Sadik Kasa: Para viteve ’90 artistët kishin trajtim të veçantë, sot nuk lejohen as të ekspozojnë në GKA

0
658

Artistët shprehen se për problemet që prej kohësh shoqërojnë Galerinë Kombëtare të Arteve ata do ti drejtohen dhe ministres së re të Kulturës. Sipas tyre mbyllja e dyerve, që ka bërë Galeria Kombëtare e Arteve për artistët është e papranueshme. Piktori i njohur Sadik Kasa shprehet se për GKA gjërat duhet të jenë të qarta dhe të ketë vëmendje për kërkesat e artistëve. Në intervistën për “SOT” piktori shprehet se nuk mundet, që një institucion të shikohet si pronë private dhe në galeri duhet të ekspozojnë artistët mbi bazë të kritereve dhe rregullave të qarta. Për piktorin Sadik Kasa shqetësues është dhe fakti që deri tani nga Ministria e Kulturës artistët nuk kanë gjetur mbështetje për projektet e tyre për ekspozita dhe janë të detyruar që të shkojnë në Muzeun Historik Kombëtar. Problem për piktorin është mungesa e vlerësimit për artistët nga institucionet, ku sipas tij para ’90 për krijuesin kishte tjetër vlerësim ndryshe nga sot që nuk gjen mbështetje për krijimtarinë.

-Si ka nisur ky vit për ju me krijimtarinë tuaj në pikturë?

Unë si piktor kryesisht në krijimtarinë time jam te gjinia e peizazhit në pikturë. Sigurisht që punoj dhe portrete apo kompozime, por kryesisht jam tek peizazhi. Unë jam dhe pjesë e kolonive të piktorëve dhe në muajin nëntor të vitit që lamë pas organizova dhe një koloni piktorësh në Elbasan dhe ne punuam në kohën e vjeshtës. U kënaqën dhe piktorët, sepse ishte dhe vjeshtë shumë e bukur atë kohë.

-Çfarë mund të na thoni për galerinë e artit në Elbasan. Si vijon aktiviteti, po kushtet si janë?

Galeria ka filluar me konservimin e veprave të artit. Unë vetë në mënyrë individuale jam marrë dhe me rregullimin e punimeve, jam marrë me dokumentimin e tyre, por nuk ka pasur asnjë fond për galerinë. Mungojnë investimet për atë galeri të qytetit në Elbasan, kur Fieri ka një investim dhe një galeri arti model. Edhe galeria jonë do investime dhe kërkon salla. Galeria e artit kërkon vëmendje nga institucionet dhe prej gati 8 vitesh nuk është dhënë ndonjë buxhet as nga bashkia. Problemi i kulturës është si minoritet, kjo galeri këtu nuk ka kushtet për ekspozimin e veprave të artit.

-Ju u shprehët se arti dhe kultura kanë probleme, çfarë kërkoni të ndryshojë?

Po ju jap një shembull, nëse unë vete për të takuar drejtorin e Galerisë Kombëtare të Arteve mua atje ai nuk më pret. Mua më bëri ftesë galeria e qytetit të Sarandës për tu paraqitur aty me ekspozitë. Kjo tregon që më tepër vlerësohesh nga komuniteti i artistëve sepse atje është një piktor, se sa këtu nga zyrtarët në Galerinë Kombëtare të Arteve, që kanë marrë në drejtim të drejtojnë dhe klimën krijuese. Këto gjëra nuk ngelen në dëshirën personale dhe të konjukturave, por çdo gjë ndërtohet me statuse të veçanta. Kur vendoset një bord çfarë kriteresh duhet të ketë bordi në Galerinë Kombëtare të Arteve? Në këtë bord mund të përfshihen dhe përfaqësues nga galeritë e rretheve kryesore, sepse dhe ata merren me punë qoftë studimore dhe të artit, të merren pedagogë të njohur nga Universiteti i Arteve. Nëse do të përcaktohen gjërat qartë se si duhet të jetë bordi, atëherë nuk vendoset me dëshirën e drejtorit të GKA që kë do të marrë. Funksionojnë dhe më mirë nëse vendosin kriteret dhe nuk vendoset hendek midis krijuesve të artit dhe drejtuesve të Galerisë Kombëtare të Arteve.

