Pas fitores me Laçin, Skënderbeu zbulon dy “delet e zeza” të skuadrës janë Gripshi dhe Teqja

0
424

Skënderbeu ka probleme të brendshme. dhe duket se këto probleme kanë sjellë edhe një zhgënjim të skuadrës për afro tre muaj me radhës. Kishte plot tre muaj që skuadra korçare nuk gjente fitoren në kampionat, deri të hënën kur mundi në Korçë skuadrën e Laçit 2-1. Ishte një fitore mbi të gjitha me vlera psikologjike, pasi grupi, siç e pranoi dhe vetë trajneri Orges Shehi, kishte nisur të humbiste shijen e fitores. Ky sukses i dha tri pikë skuadrës së Skënderbeut dhe duket se grupi e la pas situatën e vështirë. Por ende pa u tharë festa e fitores me kurbinasit, vjen një lajm që është domethënës për ekipin dhe vazhdimësinë. Lënia në stol e dy lojtarëve që më parë kishin peshë në fushë dhe në organikën e grupit, ka sjellë kthimin tek rezultatet pozitive dhe këta dy lojtarë po shihen si “delja e zezë” e Skënderbeut. Bëhet fjalë për portierin Teqja dhe mesfushorin Gripshi. Sigurisht, asgjë nuk është serioze, pasi të dy futbollistët stërviten dhe punojnë me grupin dhe situata e vështirë nuk ka ardhur për faj të tyre specifikisht, por fakti që në Korçë po nisin të besojnë se ndryshimet taktike dhe në organikë sollën edhe ndryshimin në rezultat ka domethënie për vazhdimësinë e skuadrës në këtë edicion. Në analizën e mediave sportive online shkruhet se pas atij dhjetori katastrofik në rezultate dhe fillimit të keq të fazës së tretë, Skënderbeu ia doli të linte pas periudhën e errët dhe të fitonte me Laçin në javën e 21-të të kampionatit. Trajneri Orges Shehi kishte bërë disa ndryshime në këtë ndeshje, i ndikuar edhe nga mungesat e Bregu dhe Radasit, kuptohet. Por ajo që ra në sy kishte të bënte me lënien në stol të portierit Aldo Teqja dhe të mesfushorit sulmues Nazmi Gripshi. Të dy kanë qenë titullarë gjatë gjithë kampionatit. Trajneri i Skënderbeut nuk është shprehur publikisht se është i pakënaqur nga këta dy futbollistë, por nuk ka asnjë shpjegim tjetër për lënien e tyre në stol. Gripshi u aktivizua disa minuta në pjesën e dytë të ndeshjes me Laçin, kurse portieri Teqja nuk luajti asnjë minutë. Ndoshta ky vendim i trajnerit do t’u shërbejë për reflektim të dyve. Gripshi ndërkohë e ka më të vështirë tashmë formacionin, pasi alternativat janë shtuar për trajnerin Shehi. Kroati Pervan po paraqitet mirë dhe me rikthimin e Bregut, hapësirat ngushtohen ndjeshëm për durrsakun. Ndërkohë, një lajm i bujshëm vjen nga një prej lojtarëve që kanë qenë pjesë e skuadrës korçare. Është fjala për Dean Liçon, i cili tani është pjesë e Sportingut të Lisbonës, por i huazuar prej Leganeshit në kampionatin spanjoll. Sipas informacioneve që vijnë nga kampi i klubit korçar, Dean Liço mund të sigurojë disa mijëra euro për arkat e klubit të Skënderbeut në qershorin e këtij viti, nëse kalimi i tij nga spanjollët e Leganesh te portugezët e Sporting Lisbonës do të finalizohet, Talenti i dalë nga akademia e klubit korçar ka kaluar në huazim në radhët e portugezëve deri në fund të sezonit, por këta të fundit kanë të drejtë që në qershor të blejnë kartonin e tij. Klauzola e transferimit nuk është e vogël, përkundrazi. Shifra e vendosur në kontratë mësohet se është 1 milion euro, relativisht e lartë për futbollistin i cili as nuk kishte mundësinë të luante me ekipin e parë te korçarëve, por stërvitej rregullisht me to. Por në rast se Sporting vendos të blejë futbollistin, nga kjo do të përfitojë edhe Skënderbeu, si klubi formues, me disa dhjetëra mijëra euro që do të përfundojnë në arkat e klubit korçar. Si për ironi të fatit kjo shumë do i vijë nga një klub i cili është kthyer në problem për korçarët. Kjo, pasi ndeshja e tyre ndaj Sportingut në Ligën e Europës, e përfunduar me rezultatin 5-1, është e arkivuar nga UEFA mes atyre me të cilat argumenton se klubi shqiptar ka trukuar ndeshjet në arenën ndërkombëtare.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here