Zbardhen procedurat, ja si do të veprohet me studentët që aplikojnë në Akademinë e Sigurisë, bie plani i Lleshajt për të futur ushtarakët

0
351

Përfaqësuesit e Akademisë së Sigurisë kanë zbardhur dje procedurat se si do të veprohet me studentët që duan të bëhen pjesë e policisë. Kreu i akademisë Bilbil Mema zhvilloi një seancë dëgjimore dje në Komisionin e Sigurisë, ku u dha përgjigje të gjitha pyetjeve të deputetëve. Në fjalën e tij, kreu i akademisë u shpreh se në bazë të ligjit të ri që është ndryshuar, Policia e Shtetit do të ketë program studimi më vete, e cila do të jetë e ndarë në nivelin Bachelor dhe Master. Ai tha se Akademia e Sigurisë do të ketë 60 programe të veçanta të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Brendshme. “Akademia e sigurisë është rihapur në vitin 2015, mbas një periudhe të gjatë të mbylljes së saj në nivelet e arsimit të lartë. Akademia ka 60 programe të miratuara me kurrikula të veçantë . Në programin Bachelor jepet diplomë për siguri dhe hetim trevjeçar, sipas sistemit të Bolonjës, në programin Master Profesional jepet diplomë për “siguri publike” dhe për programin “Master për hetimin “ jepet titulli “ Hetues” në Policinë e Shtetit. Po punojmë në bazë të ligjit të ri të ndryshuar, për Policinë e Shtetit që Policia e Shtetit të ketë program më vete, ashtu sikurse edhe Policia Kufitare”, u shpreh Mema. Kreu i Akademisë së Sigurisë deklaroi se për studentët ekselentë do të zhvillohen edhe kurse 6 mujore për gradën Oficer, ku studentët e akademisë do të mësojnë teknikat bazë të policisë, të cilat kanë të bëjnë me mbajtjen dhe përdorimin e armës por edhe teknikat e arrestimit. “Në datën 15 shkurt do të mbyllen aplikimet dhe Komisioni i ngritur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, i përbërë nga pedagogë të Akademisë do të përzgjedhë kandidatet fitues. Në 1 Mars mendojmë të fillojmë kursin për gradën “Oficer” të këtyre studentëve të ekselencës. Ky kurs, do të zgjasë 6 muaj, dhe në shtator këta 150 kursantë do të jenë në dispozicion të strukturave të policisë së shtetit. Interesi ynë është që të përgatisim oficerë- hetues të policisë, por këta kursantë do të mësojnë dhe teknikat bazë të policisë, siç janë mbajtja dhe përdorimi i armës dhe teknikat e arrestimit”, tha ai.

Bashkëpunim me Hungarinë

Mema u shpreh se kanë krijuar një bashkëpunim të fortë me Akademinë e Hungarisë, duke shtuar se do bashkëpunojnë edhe me vendet e tjera të Bashkimit Europian. Kreu i akademisë deklaroi se është rritur performanca e punonjësve të uniformave blu, duke synuar edhe për rritjen e cilësisë së programeve dhe të mësimdhënies. “Kemi bërë të mundur që pedagogë të akademive të vendeve të BE të japin mësim në akademinë tonë. Përveç kësaj kemi bërë marrëveshje bashkëpunimi me shumë nga akademitë e vendeve të BE por edhe me vendet e rajonit. Akademia e Austrisë , Estonisë dhe të shumë vendeve të rajonit, se po krijojmë lidhje për të shkëmbyer eksperiencë por bashkëpunimin më të ngushtë e kemi me akademinë e Hungarisë, e cila është dhe një akademi tutorë për ne. Deri tani mendojmë që kemi ndikuar në rritjen e performancës të punonjësve të policisë dhe po kërkojmë që të rritim cilësinë e programeve dhe të mësimdhënies po kështu edhe të specializimeve të veçanta”, tha Mema.

Dështon plani i Lleshaj për ushtarakët në akademi

Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Sigurisë, Bilbil Mema ka hedhur poshtë planin e Sandër Lleshaj për pranimin e ushtarakëve në Akademinë e Sigurisë. Ai tha se nuk do të ketë asnjë kandidat nga radhët e Forcave të Armatosura, pasi kërkesat janë për profilet e jurisprudencës, shkencave kompjuterike dhe ekonomik. Mema u shpreh se nëse ka ndonjë ushtarak që i plotëson këto 3 profile të kërkuara, mund të ketë edhe ndonjë ndryshim për pranimin e ushtarakëve pranë Akademisë së Sigurisë. “Jo nuk ka ushtarak për arsye se i kemi kërkuar me profil ekonomik, shkenca kompjuterike dhe jurisprudencë, pasi fjala është për këto 3 profile dhe jo për ushtarak. Nëse ka ndonjë prej tyre që i plotëson këto kritere, ndoshta mund të bëhet ndonjë ndryshim, por deri tani nuk bëhet fjala për ushtarak”, tha Mema. 

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here