Eliona Thomaraj: Ministria e Kulturës po varros artin dhe kulturën, gjatë gjithë këtyre viteve kemi parë vetëm regres…

0
562

Regjisorja Eliona Thomaraj shprehet se nga Ministria e Kulturës duhet të merret më seriozisht jeta artistike. Për regjisoren arti nuk është luks, por është domosdoshmëri jetike. Në intervistën për “SOT” regjisorja dhe aktorja Eliona Thomaraj flet për problemet në jetën artistike që vijojnë dhe gjatë këtij muaji të parë të vitit. Për regjisoren duhet të mendohet më me vëmendje nga Ministria e Kulturës për projektet që financohen artistët dhe sipas saj duhet të ketë një vlerësim tjetër. Duke folur për jetën artistike ajo shprehet dhe për regres, që nuk ka ndodhur vitet e fundit por ka qenë dhe më parë. Në lidhje me pritshmëritë për ministren e re të Kulturës regjisorja Eliona Thomaraj shprehet se ajo duhet të jetë pranë artit dhe artistëve. Për regjisoren për sa kohë nuk është marrë një vendim për Teatrin Kombëtar ajo sallë aty nuk mund të lihet mbyllur.

-Ky vit po vijon me protestat e artistëve. Për ju, si ndikon kjo në jetën artistike?

Ky vit nga ana artistike ka nisur me pakënaqësira, me protesta, me jetë të varfër. Megjithatë projektet e 2018 vazhduan të ishin pasues dhe të mbushnin sallat gjatë këtij viti që ka nisur si kalendar i ri artistik. Kështu teatri Metropol ka shfaqjen “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve”, te Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është “Boeing Boeing” që po vijon të jetë me sukses dhe po ecën jashtë mase mirë dhe kjo shfaqje, si dhe tek salla teatrore Gëte po te ky teatër është një tjetër shfaqje, “Letër fëmijës që nuk u lind kurrë” një projekt nga Ina Gjonçin. Kam përshtypjen që tentativat dhe dëshirat e artistëve janë për të punuar, sepse gjithmonë ai kërkon të punojë. Ka punuar dhe në kohën kur i pritej koka për profesionin që bënte, kur ishte i përbuzur nga shoqëria për atë çka ai merrte përsipër si profesion. Për mua është e pashmangshme, që një artist të heq dorë nga jeta krijuese. Por problemi është nëse ka struktura që e ndihmojnë atë dhe i vijnë në ndihmë për t’ia bërë më komode mundësitë e tij krijuese. Në këtë pikë themi se duke filluar viti me ndryshim të kabinetit një gjë krejtësisht e papritur, dhe nuk mendoj se fajin e ka emri konkret Mirela Kumbaro, por fajin e ka posti i ministrit që nuk merr në mbrojtje artistët. Unë nuk mendoj që faji është një emër i përveçëm, që e tha Mirela Kumbaro dhe ia atribuuam asaj të gjithë të këqijat dhe të mirat. Por ne po flasim për sistemin dhe kur flasim për sistemin në art dhe kulturë meqë atij i përkas, kur themi Ministria e Kulturës nuk ka transparencë në mënyrën se si menaxhon në buxhetin vjetor atëherë lind pyetje: Do të vijë x ministre dhe do të jetë më transparente, apo Ministria e Kulturës si institucion do të jetë më transparente pas kërkesave? Ndaj për mua problemi është pak delikat, sepse njerëz të shumtë abuzojnë me emrin e përveçëm, duan të marrin në shënjestër emrin e përveçëm, ndërkohë që ne nuk marrim në shënjestër emrin e përveçëm, por marrim pozicionin e ministrisë dhe të ministres. Pra ministrja, që do të vijë a do ta bëjë kjo transparencën apo do ti mbetet vetëm Mirela Kumbaro nuk ishte transparente. Është Ministria e Kulturës, që nuk është transparente dhe jo Mirela. Ndaj unë dua ta theksoj këtë që mos të ketë një keqkuptim të llojit hajt t’ia atribuojmë Mirelës ne gabimet në teatër dhe e shpëtuam një pesë vjeçar të mirë dhe tani si do vejë një pesë vjeçar tjetër. Por jo, në të vërtetë ne duam të shpëtojmë mendësinë që ka institucioni i Ministrisë së Kulturës kundrejt kulturës dhe artit, promovimit të tij.

