Shumica e ujësjellës-kanalizimeve nuk mbulojnë kostot, variantet e qeverisë nga reduktimi i punonjësve te grupimi i 42 ndërmarrjeve në një të vetme

0
438

Në fund të vitit 2018, megjithë përmirësimin e lehtë të gjendjes financiare të sektorit të ujësjellës kanalizimeve, rezultoi se nuk u arritën pritshmëritë e parashikuar nga reforma, sidomos në drejtim të influencës së uljes së humbjeve nga eliminimi i lidhjeve të paligjshme. Lajmi konfirmohet nga Enti Rregullator i Ujit, në raportin vjetor të 2018. Sipas raportit të ERRU, për uljen e humbjeve dhe hartimin e një plani veprimi për zvogëlimin e tyre me asistencën e huaj, financuar nga GIZ, u realizua një studim për tetë shoqëritë UK më të mëdha të vendit që ofrojnë shërbime për mbi 70% të popullsisë së vendit. Ndërkohë, në fund të vitit 2018, për përshpejtimin dhe arritjen e përmirësimit të gjendjes në sektor, MEI përpiloi një qasje që akoma është në diskutim me të gjithë aktorët në sektor para se të formalizohet për zbatim. Qasja e propozuar për shëndoshjen e sektorit të ujësjellës kanalizimeve bazohet në ndarjen në dy kategori të shoqërive UK, përkatësisht në ato që operojnë duke mbuluar kostot e O&M dhe në ato të cilat kanë nevojë për subvencionim nga qeveria qendrore. Propozimi merr në konsideratë shoqëritë e kategorisë që kanë nevojë për subvencion nga qeveria qendrore dhe propozon një plan veprimi për to me një shtrirje kohore zbatimi rreth dy vjeçare. Theksohet fakti se janë 42 nga 58 shoqëri UK që nuk arrijnë të mbulojnë kostot e O&M. Për këtë kategori të shoqërive, në princip, qasja propozon agregimin e tyre “të detyruar” në një shoqëri të vetme që do të menaxhohet nga një staf qendror (Struktura e Kompetencave të Përbashkëta ose SKP). Krijimi i një shoqërie të tillë gjigande nuk rekomandohet të krijohet, sepse eksperienca ndërkombëtare dhe ajo e vendeve me kushte të përafërta me tonat nuk njeh ndonjë shembull suksesi ku sektori (shitja e ujit me pakicë) është agreguar pothuajse në mënyrë të menjëhershme.

Përmirësimi financiar

Shëndoshja afatshkurtër financiare e sektorit dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit pritet të vijë sipas ERRU, kryesisht nga reduktimi i fuqisë punëtore dhe rritja e normës së arkëtimit. ERRU vlerëson se lënia në njëfarë mënyre, e bashkive jashtë procesit kompromenton sidomos faktorin e dytë (normën e arkëtimit), ku roli i bashkisë është mjaft i rëndësishëm në mbështetje kundër debitorëve dhe abuzuesve. “Studimi i bëshmërisë i vitit 2008 për agregimin e sektorit të ujit në Shqipëri, financuar nga Banka Botërore, ka konkluduar se agregimi duhet realizuar mbi baza vullnetare dhe me incentiva nga qeveria qendrore. Procesi duhet të jetë diskret (kërkon kohën e duhur), gradual, mbështetje me fonde (incentiva) dhe me angazhim të fortë institucional të pushtetit qendror dhe atij vendor. Nga ana tjetër, krijimi i shoqërisë së agreguar në përmasa të tilla, në kufi kohorë mjaft të shkurtër, është pothuajse i pamundur të realizohet. Afati minimal për plotësimin e kërkesave burokratike të krijimit dhe vënies në operim të shoqërisë së agreguar është rreth 2 vjet”, thuhet në raportin e Entit Rregullator të Energjisë.

Situata në 2018

Vlerat e treguesve të performancës për vitin 2018 nuk paraqiten në nivele të kënaqshme. “Mbulimi me Furnizimin me Ujë” ka një përkeqësim të vogël me 0.09% krahasuar me vitin 2017. Përkeqësimi argumentohet me përfshirjen në zonën e shërbimit të shoqërive UK të riorganizuara të mjaft zonave rurale (zona të bardha) në të cilat nuk ekzistojnë sisteme inxhinierike të furnizimit me ujë. Po ashtu, “Kohëzgjatja e Furnizimit me Ujë” është përkeqësuar me 0.35 orë më pak furnizim me ujë të pijshëm në 24 orë, që justifikohet, sepse shumë shoqëri janë riorganizuar gjatë vitit 2018 duke marrë zona rurale të shërbyera me orare të reduktuara apo zona krejtësisht të pa shërbyera.

Reforma në sektorin e ujit

Reforma në sektorin e ujit i ka fillimet e saj në Janar 2016 me VKM nr. 63 që presupozonte riorganizimin e shoqërive UK sipas parimit 1 shoqëri = 1 bashki dhe duhet të kishte përfunduar në fund të vitit 2016. Ky proces akoma nuk ka përfunduar, sepse deri në fund të vitit 2018 janë licencuar nga ERRU 30 shoqëri UK të riorganizuara, ndërkohë vetëm 15 prej tyre kanë aplikuar për miratimin e tarifave të reja për zonën e re të shërbimit. Në vijim të reformës në sektorin e ujit të lançuar nga qeveria qendrore që në Tetor të vitit 2017, me synim shëndoshjen financiare të shoqërive UK, krahas fushatës për eliminimin e lidhjeve të paligjshme në Janar 2018 u procedua me nënshkrimin e kontratave të performancës ndërmjet MIE dhe bashkive bazuar në tregues performance të përcaktuar apriori dhe në vlera të njëjta për të gjitha shoqëritë. Për vitin 2018 si rezultat i reformës, sektori pati një ecuri pozitive në drejtim të eliminimit të lidhjeve të paligjshme, rritjes së numrit të ujëmatësve të vendosur, si dhe të arkëtimeve të debive të prapambetura. Në fund të vitit 2018 vlerësohet një përmirësim i lehtë i gjendjes financiare të sektorit, por nuk u arritën pritshmëritë e parashikuara nga reforma. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here