-Ju po flisni për GKA, por viti që lamë pas u mbyll me tre ekspozita. Artistët pohojnë se iu është mbyllur dera në atë institucion. Çfarë mund të na thoni?

Është e papranueshme nëse marrim një vajzë nga Kosova, që ajo akoma nuk është kristalizuar dhe nuk është e qartë që ti si GKA që t’ia lësh në dispozicion sallën tre muaj, kjo është e papranueshme. Ti nëse ke lidhjet e tua dhe je nga Kosova kjo është puna jote, por këtu duhet të kesh një bord që të të referojë se cilët janë dhe vlerat në Shqipëri. Por drejtori në GKA jo që nuk e njeh artin, por besoj njeh vetëm ata pak autor që mund të rrijë dhe pi kafe me ata. Ne kërkojmë që Ministria e Kulturës të shikojë se si do të funksionojë ky institucion i artit, si do të funksionojë bordi në galeri. Për ne si piktorë aty çdo gjë duhet të jetë e shkruajtur dhe jo të mbetet në dorë të një njeriu. Nëse flitet që Galeria Kombëtare e Arteve do të kthehet në Muze të Arteve të Bukura siç është shprehur mish ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe aty nuk ekspozohet, atëherë nuk do të ekspozojë asnjë. Dhe nëse aty do të hapen ekspozita duhet të vendosen kushtet se cilat do të jenë dhe nuk është nevoja të shkojnë artistët të kërkojë të takojnë drejtorin në galeri. Nëse GKA do të jetë thjesht Muze i Arteve të Bukura atëherë aty duhet të krijohet një pavijon ekspozimi. Aty duhet të jetë linja që do të ekspozojë gjithë artin shqiptar me të gjithë etapat, duke filluar me artistët ndër vite deri në ditët e sotme. Dhe aty nuk ka të drejtë të ekspozojë njeri meqë është linja e galerisë së arteve. Sigurisht që aty mund të ketë vepra që herë pas here ekspozohen, më pas kalojnë në fondin e GKA, pra është mundësia nëse jepet ky status. Por nëse ajo do të jetë GKA që një pjesë do të ruajë linjën muzeale dhe një pjesë tjetër do të jetë sallë ekspozimi, këtu duhet të caktohen kriteret e ekspozimit dhe jo të ekspozojë kush të dojë. Gjërat duhet të lëvizin dhe të jetë të qarta në GKA, të jetë statusi se çfarë do të bëhet me galerinë dhe si do të funksionojë bordi. Nëse do të jenë të qarta gjërat në GKA edhe vetë krijuesit dinë të orientohen. Aty shkon një shoqatë piktorësh nuk iu jepet salla, ama shkon një artiste dhe i jepet salla tre muaj. Pse kjo? Privat e ka ai Galerinë Kombëtare të Arteve?

-Grupimi i artistëve “Nëntori” apo dhe të tjerë artistë në grupimet e tjera shprehen se nuk kanë gjetur mbështetje me projekte nga Ministria e Kulturës. Ju çfarë kërkoni?

