Lufta kundër krimit, Lleshaj vlerëson “spiunët” e policisë: Bashkëpunimi është qytetari, ja kush është kreu i ri i SHÇBA

0
354

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar ditën e djeshme sa i takon bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe qytetarëve në luftën kundër krimit të organizuar dhe jo vetëm. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ministri Lleshaj deklaroi se hapësirat e reja të komunikimit me qytetarët po japin rezultate inkurajuese në punën e policisë. Në këtë kontekst, numri një i Ministrisë së Brendshme theksoi se kriminelët apo shkelës të tjerë të ligjit po vihen, sipas tij, përpara përgjegjësisë falë informimit të qytetarëve.

 “Për fat të keq, disa individë apo media të izoluara i etiketojnë si “spiunë” ata që bëjnë detyrën bazë qytetare: angazhimin për sigurinë e përbashkët. Por ne vazhdojmë bashkë, për ta ndërtuar bashkë me qytetarët, sigurinë dhe të ardhmen. Ka vetëm dy rrugë: ose qytetarët bëhen bashkë me Policinë për ta mposhtur të keqen kriminale, ose ata qëndrojnë indiferente apo bashkëpunojnë me të keqen, për të rrënuar të sotmen dhe të ardhmen e tyre. Bashkëpunimi me Policinë është qytetari në çdo vend evropian. Stigmatizimi i bashkëpunimit është barbari. Mbështeteni Policinë tuaj”, deklaroi ditën e djeshme ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ndër të tjera në statusin e tij në rrjetet sociale. 

Ndërkohë që po ditën e djeshme, Muhamet Rrumbullaku është emëruar nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në krye të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pas largimit të Anila Trimit. Në njoftimin e Ministrisë së Brendshme thuhet se Rrumbullaku zë vendin e Anila Trimit që u emërua nga Fatmir Xhafaj kur ishte në postin e ministrit të Brendshëm. Por në njoftim nuk saktësohet nëse Trimi do të jetë më ne radhët e policisë apo është ne reformë, pasi nuk përcaktohet detyra që ish-drejtuesja e lartë do të ushtrojë në të ardhmen. “Zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari, gjatë një takimi paraditen e sotme me drejtuesit qendrorë të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) bëri të njohur urdhrin e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, për ndryshime në nivel drejtues në këtë strukturë. Kështu, z. Muhamet Rrumbullaku, me një karrierë të gjatë në strukturat e Policisë së Shtetit, emërohet Drejtor i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në Ministrinë e Brendshme. Z. Rrumbullaku zëvendëson në këtë detyrë znj. Anila Trimi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here