“Letër fëmijës, që nuk u lind kurrë” rikthehet në skenë dhe 4 mbrëmje

0
678

Monodrama “Letër fëmijës, që nuk u lind kurrë” me aktoren Ina Gjonçi vjen sërish gjatë kësaj jave për publikun në sallën Goethe në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli”. Shfaqja do të jetë në skenë në datat 24, 25, 26 dhe 27 janar. Një projekt i aktores Gjonçi, që erdhi në skenë mbi veprën e Oriana Fallacit. Aktorja shkruan se kanë kaluar 15 vite kur me këtë material konkurroi në Akademinë e Arteve. “Një fragment nga “Letër një fëmije që nuk u lind kurrë” ishte materiali me të cilin konkurrova për të qenë pjesë e Akademisë së Arteve në vitin 2004. Kanë kaluar 15 vite që atëherë. Ju mirëpres! Në orën 19 00 tek Teatri Eksperimental, salla Goethe. Një shfaqje e vockël, për ata që e njohin Fallacin dhe një mundësi e mirë për ta takuar, për ata që nuk e njohin”, shkruan aktorja. Në vitin 1975, shefi i saj, drejtori i gazetës “Europeo”, i kërkoi Fallacit një shkrim mbi abortin. Gazetarja u kthye pas gjashtë muajsh me tekstin e librit “Letër fëmijës, që nuk u lind kurrë”. 

Shefi nuk ja fali “mosbindjen”, bota fitoi një nga tekstet më të drejtpërdrejtë mbi gruan, dashurinë dhe jetën. “Ndihem e çorientuar. Unë nuk jetoj me babanë tënd. E nëse do ta dish nuk më vjen keq fare. Ndonëse rri shpesh e shoh atë derën aty, nga e cila iku sikur nuk kishim për t’i thënë asgjë njeri tjetrit. Një grua, me pikëpyetje e dilema, bashkëbisedon me krijesën e saj, duke zbuluar kështu, të vërtetat më të mëdha mbi dashurinë, dhimbjen, e jetën. Teksti i Fallacit shndërrohet me tekstin e çdo gruaje”, shkruan teatri për këtë pjesë monodramë në skenë. Oriana Fallaci (29 qershor 1929- 15 shtator 2006) ka qenë një gazetare, shkrimtare dhe intervistuese politike italiane. Fallaci ka pasur një karriere të gjatë dhe shumë të suksesshme gazetareske. Ajo intervistoi shumë lider të njohur të botës si dhe njerëz të tjerë të famshëm si Dalai Lama, Henry Kissinger, Shahun e Iranit, Ayatollah Khomeini, Willy Brandt, Zulfikar Ali Bhutto, Walter Cronkite, Muammar al-Gaddafi, Federico Fellini, Sammy Davis Jr, Nguyen Cao Ky, Yasir Arafat, Indira Gandhi, Alexandros Panagoulis, etj. Pas daljes në pension, ajo ju rikthye vëmendjes së opinionit publik pasi shkroi një sërë artikujsh e librash kritikë.  

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here