Edhe ne në shoqatën tonë të “Pleinerit” me përjashtim të një rasti, që na kanë mbështetur për një katalog me 2 milionë lekë të vjetra, asnjëherë nuk di që të kemi gjetur ndihmë nga Ministria e Kulturës ashtu si dhe grupimet e tjera të piktorëve. Ne na kanë lënë pa mbështetje, ne paguajmë ato para dhe ekspozojmë dhe në sallën e Muzeut Historik Kombëtar. Të paguajmë të paktën për kushtet që të jenë optimale, por edhe kjo mungon. Ministria e Kulturës në politikat e asaj nuk i ndihmon krijuesit, është pjesa e minoritetit dhe thonë këta janë piktorë dhe hajt. Ne nuk e dimë se si do na pres kjo ministrja e re Elva Margariti dhe ne kemi lënë që të zhvillojmë dhe një takim me atë për këto probleme, por megjithatë situata jonë prej vitesh është treguar se nuk ka pasur vëmendje. Ne nuk jemi kundra ndihmës së të rinjve, të zhvillohen patjetër të gjitha rrymat në art, por ti si Ministri Kulture apo dhe Galeri Kombëtare e Arteve nuk mund të mohosh mua të drejtën si krijues, as “Pleinerit”, as si pikturë realiste figurative. Në të gjithë botën të gjitha rrymat bashkëjetojnë. Por tek arti figurativ deri tani Ministria e Kulturës nuk ka pasur vëmendje. Ministria e Kulturës duhet të njohë problematikat e artit dhe të artistëve dhe të afrohet, të bashkëpunojë, të ndihmojë në krijimtarinë tonë. Gjërat kur të hidhen në letër ta kenë dhe ato vetë më të qartë sepse vjen një ministër dhe ikën një tjetër dhe problemet vazhdojnë.

-Ish ministrja e Kulturës ka dërguar një shkresë për mbylljen e Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit. Sa është kjo shqetësuese për ju?

 Se kuptoj pse ish ministrja kërkoi shkrirjen e saj. Financimet për atë qendër do ta shpëtojnë shtetin? Nuk e kuptoj pse e kërkoi mbylljen e Qendrën e Realizmit të Veprave të Artit, kur Ministria e Kulturës duhet ta ruajë këtë trashëgimi dhe jo ti mbylli.

-Sa është shqetësuese për ju që Galeria Kombëtare e Arteve nuk blen si dikur vepra arti për të pasuruar fondin?

Për Galerinë Kombëtare të Arteve dhe problemet që janë duhet të zhvillohet një takim me artistët dhe të jenë dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës. Pjesa e fondit të veprave të artit në GKA për ne është mollë e ndaluar që as diskutohet fare, por të paktën të kemi një vend ekspozimi. Normalisht nuk ka galeri, që nuk bën ekspozita. Nëse në Galerinë Kombëtare të Arteve bëhen dhjetë ekspozita apo dhe më pak në vit të blihet nga një vepër prej tyre dhe pasurohet dhe fondi, pra nga një vepër nga dhjetë autorët më të mirë. Më tepër sot po i mbajnë veprat koleksionistët privatë se sa di të ketë GKA veprave të viteve të fundit.

-Ju që nga viti 1977 jeni në aktivitetin tuaj me pikturën. Për ju sa vlerësohet sot artisti?

Është për të ardhur keq, sepse më tepër vëmendje kishte për ne në kohën e diktaturës se sa sot. Kjo sepse të gjithë e dinë që ai vërtetë ishte një sistem që kishte pjesën e propagandës, por ama artistin e stimulonte, me leje krijuese, me trajtim të veçantë. Unë kam marr deri në gjashtë muaj leje krijuese, dhe ne ndoshta kemi qenë dhe më të privilegjuarit. Veprat i blinte shteti dhe nuk kishte te privati ato vite, ishin komisionet që i vlerësonin dhe bliheshin punët. Nëse ishin punë shumë të mira i merrte Galeria Kombëtare e Arteve. Por sot mungon vlerësimi për artistët, nuk kemi as vend të ekspozojmë në GKA.

-Jeni shprehur se do të hartohet një peticion për “çlirimin” e GKA, që do t’ia drejtoni Ministrisë së Kulturës. Çfarë po ndodh?

 Këtë ne e kemi thënë kur ishte në ministri Mirela Kumbaro pa u marrë akoma vesh që do të kishte ndryshime dhe do vinte ministrja e re e Kulturës. Ne si piktorë e kemi lënë që në fillim do të kërkojmë një takim me ministren e re dhe më pas do të shohim çfarë do të bëjmë.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here