi më i madh për lojtarin më të mirë në botë. Të gjitha këto ndodhën sepse Modriçi fitoi Ligën e Kampioneve me Realin e Madridit, ku pati një peshë specifike në mesfushë me pasimet dhe me depërtimet e tij, por mbi të gjitha se çoi Kroacinë deri në finalen e Kupës së Botës, ku ballkanasit humbën në finalen e madhe me Francën (4-2). Modriç është vlerësuar si më i miri në botë për vitin që lamë pas nga UEFA, FIFA, revista e njohur “Francë Football”, si dhe nga Instituti i Historisë dhe i Statistikave në Futboll. Në të gjitha rastet ai ka prapa Kristiano Ronaldon, duke thyer hegjemoninë dhjetëvjeçare të dominimit të dyshes Ronaldo-Mesi, që e kanë fituar nga 5-herë secili trofeun e “Topit të Artë”.

Pra Modriç është lojtar që e duan të gjithë dhe në sezonin e ardhshëm me siguri që ai do të përfundojë në Serinë A italiane e me shumë gjasë do të vishet zikaltër, pasi Interi ka prej kohësh që po e gjurmon mesfushorin kroat dhe po bën çmos ta sjellë atë në Milano. Vetë lojtari nuk e ka refuzuar ftesën dhe mbetet vetëm të merret vendimi i madhe. Interi reklamon se do të bëjë në vazhdim një blerje të madhe. Kështu që të gjitha rrugët të çojnë tek Modriç. Ose të paktën të gjitha të dhënat flasin për një tentativë tjetër të zikaltërve të Interit drejt objektivit madhor siç është kroati fitues i “Topit të Artë”. Pas operacionit të verës së shkuar, i cili dështoi me Marotën si forcë të shtuar në organikën drejtuese, klubi milanez po përpilon strategjinë e re për të sjellë në shërbim të Spaletit mesfushorin 33-vjeçar në fund të këtij sezoni. Klubi mbretëror i Realit është duke u mësuar gjithnjë e më shumë me idenë se shpejt do të humbasë shërbimet e kroatit referuar edhe zhvillimeve të fundit mes palëve ku rinovimi i kontratës aktuale të Modriç që skadon në 2020-ën ende nuk ka ndodhur. Në këtë mënyrë për “Los Blancos” po kthehet gjithnjë e më shumë në objektivin kryesor danezi Kristian Eriksen, që do të ishte një element i rëndësishëm në ndryshimet thelbësore që pritet të ndodhin në mesfushën e klubit “merengues”. Janë mediat spanjolle që japin shenja se këtë herë operacioni për transferimin e Luka Modriç nga Madridi drejt Milanos është duke ecur pozitivisht. Në këtë mënyrë ëndrra e madhe e klubit zikaltër shumë shpejt mund të bëhet realitet. Me Marotën që siguroi një prej transferimeve më të bujshme tek rivalët e Juventusit siç ishe ai i Kristiano Ronaldos pritshmëritë e Interit janë të bazuara. Pra mbetet të shihet përfundimisht nëse Modriç do të kalojë apo jo tek Interi, por gjasat janë të mëdha që kroati të vijë në Milano verën e ardhshme e jo tani në janar. Interi po punon, gjithsesi, për ta realizuar këtë projekt.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here