Fundjava, me komedinë franceze në Teatrin Eksperimental

0
458

Mbrëmjen e së shtunës dhe të dielës komedia “Boeing Boeing” pret publikun në sallën “Moliere” në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Komedia “Boeing Boeing”, vepra e autorit francez Marc Camoletti me regji nga Kiço Londo pas një turi të suksesshëm rikthehet për publikun në teatër. Vepra e autorit francez Marc Camoletti i takon rajonit Durrës-Lezhë me shfaqjet që ka ndërmarrë Teatri Kombëtar Eksperimental. Me regji nga Kiço Londo është në skenë me aktorët Amos Muj Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentian Zenelaj, Alessia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Linda Jarani. Ngjarjet e veprës ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe. Në vepër janë tri stjuardesa njëra më e bukur se tjetra, një franceze një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më parë Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. Bernard e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur. Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dal nga situata falë mikut të tij, Robert. “Një komedi e mençur, e zgjuar dhe që jep mesazh mjaft njerëzor që pavarësisht nga keqkuptimet dhe aventurat e shumta, kur aventurat që na kushtojnë përfundojnë mirë, çdo gjë është mirë”, ka pohuar regjisori Londo për veprën. Vepra franceze është e përkthyer nga Nasi Lera, me skenografi nga Genta Qyrku, kostumografe Realda Malo dhe art-design Klea Mani. Kjo vepër që është këtë fundjavë në këtë skenë teatrore është në vijim dhe të tjera shfaqjeve që janë prezantuar gjatë këtij muaji për publikun. Nuk kanë munguar dhe monodrama për publikun që janë luajtur në skenë nga aktorë të njohur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here