“Mbretëresha e bukurisë nga Leenane”, premierë në Teatrin Eksperimental

    0
    546

    Shfaqja teatrore “Mbretëresha e bukurisë nga Leenane” është e para këtë vit artistik që vjen premierë si produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. “Mbretëresha e bukurisë nga Leenane” është një komedi e zezë shkruar nga autori Martin MecDonagh, dhe në skenën shqiptare vjen premierë me regji nga Kiço Londo. Premiera do të jetë në teatër mbrëmjet datave 26 dhe 27 janar për publikun. Në këtë vepër që është një komedi e zezë ne kemi në qendër të saj një nënë dhe një vajzë që persekutojnë njëra- tjetrën. Nëna për të mos ngelur vetëm dhe vajza për të gjetur rrugën e saj. Vepra, e vendosur në malet e Konemarës në kontenë Galluej të Irlandës, rrëfen historinë me nota të errëta komike të Morin Folanit, një grua e zakonshme dhe e vetmuar në të dyzetat, dhe të nënës së saj manipuluese Meg. Ndërhyrja e Megit në mundësinë e parë dhe ndoshta të fundit të së bijës për një lidhje dashurie vë në lëvizje një tren me ngjarje sa komike, aq tmerruese, të cilat çojnë në fundin e pashmangshëm tragjik të pjesës. Vepra me autor Martin McDonagh është përkthyer nga Adriana Tolka. Me regji nga Kiço Londo komedia vjen në skenë me aktorë të njohur të teatrit. Këtë herë rolet në këtë shfaqje premierë puna për të cilën ka nisur që vitin që lamë pas regjisori Londo ia ka besuar aktorëve si Laura Nezha, Ermira Gjata, Genci Fuga, Engjëll Hoxha. Skenograf Beqo Nanaj dhe kostumografe Sofi Kara, as/regjisor Marsel Greva, Kleard Gërmenji. Aktorët që janë këtë herë në role janë ngjitur dhe më parë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” duke marrë duartrokitjet e publikut. Për të katër aktorët që janë pjesë  e shfaqjes që do të vijë në skenë me regji nga Kiço Londo ky është dhe prezantimi i parë këtë vit në teatër para publikut. Edhe këtë herë në zgjedhjen e  regjisorit Kiço Londo është një vepër që mban emrin e  një autori të njohur dhe të vlerësuar dhe me veprat e tij në botë. Në skenën shqiptare ai është prezantuar më parë dhe me të tjera vepra, por këtë herë vjen me një komedi.

    Në skenë për herë të parë më 1996

    Kjo vepër e cila u ngjit në skenë për herë të parë nga kompania e Druid Theatre në Galluej, Irlandë, më 1 shkurt 1996. Ajo gjithashtu shijoi suksesin e shfaqjeve në Uest End të Londrës, Broduej dhe Of-Broduej. Është kandiduar për çmimin Lorenc Olivier si vepra më e mirë dramatike për produksionin e Londrës, dhe produksioni i Broduejit i vitit 1998 u kandidua për 6 çmime Toni, duke fituar 4. “Kjo komedi tragjike vazhdon të shfaqet me sukses në skenat botërore”, shkruan teatri për këtë shfaqje që pritet të jetë premierë. “Mbretëresha e bukurisë nga Leenane” është një kritikë ndaj nacionalizmit irlandez, i cili është toksik dhe anti-modern, ndërkohë që tregon nevojën urgjente për një identitet, që nuk është vetëm modern, por edhe irlandez. Ndërsa prioritetet e autorit McDonagh sillen te krijimi i komedisë së zezë, fakti që vepra është bërë kaq e famshme tregon vendin voluminoz, që zë ajo në një diskutim më të gjerë mbi luftën për të gjetur një truall të mesëm midis nacionalizmit, që qëndron larg realitetit, dhe modernitetit të zbrazët kulturalisht. Ndërsa Martin McDonagh nuk e drejton gishtin mbi ndonjë lloj shprese apo zgjidhjeje në vepër, cikli zemërthyes i traumës mes personazheve në Linejn paraqet një kritikë kulturale të rëndë dhe të sinqertë.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here