Përkthimi i veprave të huaja problematik, botuesit kërkojnë ndihmën e Ministrisë së Kulturës për rritjen e cilësisë

0
408

Projekti i përkthimit letrar “Histori fatesh njerëzore” do të sjellë tek lexuesit dhjetë autorë europianë. Në kuadër të këtij projekti do të organizohen edhe 50  aktivitete për letërsinë, me mbështetjen e Programit Europa Krijuese, të BE. Gjatë prezantimit mes përkthyesve dhe botuese, si udhëheqës i këtij projekti Petrit Ymeri u shpreh se janë autorë me shtrije gjeografike të gjerë dhe të vlerësuar në botë. “Në këtë projekt do të vijnë në shqip 10 autorë me shtrirje gjeografike të gjerë dhe shkrimtarë fitues të Çmimit Europian të Letërsisë”, tha Ymeri. Por ky prezantim i këtij projekti riktheu dhe njëherë vëmendjen në problemet që janë sot me përkthimin në vend. Botues të ndryshëm shprehen se është detyrë e institucioneve, që të ndihmojnë më shumë në këtë fushë. Problemet nuk janë të pakta dhe pasojat janë te lexuesit nëse është një përkthim pa nivel. Botuesi Jani Malo shprehet se në kushtet e tregut sot shtëpitë botuese e kanë të pamundur për shkak të buxheteve që janë të pakta dhe problem mbetet cilësia. “Nuk është vetëm problem i përkthyesve, por i cilësisë së përkthimit. Për mendim tim ne kemi shumë përthyes dhe vuajmë sepse kemi shumë dhe që ti kemi cilësorë duhet ti paguajmë shumë. Por shtëpitë botuese e kanë të pamundur që të paguajnë më shumë në kushtet tregut tonë, duhet të gjenden mënyra përmes formave të ndryshme, siç ishte ky projekt i prezantuar sot, por Ministria e Kulturës duhet të ndihmojë. Shteti duhet të rrisë fondin e përkthimit, por dhe pagesën për faqe nga buxheti që jep Ministria e Kulturës. Fyese për përthyesin që ti thuash do përkthesh një vepër dhe maksimumi do marrë 200 mijë lekë. Është fyese kur libri mund të ketë 500 faqe dhe ti i thua do të të jap 200 mijë lekë” pohon botuesi Malo. Për një tjetër botues Mehmet Gëzhilli është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, e cila jo vetëm të rrisë buxhetet por dhe të organizojë aktivitete dhe seminare me përkthyes shqiptarë dhe të huaj. “Ministria e Kulturës duhet të bëjë siç bën bota. Të merren përthyesit nga bota dhe mblidhen për 6 muaj këtu, apo dhe të shkojnë përkthyesit tanë jashtë. Ne kemi shumë nevojë për përkthyes me perspektiva. Mund ti quash kurse apo seminare, por duke mbledhur këta përkthyes dhe duke bërë debat, merret një përvojë e madhe dhe mund të ketë përfitime shumë. Kjo përdoret në vendet e Europës. Tre janë elementët e rëndësishëm, përkthyesi, redaktori dhe korrektori, por dhe grafisti duhet të jetë. Nëse ke një vepër shumë të bukur dhe e ke faqosur keq atëherë sjell probleme”, pohon ai. Për botuesin Gëzhilli Ministria e Kulturës të ndihmojë dhe me botimin. “Ministria e Kulturës jep një fond për përkthimin dhe mirë që bëhet, por duhet të shtohen fondet. Një fond që shkon 25 milionë lekë të vjetra dhe nuk arrin as 30 milionë të vjetra në vit. I jep 10 mijë lekë të vjetra për një faqe të përkthyer, kur KE apo vende të tjera japin 16 euro për faqe kompjuterike. Fondi shkon te përkthyesi, dhe unë si botues duhet të rriskoj nëse do të kem sukses apo jo. Ministria të paktën të paguajë 40 përqind të veprës në shtypshkronjë”, shprehet botuesi Gëzhilli.

Projekti i përkthimit

Projekti “Histori fatesh njerëzore: Udhëtim nëpër dritëhijet e shpirtit njerëzor” është një projekt përkthimi, që do të zgjasë 16 muaj (janar 2019-qershor 2020) dhe do të realizohet edhe me mbështetjen e programit Europa Krijuese të Bashkimit Europian. Ai përfshin publikimin (në format libër por edhe e-book dhe audiobook) të 10 veprave me cilësi të larta letrare, nga tetë gjuhë europiane, shkruar prej shkrimtarësh shumë të njohur. Titujt janë përzgjedhur me kujdes si vepra me vlera të larta dhe të spikatura për të rritur, por edhe për fëmijë dhe yang adult (2 tituj),  në gjini të ndryshme (roman, poezi). Dhjetë romanet përbëjnë së bashku një udhëtim nëpër histori njerëzore e pasionante, në thellësitë e shpirtit dhe mendjes njerëzore, në ndjenjat dhe subkoshiencën e personazheve. Eksplorimi i kompleksitetit të natyrës njerëzore, i natyrës thelbësore të dashurisë, si forcë e jetës, janë fija kyç që i lidh këta libra. Çdo histori lidhet, në mënyrë të dukshme ose jo, me dashurinë, me të gjitha shfaqjet e veta, ndjenjë që gjithsecili e provon dhe përjeton në rrugën e jetës. 7 nga 10 romanet vijnë nga gjuhët më pak të përhapura: një kontribut për njohjen e kësaj letërsie edhe nga lexuesi shqiptar. 3 tituj janë fitues të Çmimit Europian të Letërsisë. Të gjitha veprat, të përkthyera nga përkthyes profesionistë, të mbështetura nga një strategji e mirëmenduar promovimi dhe shpërndarjeje, përbëjnë një paketë unike të letërsisë më të mirë europiane, që do të prezantohet në Shqipëri./Julia VRAPI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here