KPK kalon në sitë kryetarin e Prokurorisë së Apelit Vlorë, Altin Binaj drejt rikonfirmimit në detyrë

0
968

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u rikthye dje tek seancat dëgjimore me subjektet e rivlerësimit, duke kaluar në sitë kryetarin e Prokurorisë së Apelit në Vlorë, Altin Binaj. Seanca dëgjimore për Binajn nisi në orën 11:00, ndërsa hetimi për të ishte kryer në të tri kriteret e rivlerësimit. Ajo që ra në sy gjatë përballjes së kryeprokurorit të Vlorës me trupën gjykuese ishte fakti se ai rezultoi pa probleme qoftë në kriterin e pasurisë, qoftë në kriterin e figurës, ashtu edhe për aftësitë profesionale. Fillimisht trupa gjykuese u shpreh se Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë kishte sjellë një raport pozitiv për Binajn, ku konstatonte se ka bërë deklarim të saktë të pasurisë, ka burime financiare të ligjshme e të justifikuara dhe s’ka kryer deklarim të rremë dhe nuk gjendet në konflikt interesi. 

Gjatë hetimit të thelluar për kriterin e pasurisë, KPK ka konstatuar se Binaj zotëron: një apartament banimi 102 m2 në Vlorë me vlerë 3 milionë e 500 mijë lekë, dhe apartament banimi 52 m2 në Orikum me vlerë 15 mijë euro. I vetmi problem i konstatuar nga KPK ishte blerja e orendive shtëpiake me vlerë 600 mijë lekë brenda një viti. Për këtë fakt, prokurori Binaj tha se paratë e përdorura janë mbledhur gjatë disa viteve. Sa i takon pastërtisë së figurës, komisionerët e vetingut u shprehën se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka sjellë një raport pozitiv për Altin Binajn, ku konstatohet përshtatshmëria e tij për të vijuar detyrën. Në lidhje me aftësitë profesionale, trupa gjykuese deklaroi gjatë seancës se për kryetarin e Prokurorisë së Apelit të Vlorës ishin depozituar dy denoncime nga qytetarët. Por nga hetimi i kryer nga KPK, ka rezultuar se nuk ka indicie për të provuar vërtetësinë e këtyre denoncimeve. Në fund të seancës, fjala iu dha prokurorit Altin Binaj, i cili kërkoi rikonfirmimin në detyrë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do ta japë vendimin e tij për Binajn në datën 23 janar, ora 10:00, por sipas të gjitha gjasave ai do të rikonfirmohet në detyrë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here