CIA tregon detajet, ja 3 skenarët që do përdoreshin për rrëzimin e Hoxhës, nga përçarjet brenda PPSH, te misionet e zbulimit

0
374

 CIA ka treguar detaje nga misionet e saj në Shqipëri. Në një dokument të deklasifikuar për vitin 1949, thuhet e CIA planifikonte 3 metoda për t’i dhënë fund komunizmit. Bëhet fjalë për nxitjen e përçarjeve brenda PPSH, bashkimin e shqiptarëve të diasporës dhe futjen e spiunëve. Por dihet që në fund CIA dështoi me largimin e Hoxhës.

29 nëntor 1949

Koncepti origjinal i operacionit të OPC për Shqipërinë bazohet në politikat e përgjithshme të SHBA. Objektivi kryesor është rivendosja e pavarësisë në Shqipëri me anë të përmbysjes së regjimit të kontrolluar nga Moska dhe zëvendësimit me një qeveri të pranueshme nga populli shqiptar. Një qeveri e tillë do të kishte mbështetjen e SHBA për sa kohë mbetet miqësore ndaj saj dhe armiqësore ndaj BRSS. Kjo supozonte se ekzistonte mundësia e arritjes së objektivave në Shqipëri, duke parë pozicionin e saj të izoluar gjeografik dhe prishjen e kohëve të fundit mes Titos dhe bllokut sovjetik. Prandaj në maj 1949 u aktivizua projekti i OPC për rritjen e tensioneve të brendshme dhe rrjedhimisht përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Projekti kishte tre faza kryesore: E para ishte formimi i komitetit shqiptar të refugjatëve për të shërbyer si front dhe si pikë bashkimi për aktivitetet e ardhshme; faza e dytë ishin misionet e zbulimit dhe të propagandës, ndërsa e treta ishte përmbysja e regjimit, pas kompletimit të suksesshëm të dy fazave të para. Shërbimet britanike të cilat kanë kryer aktivitete të kufizuara në Shqipëri, kanë kontaktuar me ne duke sugjeruar një operacion të përbashkët. Pas diskutimeve me agjentët britanikë ne pranuam veprimin e përbashkët sipas linjave të planit amerikan me modifikimet përkatëse. Më tej u vendos që operacionet të drejtohen nga komiteti i përbashkët i politikave Britani-SHBA që ndodhet në Uashington. Komanda në terren do të ishte e përbashkët. Britanikët sinjalizuan se problemi i sigurisë nuk i shqetësonte por OPC theksoi rëndësinë e masave të sigurisë, edhe pse nuk mund të ndalohet që shërbime të tjera të inteligjencës të mësojnë për aktivitetet. Kjo është mësuar prej fillimit dhe shqetësimi kryesor i OPC ka qenë parandalimi që sovjetikët të marrin prova të operacioneve që mund të përdoren më vonë në mbështetje të akuzave në trupat ndërkombëtarë. Faza e parë e operacioneve është kompletuar dhe kishte si objektiv formimin e trupit shqiptar të emigracionit i njohur si Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë. Kjo u krye në gusht 1949 në Paris. Pas vdekjes së kryetarit të tij të parë Mithat Frashri, komiteti nuk ka arritur të bjerë dakord për drejtuesin e ri prej mosmarrëveshjeve të brendshme. Tashmë duket e mundshme emërimi i një kryetari ballist, që është e pranueshme dhe për SHBA. Faza e dytë përfshin dy aspekte, misionet e infiltrimit e zbulimit nga shqiptarë të stërvitur enkas, si dhe ato të propagandës. Fillimisht ishte planifikuar që 80 shqiptarë do të infiltrohen me qëllim përcaktimin e qendrave të mundshme të rezistencës, si dhe forcën, besnikërinë dhe qëndrueshmërinë e forcave qeveritare. Britanikët arritën të fusnin tridhjetë njerëz në grupe nga pesë në pjesën jugore të Shqipërisë nga baza e tyre në Maltë. Pesëmbëdhjetë prej tyre rrjedhimisht u larguan drejt Greqisë. Një nga grupet vazhdon të dërgoje mesazhe radio, ndërsa pjesa tjetër nuk ka kontakte dhe supozohen të vdekur ose të humbur. Për të realizuar një mision të tillë në pjesën veriore të Shqipërisë, kemi vendosur që rreth 50 agjentë të stërvitur nga SHBA të rekrutohen dhe të dërgohen në Shqipëri. Prej paaftësisë së anëtarëve jo-Ballistë të Komitetit për rekrutimin e agjentëve, detyroi shtyrjen e operacioneve të zbulimit nga Malta. Britanikët kanë thënë se agjentët duhet të stërviten dhe të dërgohen brenda dhjetorit pasi baza sekrete do të mbyllet, sipas planit të justifikimit të saj me vendasit. Plani i përbashkët i propagandës parashikonte një fushatë të intensifikuar propagande njëkohësisht me infiltrimet, me anë të teknikave të transmetimeve radio nga një mjet detar në Adriatik dhe lëshimin e fletushkave të propagandës nga ajri. Por prej vështirësive në prokurimin e anijes së transmetimit dhe pajisjet kjo e fundit nuk ka nisur ende. Duke pasur parasysh se pas dhjetorit nuk do të kishim bazë stërvitjeje, u mor vendimi i përbashkët për pezullimin e operacioneve të infiltrimit deri në marrjen e një baze stërvitjeje. Për këto arsye nuk ka nisur faza e tretë e operacionit.

