Kapitullon protesta e studentëve, rinis mësimi te Ekonomiku, një grup i vogël tenton të bllokojë fakultetet

0
584

Protesta e studentëve dita-ditës po shkon drejt dështimit. Në nisje të saj, ajo u cilësua si protesta më e bukur dhe e ngjashme me atë të 1997. Por pas rikthimit pas pushimeve të fundvitit, u vu re se kryengritja studentore ndaj qeverisë u tkurr në numër. Nga qindra që u mblodhën para Ministrisë së Arsimit, përfunduan në vetëm një grusht studentësh, të cilët në fillim vijuan protestën para Kryeministrisë, ndërsa më pas u zhvendosën në fakultete. Për disa ditë me radhë një numër i vogël studentësh janë ngujuar në fakultete, duke mos lejuar pjesën tjetër të studentëve të zhvillojnë mësim normalisht. Në ditët e para ata nuk u penguan nga grupi i studentëve që janë “pro” mësimit, por më pas protesta u shndërrua në një betejë mes dy grupeve të të rinjve. Edhe gjatë ditës së djeshme një grup i vogël studentësh, të ndikuar edhe nga partitë politike, bllokuan fakultetet, mes të cilëve edhe Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Në korridoret e fakultetit ishin vendosur karrige, tavolina dhe shirit pengues, ndërsa jashtë ishin organizuar grupe-grupe duke mbajtur fjalime kundër qeverisë. Edhe pse kryeministri Edi Rama ua plotësoi kërkesat, ata vazhdojnë këmbëngulin në plotësimin e tyre. Nga një vëzhgim i kryer nga gazeta “SOT” dje tek Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë ishte fakti se pjesëmarrës në protestë ishin vetëm dhjetëra studentë, të cilët po mbajnë peng qindra të tjerë që kërkojnë të zhvillohet mësim. Por duke qenë se numri i protestuesve është shumë i vogël në krahasim me ata para Ministrisë së Arsimit, mund të themi se kjo kryengritje, e cilësuar si protesta e shpresës, po dështon me turp. Vetëm një grup studentësh të nxitur dhe mbështetur nga opozita, sepse vetëm PD-LSI bëjnë thirrje që protesta të vijojë, po tentojnë të mbajnë peng procesin e mësimit.

Përplasje tek Juridiku

Ajo çka fakton dështimin e protestës së studentëve është fakti se pjesa më e madhe e tyre kërkojnë rifillimin e mësimit. Madje, në Fakultetin e Juridikut dje u shënuan edhe incidente mes dy grupeve të studentëve. Një grup prej 30 studentësh që kërkuan të kthehen në auditore hasën në rezistencën e studentëve të ngujuar. Debatet nuk munguan. “Një listë konkrete nuk ka që tregon sa janë pro bojkotit dhe sa janë pro mësimit. Një shumicë vazhdon të jetë që kërkon mësimin. Vijimi i bojkotit është më shumë në dëm të studentëve sesa në vetë plotësimin e kërkesave. Jemi një masë që kërkon mësim, jemi në të drejtën tonë. Me disa nga kërkesat që janë realizuar jemi të kënaqur”, tha studentja. Madje ajo nuk kurseu as akuzat ndaj të ngujuarve se janë të orkestruar nga opozita. “Të njëjtin këndvështrim kemi dhe ne për ata. Nuk kam asnjë bindje politike kur bëhet fjalë për të ardhmen time”, tha studentja. Por tjetër qëndrim mbajtën studentët në ngujim, të cilët pretendonin se kishin shumicën. “Në vendimin e Asamblesë ditën e premte është vendosur që pedagogët mbështesin protestën studentore. Janë rreth 30 studentë, ndërsa atje mbi 200 studentë që janë në ngujim. Është e drejtë e jona që e kemi marrë dhe është ligjëruar tashmë nga Asambleja”, tha studenti. Tani pritet që studentët që kërkojnë mësim të përgatisin peticione, siç bënë pak ditë më parë, ku të faktojnë se ata janë shumica. Sakaq, tek Juridiku u shënua edhe një incident fizik, ku një “i ngujuar” pengoi një student të futej në auditore për mësim. “S’mund të na pengosh për të drejtat e tua, na lër të kalojmë. Dil protesto në rrugë. Dekani tha hapni derën, ju lutem hapni derën. O injorant mos më kap me dorë mua”, tha studentja që u konfrontua me protestuesin. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here