Merr fund ankthi, Kristal Abazaj huazohet për një vit tek Osijeku në Kroaci

0
563

Një nga futbollistët shqiptarë që shihej me dyshim në këtë fazë kalimtare dimërore ishte Kristal Abazaj. Edhe pse kaloi me bujë në verë në radhët e Anderlehtit në kampionatin kryesor të Belgjikës, ai nuk mungoi të lerë gjurmë në këtë ekip, pasi nuk mundi të fitojë një vend titullar e madje shumicën e kohës trajneri nuk e preferoi as në stol, duke përfunduar në tribuna, ose në radhët e skuadrës së të rinjve. Erdhi një pikë që tek Anderlehti e cilësonin dështim dhe mezi po prisnin momentin ta shisnin ose ta huazonin në ndonjë klub tjetër, ose t’i jepnin nga pak mundësi tek të rinjtë apo si rezervë në mënyrë që të mos shkonte kot si lojtar. Edhe vetë futbollisti u ndje keq dhe kërkoi të largohej, pasi nuk po gjente vetveten tek klubi i Anderlehtit. Në këto kushte, situata rreth futbollistit shqiptar u bë mbytëse dhe të gjithë po përpiqeshin të gjenin një zgjidhje ku të dilnin të dy palët të fituara. Merkato shkoi drejt fundit dhe palët ende nuk po e dinin ç’të bënin, por për ish-sulmuesin e ZLuftëtarit në kampionatin shqiptar u hap papritur një derë, e cila mund të rezultojë vendimtare për vazhdimësinë e karrierës së tij. Një klub kroat i dha një mundësi, duke e marrë në formë huazimi dhe ky klub është Osijeku, ish- skuadra e Eros Grezdës. Natyrisht, sulmuesi kosovar ka lënë gjurmë pozitive tek ky ekip dhe në tërësi Osijeku ka raporte të mira me shqiptarët dhe hapja e derës për Abazajn është një mundësi që lojtari të ketë mundësinë të luajë dhe të tregojë talentin e tij dhe kapacitetet e tij tekniko-taktike në shërbim të skuadrës së re.

Largimi nga Anderleht dhe prezantimi tek Osijeku

Siç shkruajnë vetë mediat belge, të cilave u referohen mediat sportive shqiptare, ka marrë një kthesë pozitive e të papritur karriera e Kristal Abazajt. Atëherë kur u mendua se sulmuesi anësor do ta mbyllte sezonin te Anderleht po nuk po gjente aspak hapësira që pas transferimit të tij në verë te gjigandët belgë, Abazaj këtë të martë është zyrtarizuar si afrimi më i fundit i skuadrës kroate të Osijek, ku më parë është aktivizuar edhe Eros Grezda. Abazaj ka lënë Anderlehtin për të kaluar në kampionatin kroat. Te Osijek, 22-vjeçari shqiptar është transferuar në formë huazimi më të drejtë blerjeje. Merkato e dimrit në Kroaci nuk është mbyllur ende dhe ish lojtari i Luftëtarit do të jetë pjesë e Osijek në pjesën e mbetur të këtij sezoni. Te Osijek që lufton për një vend në Kupat e Europës në kampionatin kroat, Kristal Abazaj do të ketë mundësi të aktivizohet rregullisht dhe të bëjë shpërthimin e madh për t’u transferuar më pas në një kampionat më cilësor. Edhe Eros Grezda e përdori Osijekun si një trampolinë shumë të mirë për të kaluar te Gllasgou Rejnxhërs në Skoci. Gjatë eksperiencës 7-mujore te Anderleht, Kristal Abazaj i cili kushtoi klubit belg 750 mijë euro u aktivizua në vetëm 1 takim si zëvendësues pikërisht në sfidën e kampionatit ndaj Cercle Bruzhe. Edhe në këtë transferim të 22-vjeçarit një rol të rëndësishëm e ka luajtur menaxheri i mirënjohur Shkumbin Qormemeti por edhe drejtori sportiv i Skënderbeut Haris Fakiç i cili është krahu i djathtë i Qormemetit.

Kombëtarja

Vështirë se Kristal Abazaj do të marrë ftesë nga trajneri Kristian Panuçi në kuadër të ndeshjes së parë kualifikuese në kuadër të eliminatoreve të Euro-2020, takim që luhet ndaj Turqisë në fund të muajit mars, pasi lojtari nuk gëzon formën e duhur dhe nuk ka luajtur për një kohë të gjatë. Duhet së pari që Abazaj të aktivizohet pak nga pak me skuadrën e re dhe të krijojë profilin e lojtarit të suksesshëm në radhët e Osijekut, në mënyrë që të marrë vend titullari në formacion e më pas edhe të shënojë gola. Nëse nuk luan rregullisht dhe nëse nuk shënon gola, atëherë Abazaj do ta ketë të vështirë të marrë ftesë nga trajneri Kristian Panuçi.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here