Siguria

Mungesa e ndërgjegjësimit për sigurinë nga ana e shqiptarëve me të cilët po punojnë britanikët dhe amerikanët, e ka bërë të pamundur ruajtjen e sekretit të operacionit. Tashmë për të dhe qëllimet e tij dinë shërbimet franceze, greke e italiane. Gjithashtu shërbimet greke kanë marrë në pyetje 15 agjentët që kaluan kufirin nga Shqipëria dhe supozohet se për operacionet janë në dijeni dhe sovjetikët, jugosllavët, e shqiptarët. Por megjithë transparencën e operacionit, nuk ka prova për të treguar se BRSS ka prova konkluzive për qëllimet e veprimeve. Një nga çështjet e diskutimeve mbi problemet e operacioneve në Shqipëri është avantazhi i mundshëm për SHBA nga rrëzimi i regjimit të Hoxhës, në krahasim me disavantazhet. BRSS mund të dërgojë trupa sovjetike ose të vendeve satelite për të mbrojtur regjimin e saj në vend, mundësisht me kërkesën e shqiptarëve, çka do të forconte pozitën sovjetike në Mesdhe. BRSS mund të akuzojë SHBA dhe Britaninë si agresorë para Kombeve të Bashkuara. Fuqitë miqësore ndaj SHBA si Italia e Greqia mund të ndërhyjnë në mënyrë unilaterale në Shqipëri, ndërsa Jugosllavia mund të shfrytëzojë situatën me veprime armiqësore për aneksime territori. Ndër zhvillimet që konsiderohen si avantazhe për SHBA janë reduktimi i pushtetit sovjetik te vendet satelite (objektivi i përgjithshëm i Departamentit të Shtetit për Evropën Lindore). Rrëzimi i pushtetit të Hoxhës do të forconte pozitat e Titos duke eliminuar rrezikun në anën perëndimore, dhe redukton gjithashtu mundësinë e BRSS për të rihapur luftën civile greke. Zhvillimi i sinjalizon të gjithë anti-komunistëve në vendet satelite se ka shpresë për çlirimin përfundimtar.

