Kush është mesazhi që ka terrorizuar Berishën? Rama paralajmëron ish-kryeministrin dhe i anulon koncesionin mikut të tij që i dha zyrën

0
382

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar dje hapur ish-kryeministrin Sali Berisha. Duke folur në sallën e Parlamentit, Rama deklaroi se Berisha ka marrë së fundmi një mesazh, i cili e ka tronditur shumë. Edhe pse nuk e tregoi se për çfarë bëhej fjalë, kryeministri e bëri të qartë se ish-lideri demokrat është në panik të madh. Teksa opozita po largohej nga salla e Parlamentit, Rama mori fjalën dhe deklaroi: “Lëreni doktorin sot, mos e ngacmoni se ka hall. Kaq mjaftoi që Berisha në dalje të sallës t’i kthehej kryeministrit, duke iu drejtuar me gisht. Por, Rama vazhdoi duke thënë: “Sali ta qaj hallin me mesazhin që ke marrë, eee të vështirë e ke”. Pra kryeministri e bëri të qartë se ish-kryeministrit ka marr së fundmi një mesazh që e ka tronditur. Madje Rama ka paralajmëruar dhe pasoja. Nuk dihet se për çfarë bëhet fjalë, por shihet qartë se pozitat e ish-kryeministrit janë rënduar ndjeshëm. Vetë Berisha reagoi më pas në rrjetet sociale, ku nuk e mohoi që ka marrë një mesazh që e ka tronditur. “Me këtë rast dua t’ju siguroj ju dhe mbarë shqiptarët se halli i vetëm i kllounit halucinant është të kamuflojë mesazhin absolutisht të vetëm që kam marrë dhe marr çdo ditë nga miq brenda dhe jashtë vendit dhe që është rrëzimi me çdo kusht i Zografit Bis. Njeriut qe mbyti me droge Shqipërinë dhe po përpiqet të copëtojë Kosovën dhe regjimit të tij të kakistokracisë, për çka sot mbetem më i përkushtuar se kurrë”, tha ai.

Rama i heq koncesionin mikut të Berishës

Kryeministri Edi Rama i ka dhënë dje një tjetër goditje nën brez Sali Berishës. Me të marrë detyrën si ministre Transporti, Belinda Balluku ka anuluar koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar. Por anulimi i këtij koncesioni është një goditje në distancë ndaj Berishës. Ky aks do merrej nga kompania “Gener 2”, e cila drejtohet nga biznesmeni Bashkim Ulaj. “Kam vendosur ndërprerjen e procedurës së partneritetit Publik Privat për Aksin Thumanë – Kashar. Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti, qeveria do ta dedikojë në funksion të zbatimit të angazhimeve të Paktit për Universitetin, në fushën e infrastrukturës arsimore qoftë asaj fizike e qoftë asaj dixhitale”, u shpreh Balluku. Bashkim Ulaj njihet si mik i Berishës. Edhe pse PD kohët e fundit e ka sulmuar, të gjithë e dinë se Berisha e Ulaj kanë qenë bashkë. Ajo që e vërteton këtë është se Berisha sot ka zyrën e tij në godinë “ABA Center”, e ndërtuar nga Bashkim Ulaj. Edhe pse në media aludohet se Berisha e Ulaj janë ndarë, faktet tregojnë të kundërtën. Përveçse zyra e Berishës është në pallatin e Bashkim Ulajt, ish-kryeministri ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të “A2 CNN”, që është po në pronësi të Uluajt. Prezenca e Berishës aty konfirmon se ata ruajnë marrëdhëniet. Fakti që Rama e largoi Ulajn nga aksi Thumanë-Kashar, është një goditje ndaj ish-kryeministrit. Ndërkohë, dje dha dorëheqjen kreu i OST, Klodian Gradeci. Vendimi i tij vjen pak kohë pas publikimit në media të skandalit me falsifikimin e dokumenteve të firmës ‘DH Albania’, ku dyshohet se fshihet po Bashkim Ulaj.

Reagimi i Ramës

Kryeministri reagoi në sallën e Parlamentit dhe për anulimin e koncesionit, duke e bërë të qartë se ka shumë persona që janë shqetësuar. “Të gjithë janë shumë të shqetësuar për atë që ne bëmë sot. Për ndërprerjen e procedurave për partneritetin publik, privat në aksin Thumanë – Kashar. Shumë të shqetësuar, sepse është një hapësirë fiskale për një partneritet publik, privat goxha të shtrenjtë. Pra, është një volum parash i konsiderueshëm, të cilin ne kemi vendosur ta kalojmë për universitetin dhe për arsimin në tërësi, nëse ka më shumë hapësirë. Çfarë do të thotë kjo?”, tha ai. Pra dje kryeministri dha sinjale se pozita e Berishës nuk janë ato të dikurshme, ndërsa pritet që në ditët në vijim të zbulohet mesazhi tronditës që ai ka marrë. 

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here