Haradinaj i propozon BE dhe SHBA kushtet për heqjen taksës ndaj Serbisë

0
467

Pas trysnisë së fuqive perëndimore për heqjen e taksës ndaj Serbisë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka propozuar dje kushtet e qeverisë së tij për zbatimin e rekomandimit, edhe pse janë kundërshtuar dhe më parë nga komuniteti ndwrkombwtar. Në një letër ndaj ambasadorëve të BE kryeministri thotë se tarifa do të pezullohet menjëherë në rast se plotësohen disa rrethana, mes të cilave organizimi i një konference ndërkombëtare urgjente me qëllim të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe përjashtimin e mundësisë së ndryshimit të kufijve. Kryeministri kërkon që konferenca të fillojë sa më parë që është e mundur dhe të përfundojë brenda 14 ditëve. “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet do të zotohen publikisht dhe do të garantojnë që në Konferencë nuk do të ketë asnjë rivendosje të kufijve ekzistues të Kosovës, ndarje të Kosovës, apo shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre; të mos ketë dhënie të kompetencave ekzekutive të çfarëdo forme për asociacionin e komunave serbe në Kosovë ose ndonjë marrëveshje tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës; masa të çfarëdo natyre të bazuar në koncesione që shkojnë para datës 17 shkurt 2008”.

Garanci për liberalizimin e vizave

Në dokument thuhet se BE duhet të jap zotime shtesë publike dhe do të garantojë se do të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës para fillimit të Konferencës, si dhe do të zbatohet Marrëveshja për Energji e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë para fillimit të Konferencës. Haradinaj kërkon gjithashtu ndalimin e sjelljeve penguese e provokuese kufitare të Serbisë. “Serbia duhet të largojë të gjitha barrierat jo-tarifore ndaj lëvizjes së mallrave nga Kosova, si dhe të gjitha kufizimet e paligjshme në tregtinë e shërbimeve dhe lëvizjen e njerëzve nga Kosova në Serbi. Presidenti, Kryeministri ose Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë duhet të konfirmojnë publikisht se kanë ndaluar në mënyrë permanente të gjitha politikat dhe veprimet e çfarëdo lloji të drejtuara kundër aspiratave të Kosovës si shtet sovran qoftë nëse ato aplikohen në nivel lokal, rajonal apo ndërkombëtar”, thotë Haradinaj. Në dokument theksohet se tarifa do të ri-vendoset menjëherë nëse Konferenca nuk përfundon me një marrëveshje gjithëpërfshirëse të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron, ndër të tjera, njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. “Tarifa do të ri-vendoset në një datë të mëvonshme nëse nuk arrihet të zbatohet marrëveshja gjithëpërfshirëse e detyrueshme e arritur në Konferencë”, shton dokumenti.

Shtimi i presionit për taksën

Dokumenti pasoi thirrjet e së premtes nga Shtetet e Bashkuara për pezullimin e menjëhershëm të tarifës mbi importet nga Serbia dhe Bosnja si një masë e nevojshme për të rimëkëmbur procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Në një komunikatë të ambasadës amerikane në Prishtinë thuhej se veprimet që minojnë këto bisedime, pengesat nga anash dhe refuzimi për ta pezulluar këtë tarifë shkojnë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke tërhequr vërejtjen për pasoja të mundshme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, në rast se ndërmerren veprime të ngjashme. Beogradi gjithashtu kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave duke bërë që procesi të vazhdojë të mbetet i pezulluar. Por, mbajtja në fuqi e tarifave dhe thirrjet amerikane për anulimin e tyre kanë nxitur qëndrime të ndryshme në Kosovë dhe një përplasje në distancë ndërmjet kryeministrit Haradinaj dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here