-Çfarë kërkoni për teatrin, sa u bë këto vite?

Ministria e Kulturës ka në dispozicion sot aktualisht disa salla, që është “arTurbina”, Teatri Kombëtar që është salla e madhe dhe historike dhe salla e Teatrit Eksperimental. Ndërkohë që kemi dhe një teatër që varet nga bashkia, siç është ai i Metropolit. Sikur nga 20 aktorë të punësohen në këto katër salla që janë institucione shtetërore plus 20 përqindshi që merret nga jashtë, ne kemi 90 aktorë të futur në punë dhe të sistemuar. Tirana është qytet i madh dhe ka nevojë për jetë artistike, lirshmëri, dhe kur kemi 1 milionë banorë nuk mund të rrish dhe ti ofrosh të njëjtën shfaqje dy apo 3 muaj dhe të pres një spektator artdashës deri sa të ndryshojë repertori. Teatri duhet të ketë mendësinë e kinemasë, shumë salla dhe filma të ndryshëm. Nuk po menaxhohet seriozisht dhe po varroset me qëllim arti sidomos teatri.

-Kush po e bën këtë?

Vetë institucioni i Ministrisë së Kulturës po varros artin dhe kulturën. Sa regres ka bërë arti dhe kultura në këto vitet e fundit nuk do ketë bërë kurrë regres më të madh. Kjo ndihet dhe te panairi i librit se sa ishte shitshmëria aty. Këto i kanë diskutuar vetë autorët e ndryshëm dhe njerëz që unë takova në panair. Njerëzit më shumë vinin rreth e rrotull dhe shikonin titujt se sa blinin. Ky është regresi i madh. Sikundër regres i madh është dhe mbyllja e Teatrit Kombëtar. Ndërkohë për sa kohë nuk është marrë një vendim ajo sallë aty nuk mund të lihet mbyllur dhe me drita fikur. Pra i kanë hequr të drejtën sallës të ekzistojë për atë çka ajo është.

-Ju dikur jeni shprehur se e mendoni një projekt për shfaqje në atë sallë. Çfarë po bëhet?

Jemi një grup artistësh, që ofrohemi të punojmë vullnetarisht vetëm për të hapur sallën e Teatrit Kombëtar. Vetëm për ti rikthyer madhështinë atij teatri. Nuk ka aktor që ka hyrë në Akademi të Arteve apo që kur ka ekzistuar më parë dhe Institutit i Lartë i Arteve më pas Akademi dhe së fundmi Universiteti i Arteve, që nuk ka ëndërr të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar. Ajo është magji, është ëndrra e çdo aktori të teatrove në rrethe. Ajo është triumfi më i madh që ka pasur dhe do të ketë çdo aktor, që të hipi në atë skenë. Ajo është skena që personifikon kulmin e madhërishëm. Por duke qenë se ka ikur i gjithë institucioni dhe janë shpërngulur atëherë çelësat duhet ti ketë drejtori i Teatrit Kombëtar. Në të vërtetë ai është ende Teatri Kombëtar dhe kushdo mund ta marri me qera sallën, nuk ka një ligj ku të ndalohet dhënia me qera e sallës. Por problemi është që duke qenë se është e qëllimtë që e kanë mbyllur atë teatër, atëherë askërkush nga regjisorët dhe aktorët që vihet në punë vullnetarisht për të bërë një shfaqje për t’ia dhuruar qytetarëve kaq kohë të mbyllur teatrin kanë frikë se dikush mund të abuzojë, mund ti vër flakën apo gjithçka tjetër dhe përgjegjësia mbetet mbi atë që mori me qera sallën. Pra kemi frikë nga qëllimet dashakeqe. Ka arritur puna të kesh frikë të lëvizësh, flasësh dhe reagosh.

-Çfarë prisni nga ministrja Margariti, e cila në fakt ka vetëm pak ditë në krye të Ministrisë së Kulturës?

