Autoriteti i Konkurencës pezullon vendimin e Urdhërit të Stomatologut për rritjen e çmimeve të shërbimit dentar, hetim tregut

0
572

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të Vendimit të Asamblesë Kombëtare të Urdhrit të Stomatologut, “Për miratimin e listës së çmimeve dysheme për shërbimin stomatologjik”, pasi bie në kundërshtim me dispozitat e ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”. Në rast se ky vendim nuk do të zbatohet, atëherë Urdhëri i Stomatologut do të ndëshkohet me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës. Po ashtu, edhe individët që do të zbatojnë këtë vendim, gjobiten në masën deri 5 milionë lekë.

Hetimi i tregut

Autoriteti i Konkurencës ka vendosur gjithashtu të hapë procedurën e hetimit paraprak në tregun e ofrimit të shërbimeve stomatologjike, për të parë nëse ka ose jo shenja të kufizimit apo shtrembërimit të dispozitave të ligjit për konkurrencën. Kjo masë u mor pasi Autoriteti i Konkurrencës u njoh përmes medias lidhur me një vendim të Asamblesë Kombëtare të Urdhrit të Stomatologut “Për miratimin e listës së çmimeve dysheme për shërbimin stomatologjik” sipas të cilit, është vendosur miratimi i një liste çmimesh dysheme për një kategori të caktuar shërbimesh dentare për: Terapinë, Ortopedinë, Kirurgjinë dhe Ortodoncinë. Konkurrenca thekson se në bazë të ligjit për konkurrencën janë të ndaluara të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg. Ajo shton se Vendimi i mësipërm i Urdhrit të Stomatologut, mund të ketë elementë të kufizimit të konkurrencës në kuptim të nenit 4 të Ligjit 9121/2003. Sipas raportit të Konkurrencës, Misioni i Urdhrit të Stomatologeve është ruajtja e standardeve të larta në formimin dhe ushtrimin e profesionit te stomatologut dhe mbrojtja e pacientëve dhe publikut nga keq ushtrimi i këtij profesioni. “Urdhri i Stomatologut në Republikën e Shqipërisë është ent publik, jo buxhetor, i cili përfaqëson interesat e përbashkët të profesionistëve, stomatologë dhe ndihmës stomatologë, si dhe rregullon marrëdhëniet ndërmjet tyre në funksion të publikut”, thuhet në njoftim.

Vendimi i Urdhrit të Stomatologëve

Prej fillimit të 2019, klinikat dentare në vend janë të detyruara që të bazohen në listën e re me çmimet dysheme për shërbimet bazë që ofrojnë, të caktuar në një shkresë të Urdhrit të Stomatologëve. Referuar listës së publikuar vihet re një rritje e tyre në krahasim me çmimet që aktualisht aplikohen, ndonëse këto të fundit variojnë sipas klinikës ku jepet shërbimi. Për një mbushje dhëmbi të gradës së dytë, përpara 1 janarit, pacientët në klinikën e tij duhet të paguanin 2,000 lekë, ndërsa tani me çmimin dysheme që ka vendosur Urdhri i Stomatologut, pacientët duhet të paguajnë 4,000 lekë, ose dyfish. Rritje ka pasur edhe për shërbimet e tjera dentare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here