KLP frikë për bojkot të SPAK, thjeshton procedurat për të kandiduar, Gent Ibrahimi thirrje prokurorëve në rrethe të aplikojnë

0
575

Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi dje të thjeshtojë procedurat për aplikimet në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Prokurorët e interesuar kanë kohë deri në datën 7 shkurt të aplikojnë për 15 vendet vakante, por deri tani janë regjistruar vetëm dy kandidatura. Me qëllim që ngritja e SPAK të mos bojkotohet për shkak të mungesës së aplikimeve, kryetari i KLP, Gent Ibrahimi deklaroi në mbledhjen e djeshme se do të jetë organi i KLP ai që do të mbledhë informacione për prokurorët që shprehin interes. Prokurorët kanë për detyrë vetëm të aplikojnë, ndërsa me bërjen gati të dokumentacionit do të merret stafi i KLP. Në këtë mënyrë lehtësohet puna për prokurorët që duan të jenë pjesë e SPAK, veçanërisht për ata që kanë punuar në rrethe të ndryshme dhe u duhet të shkojnë në të gjitha qytetet për të marrë informacionet që nevojiten për aplikim. “Në mbledhjen e shkuar të KLP kanë nis procedurat për plotësimin e 15 vendeve vakant në Prokurorin e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe kanë kaluar më pakë se dy jave nga momenti i shpalljes së thirrjes dhe deri më tani kemi dy kandidime. Ajo çfarë është e rëndësishme dhe duhet theksuar është se këshilli në një moment të dytë vendosi që të bënte një lehtësim të dokumentacionit që u kërkohej kandidatëve përmes një e-mail që iu dërgua të gjithë prokurorëve të Republikës lista e dokumenteve që kërkohej pre tyre. Kështu që ky lehtësim do të jetë më inkurajues për kandidatët që duan të aplikojnë”, tha Gent Ibrahimi dje.

Thirrja për prokurorët e rretheve

Duke qenë se deri tani kanë shfaqur interes për tu bërë pjesë e SPAK vetëm dy prokurorë, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi apeloi dje edhe prokurorët e rretheve që të jenë pjesë e strukturës së re. “Ju bëj thirrje të gjithë prokurorëve, edhe atyre të rretheve, që të mos e humbin këtë mundësi që ju vjen njëherë në jetë. Të gjithë prokurorët me integritet dhe profesionalizëm të mos e humbasin mundësin për tu bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme”, deklaroi ai. Përmes thirrjes edhe për prokurorët e rretheve, zgjerohet spektri i aplikimeve dhe vëmendja nuk përqendrohet vetëm tek prokurorët e Krimeve të Rënda. Më pas mbledhja e KLP vijoi me diskutimet e pikave që ishin parashikuar në rendin e ditës, si projektvendimi i miratimit të strukturës së KLP, etj.

Rikthimi i prokurorëve

Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi dje edhe për rikthimin në Tiranë të dy prokurorëve Besim Hajdarmataj dhe Olsian Çela. Ata u transferuan nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku në rrethe. Përkatësisht, Besim Hajdarmataj në Pogradec, ndërsa Olsian Çelaj në Berat. Ky urdhër i kryeprokurores Marku ishte kundërshtuar nga vetë prokurorët dhe sipas anëtarëve të KLP, ata nuk mund të zhvendosen pa pëlqimin e tyre. Rikthimi i dy prokurorëve u miratua me 6 vota pro dhe 5 kundër. Kujtojmë që dy ish-drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela dhe Besim Hajdarmataj fituan gjyqin me kryeprokuroren Arta Marku në Gjykatën Administrative, në fund të muajit dhjetor. Ndërkohë, po dje Këshilli i Lartë i Prokurorisë plotësoi edhe vendin vakant të mbetur në Apelin e Krimeve të Rënda pas largimit të Bujar Sheshit, i cili u bë anëtar i KLP. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here