Unë do ti kërkoja njëherë ministres Margariti të vinte të shikonte shfaqje, do të doja të ishte një artdashëse. Nëse nuk do të jetë artdashëse do të jetë dhe ajo një emër. Do të shfrytëzojë postin. Më thuaj kush deri më sot ka dhënë llogari? Kush nga të tërë? Që ka arritur situata në Shqipëri dhe teatri këtu, sigurisht kjo nuk ka ndodhur pesë vitet e fundit. Madje Teatri Kombëtar me nismën “Eja në teatër” kur hyri Hervin Çuli drejtor, unë mund të them që tetari pati ngritjen e vet më të madhe në 28 vitet e fundit. Pra i kishe shfaqjet plot, filloi duke ecur mirë dhe fillova të kënaqeshe me nismën “Eja në teatër” dhe pikërisht kjo shkëputje për të shkruar te “arTurbina” nuk duhej. Unë do ti kërkoj ministres së re, që ta shikonte me dashamirësi dhe ta merrte me përgjegjësi postin në të cilin ajo është vënë. Çfarëdo lloj posti drejtues nuk janë për të përmbushur karrierën dhe CV tënde, por mbi të gjitha është përgjegjësi. Nëse e ka marrë këtë post për të mbushur karrierën dhe CV e saj bravo i qoftë, por nuk do ti interesojë askujt. Nëse ajo ka marrë përsipër të ndryshojë vendin dhe të lëri karrierën e vet mënjanë, të mos ta bëjë dhe një mandat të dytë ama ta bëjë shumë të mirë këtë të parin dhe të mos mendojë të bëjë kompromise atëherë ajo me ndërgjegjen e saj dhe gjithë popullit të vet do ti ketë dhuruar shumë.

-Çfarë kërkoni për projektet e pavarura që financon Ministria e Kulturës, pasi një nga problemet e diskutuara ka qenë dhe mungesa e transparencës?

Mungesa e transparencës nëse nuk ka sjell abuzime minimalisht ka sjellë dyshime dhe konflikte midis artistëve. Ne nuk marrim vesh kush është vlerësimi minimal për një shfaqje teatri. Nuk janë njëlloj dhe nuk kërkojnë të njëjtën kosto të gjitha artet. Transparenca duhet dhe duhet ta duan artin. Ministria duhet të vërë një përcaktim, që nuk mund të japin më pak se x buxhet për një shfaqje teatrore dhe të ndahen pak tarifat. Mos të jenë të gjitha projektet, fitoi një projekt. Një projekt, por për çfarë? Nëse ti ke projekte për një shfaqje, çmimi ka këtë dysheme. Asnjë nga artet nuk ka të njëjtën kosto për të qenë produkti artistik i pjekur dhe i gatshëm. Ndaj nga Ministria e Kulturës duhet të ndahen në kategori artet dhe të vihet një çmim dysheme për gjithsecilin. Por ama nuk mund të konsiderohet një këngëtar që këndon në shesh si një trupë e tërë që krijojnë një shfaqje. Nga Ministria e Kulturës të merret më seriozisht jeta artistike. Mos të duket sikur është luks. Arti nuk është luks, është domosdoshmëri jetike.

-Çfarë mendoni për konkurset për titullarët në institucione, që bën Ministria e Kulturës. Në rastin më të fundit ishte edhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit që doli me një deklaratë. Për ju çfarë ndodh?

Më shqetëson fakti që drejtuesit janë të komanduar, janë politikë, që nuk kanë ideal të tyre por të partisë dhe artit nuk i intereson të bëjë aleancë me politikën, sepse nuk ka art nëse nuk ka oponencë. Në të vërtetë artisti është oponenti më i mirë i pushtetit. Nëse artisti vë një vepër që demaskon intrigën, korrupsionin, ne jemi demaskues të problemeve të ndryshme. Asnjë shtet i fortë nuk duhet ta ketë artistin nën miklaturën e vet, por duhet ta ketë të lirë dhe të pavarur për të kuptuar se kush janë problemet e kohës.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here