Faza e zbulimit

Është tashmë e qartë për ne dhe britanikët se regjimi i Hoxhës nuk mund të përmbyset në të ardhmen e afërt pa përpjekje dhe ndihma të konsiderueshme nga jashtë në formë armësh, furnizimesh, udhëheqjeje dhe propagande. Populli shqiptar me shumë gjasa nuk do të kryejë rezistencë të vazhdueshme për çlirimin e tyre pa këtë ndihmë nga jashtë, prandaj nevojiten përkushtime më të mëdha nga SHBA nga sa është parashikuar në programin e qershorit 1949. Grupet e zbulimi të kontrolluara nga britanikët që janë infiltruar në vend kohët e fundit kanë qenë të cilësisë së ulët veçanërisht për nga udhëheqja, dhe nuk kanë pasur sukses në mbledhjen e inteligjencës. Është e qartë se grupet shqiptare të sigurisë kanë ashpërsuar masat e patrullimit. Prandaj duhet të ndryshohen metodat dhe objektivat e operacioneve me përmirësimin e cilësisë së agjentëve dhe udhëheqjes së tyre, në mënyrë që ata të funksionojnë si grupe guerile që të çajnë me armë rrugën e tyre në situata të vështira. Bandat e guerilasve zakonisht kanë misionin e dyfishtë të organizimit të bërthamave të rezistencës dhe të krijimit të rrjeteve të inteligjencës. Bërthamat e rezistencës do të ndihmojnë në mbijetesën e grupeve dhe ngritjen e bazës së aparatit të kryengritjes. Për ngritjen e pikave të rezistencës do të bëhen lëshime armësh e municionesh për shpërndarje në qendrat e rezistencës. Pa prova të sigurta të seriozitetit të këtyre grupeve, elementët vendas të pavendosur nuk do të mbështesin apo të marrin pjesë në aparatin e nëndheshëm të krijuar. Plani aktual për Shqipërinë parashikon një rivlerësim pas përpjekjeve të zbulimit, në bazë të të cilave do të merret vendimi për zbatimin e aspekteve të mëvonshme të planit. Si një alternativë ndaj programit të diskutuar më sipër, është dhe programi më i gjatë i tipit jo-para-militar, relativisht i ngadaltë, i krijimit të linjave të korrierëve dhe qendrave të rezistencës. Ky është një program që kërkon maturim dhe arrin vetëm objektiva të caktuar, por jo revoltë në afate të shkurtra dhe gjithashtu nuk i përshtatet kushteve të Shqipërisë.

Bazat operacionale

Një bazë e pranueshme për stërvitjen e një maksimumi prej 250 shqiptarësh duhet siguruar, dhe nëse kjo bazë nuk është brenda largësisë operacionale të objektivit, një tjetër bazë pranë objektivit duhet siguruar. Kjo nuk duhet të jetë shumë problem pasi do na duhet për periudha vetëm 72-orëshe para operacioneve të infiltrimit. Britanikët kanë përjashtuar mundësinë e përdorimit të bazës së Maltës pas dhjetorit, dhe gjithashtu kanë refuzuar përdorimin e Cirenaica pasi është nën mbikëqyrje të rreptë të komisionit të OKB mbi aktivitetet në ish-kolonitë italiane. Për arsye politike nuk mund të përdorim baza në Itali, Greqi e Turqi, por McLoy ka sinjalizuar një mundësi vendndodhjeje është në Gjermani, që shihet me interes nga DASH. Në zonën amerikane në Gjermani mund të marrim lejen 72-orëshe të përdorimit të bazës për operacionet tona. Në rast të dështimit të marrjes së lejes ose nëse Gjermania konsiderohet e papërshtatshme, mundësia e vetme është bashkëpunimi me shërbimet franceze në Afrikën e Veriut. Por për momentin Departamenti i Shtetit beson se BRSS nuk do të nisë veprim ushtarak për vende që nuk janë zyrtarisht satelitë të tij, dhe nuk dëshiron veprime që përshpejtojnë konfliktin me perëndimin. Bazuar në këto vlerësime dhe duke marrë parasysh pozicionin e izoluar të Shqipërisë, po bëjmë më poshtë një vlerësim të reagimeve të mundshme të Bashkimit Sovjetik në rast të përmbysjes së regjimit në Shqipëri. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here