Taksë e re për karburantet, zbardhet plani i qeverisë për krijimin dhe menaxhimin e rezervës së sigurisë, ja projektligji

0
518

Shqipëria do të ketë atë që njihet si rezerva e sigurisë së naftës dhe nënprodukteve të saj e cila do të menaxhohet nga një Agjenci dhe jo nga industria sikurse është sot. Një projektligj i nxjerrë për konsultim me grupet e interesit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synon pikërisht krijimin e kësaj rezerve që deri më sot nuk ka qenë asnjëherë e plotësuar dhe që është bërë shpesh kritikë në raportet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë. Por duket se bashkë me këtë nismë vjen edhe një tarifë shtesë që do të vendoset tek karburantet. Në nenin 17 të projektligjit, përmenden metodat e financimit për agjencinë e dedikuar. Financimi i kësaj agjencie do të arrihet nëpërmjet fondeve të dedikuara për mbulimin e shpenzimeve për krijimin, ruajtjen, mirëmbajtjen, inspektimin e rezervave të sigurisë, si dhe për aktivitetet e tjera të rregullta të agjencisë, të cilat do të sigurohen nga tarifat e krijimit dhe mbajtjes se rezervës se sigurisë që aplikohen mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure që shiten në Republikën e Shqipërisë; Kredi të mundshme të marra në përputhje me legjislacionin në fuqi; Të ardhurat nga shitja e rezervave; Të ardhurat nga shitja e shërbimeve; Burime të tjera. Sa i përket tarifave të krijimit dhe mbajtjes se rezervës se sigurisë që aplikohen mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure që shiten në Shqipëri, pr/ligji përcakton në të njëjtin nen se ato do të vendosen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit. “Shuma e tarifave mbi produktet energjetike hidrokarbure në lekë / litër ose leke / kg për çdo kategori të produkteve energjetike hidrokarbure(ose e përbashkët për të gjitha kategoritë) sipas nenit 5, përcaktohet në bazë të nevojave të financimit për vitin fiskal përkatës për aktivitetin e Agjencisë”, thuhet në nenin 17 të pr/ligjit për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj. Taksa e re konfirmohet edhe në relacionin që shoqëron projektligjin. “Me qëllim financimin e krijimit, mbajtjes dhe menaxhimit të rezervave të sigurisë së naftës dhe nënprodukteve te saj, është parashikuar dhe vendosja e një tarife për këtë qëllim. Kjo tarifë do të jetë pjesë e çmimit të karburanteve, e cila do të paguhet nga shoqëritë e tregtimit me shumicë”, thuhet në relacion.

Qëllimi i ligjit

Relacioni nënvizon se qëllimi i ligjit është sigurimi i sasisë së produkteve energjetike hidrokarbure, të cilat janë në dispozicion ose nën kontrollin e Këshillit te Ministrave dhe të cilat janë krijuar për të siguruar një nivel të lartë të sigurisë së furnizimit në vend, për të ruajtur sigurinë kombëtare, për të kryer detyrimet, të pranuara sipas marrëveshjeve ndërkombëtare dhe për të garantuar jetesë normale për popullin. Me ligjin aktual, detyrimin për rezervën e sigurisë e kanë rafineritë dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë. Kjo rezervë duhet të jetë e barabartë me të paktën 90 ditë mesatare shitjeje. Referuar urdhrit të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin 2018 mbajtja e rezervës së sigurisë duhet të ishte 11.9 mijë ton naftë, 20.7 mijë ton benzinë automjetesh, 150 mijë tonë gazoil, 514 tonë solar , 31.7 mijë tonë gaz i lëngëzuar i naftës, 7 tonë benzinë mjetesh fluturimi ajror, 2.5 mijë tonë lëndë djegëse për mjetet e fluturimit ajror. Në total 218.3 mijë tonë.

Krijimi i agjensisë

Projektligji i ri sanksionon se mbajtja e rezervës së sigurisë do të bëhet nga një agjenci shtetërore përmes një procesi që do të përfshijë disa vite. “Arritja e këtij objektivi do të realizohet në mënyrë të përshkallëzuar deri në fund të vitit 2022, në mënyrë të tillë që edhe efektet ekonomike që shkakton ky zëvendësim të jenë të pranueshme. Për këtë qëllim, është parashikuar hartimi i një Plani Veprimi, i cili do të detajojë mbajtjen e rezervës së sigurisë deri në fund të vitit 2022, ku industria do mbajë 30 ditë mesatare shitje, ndërsa Agjencia do të ndërtojë në mënyrë graduale pjesën e saj të rezervave. Në këtë mënyrë, do të realizohet një kontroll i plotë mbi rezervën e sigurisë së naftës dhe nënprodukteve të saj, si një aspekt shumë strategjik i shtetit shqiptar”, thuhet në relacion. Deri më 31 dhjetor 2022, operatorët duhet të mbajnë rezervë sigurie të barabartë me 30 ditë mesatare shitje në tregun e brendshëm, të veprimtarisë së një viti të mëparshëm. Një përparësi tjetër e këtij projektligji është që parashikon mbajtjen e rezervës së sigurisë për naftën bruto deri në masën 50% të sasisë së rezervës, duke mundësuar kështu jo vetëm mbajtjen e një produkti strategjik qe mund të furnizojë rafineritë vendase në kohë mungesash, por dhe uljen e tarifës së rezervës, për shkak të çmimit të ulët në krahasim me nënproduktet e rafinuara. Gjithashtu, problematika lidhur me identifikimin dhe adoptimin e akteve nënligjore, të cilat janë parashikuar të hartohen në zbatim të këtij projektligji, mbetet një nga pikat më te rëndësishme në kuadër të angazhimeve që ka vendi ynë në dokumentin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë si anëtare e këtij organizmi ndërkombëtar. Ndër efektet e pritshme është krijimi, mbajtja dhe menaxhimin e rezervave të sigurisë së naftës dhe nënprodukteve te saj në përputhje me praktikat më të mira europiane, si dhe përdorimi i këtyre rezervave në rast të reduktimit të papritur deri në mungesë të furnizimit të tregut me nënprodukte të naftës bruto.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here