SHBA: E pabesueshme që Kosova injoron këshillën tonë për taksën

0
454

Presidenti, kryeministri dhe krye-parlamentari i Kosovës kanë pranuar një letër nga zyrtarë të lartë amerikanë, ku është shprehur akoma më qartë zhgënjimi dhe habia e administratës së SHBA lidhur me mospezullimin e taksës doganore, ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Në letrën e nënshkruar nga ndihmës-sekretari i Shtetit, Matthew Palmer, ndihmës-sekretarja e Mbrojtjes, Laura Cooper dhe Zv/drejtor për Çështje Evropiane, John Earth, thuhet se pas këshillave dhe kërkesave të vazhdueshme për pezullimin e tarifës, SHBA me keqardhje ka vendosur të ndërmarrë hapa më konkretë për të shprehur shqetësimin e saj, dhe këtu përfshihet dhe partneriteti në fushën e sigurisë mes dy vendeve. “Si fillim, kemi vendosur të anulojmë vizitën e planifikuar të Gjeneralit (Timothy) Orr nga Garda Kombëtare e Iowa-s, në Kosovë. Vizita e tij kishte për qëllim të përqendrohej në bashkëpunim bilateral në fushën e sigurisë”, thuhet në letër, ku më tej shtohet se për SHBA është e pabesueshme që Kosova po injoron këshillën e tyre për taksën doganore. “Kosova nuk ka mik më të mirë se Shtetet e Bashkuara. Ne kemi punuar së bashku për vite të tëra për të ndërtuar të ardhmen, për popullin e Kosovës që të jetojë ashtu si ka zgjedhur, në paqe. Prandaj është e pabesueshme që pas gjithë asaj që kemi bërë së bashku, Kosova vlerëson miqësinë tonë kaq ulët, aq sa të injorojë këshillën tonë”, thuhet në letër.

Stoltenberg mbështet këshillën e SHBA

Shtetet e Bashkuara thanë se gjithsesi  do të vazhdojnë të jenë të gatshme të ndihmojë dhe të përkrahin Kosovën që të arrijë një marrëveshje për normalizimin e raporteve me Serbinë, që do të përqendrohej në njohje reciproke, por vazhdimi i dialogut në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të vazhdojë pa pezullimin e tarifës. Një prononcim i ngjashëm për Kosovën erdhi dje gjithashtu nga sekretari i përgjithshëm i aleancës perëndimore të sigurisë NATO, Jens Stoltenberg, i cili tha në një konferencë për media në Bruksel, tha se NATO është e zhgënjyer për taksën e Kosovës ndaj Serbisë dhe shtoi se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të hyjë në veriut etnik serb pa lejen e misionit ndërkombëtar të sigurisë KFOR.“Disa aleatë në NATO janë të zhgënjyer me vendimin e taksës. Ne gjithashtu kërkojmë respektimin e Marrëveshjes së Brukselit, dhe është e qartë se forcat e sigurisë vendore nuk mund të hyjnë në veri pa lejen e komandantit të KFOR-it”, ka thënë Stoltenberg.

Haradinaj i izoluar

Ashpërsimi i retorikës ndërkombëtare për çështjen me siguri që ka ndikuar në vendosmërinë e kryeministrit Haradinaj, edhe pse për momentin ai nuk duket se dëshiron të tërhiqet publikisht. “Është përsëritur edhe sot në takimin me ambasadorin Philip Kosnett edhe në çdo takim”, tha dje Haradinaj në konferencën e rregullt për media pas mbledhjes së Qeverisë. “Kemi biseduar edhe për tema të tjera bilaterale që i ka Kosova me Amerikën, në temat tjera kemi biseduar edhe rreth vizitës së disa senatorëve e kongresistëve që pritet të vijnë në Kosovë”, theksoi Haradinaj, por shtoi se mbetet i vendosur që të mos kushtëzohet vazhdimi i dialogut me pezullimin apo heqjen e taksës ndaj Serbisë. “Qëndrimi ynë është i qartë, edhe unë dua ta heq taksën, jo vetëm ta pezulloj, por kjo është e lidhur me njohjen nga Serbia, dhe sugjerimi im është që dy temat të mos ndërlidhen. Dialogu ka filluar para taksës, asnjëherë nuk është kushtëzuar e të mos kushtëzohet as tash”, tha Haradinaj. Më tej ai shtoi se dialogu mund të vazhdojë njëkohësisht me taksën në fuqi. “Sikurse presidenti Trump apo ndonjë autoritet i lartë i thërret dy delegacionet e vendeve për një marrëveshje, ne nuk e pengojmë. I lusim që të punojmë për marrëveshje, mos ta humbin kohën. Por, nuk hiqet taksa pa marrëveshje. Është gabim të jepen premtime të gabuara nga kushdo qoftë, Serbisë apo kujtdo”, tha Haradinaj.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here