Rozi Kostani: Teatrot kanë mbyllur dyert, duhet të kesh mik drejtorin për të vënë një vepër në skenë…

0
631

Artistët shprehen se për artin në vend nuk duan t’ia dinë institucionet që kanë buxhetet dhe sot gjendja lë për të dëshiruar. Në teatro mungojnë dhe kushtet e punës, por për artistët sot arti duket se po mbijeton më shumë në forma individuale pa vëmendje nga Ministria e Kulturës. Regjisore dhe aktore Rozi Kostani shprehet se prej vitesh artistët përballen me shumë probleme me aktivitetin artistik. Në intervistën për “SOT” aktorja shprehet se nga Ministria e Kulturës buxheti që jepet për një projekt teatri është skandaloz. Me probleme për aktoren janë dhe kërkesat që kanë artistët për realizimin e projekteve. Sipas aktores sot është shumë e vështirë të jesh brenda teatrit me një projekt. Sipas saj kjo që ndodh është e papranueshme, dhe në këto kushte artistët përballen me një realitet të trishtë për artin. Në jetën artistike regjisore dhe aktore Rozi Kostani ka spikatur me punën e saj në teatër, por dhe në kinema. Më shumë aktive këto kohë pranë teatrit ajo tregon për shfaqjen e fundit në skenë, por dhe projektin e ri.

-Këtë vit ju keni mbyllur në skenë shfaqjen teatrore “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve”. Ishte personazhi i doktor Ëatson që erdhi me interpretimin tuaj. Sa e vështirë ka qenë për ju?

Unë këtë vit e kam mbyllur shfaqjen teatrore “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve” nga Ken Ludvig me regji nga Shkëlqen Berisha. Një angazhim që nisi vitin e kaluar, por që u mbyll para dy javësh. Një eksperiencë shumë e bukur, një dinamikë e bukur, një kulturë angleze e dedektivit. Një shije në punë e jashtëzakonshme me regjisorin Shkëlzen Berisha dhe me grupin. Një shfaqje e lodhshme, sepse unë kisha dhe personazhin e doktor Watson dhe isha non stop në skenë. Kisha këtë herë personazhin e një mashkulli, por ishte e vështirë ajo shfaqje. Një rol kompleks dhe sa i takon vështirësisë, sepse unë jam femër dhe duhet të bëja rolin e një mashkulli. Nuk është hera e parë, por e pesta dhe ia kam marrë pak dorën transformimit. Vështirësia ishte sepse unë isha gjatë gjithë kohës në skenë dhe ishte narratori i shfaqjes, peshën e kishte më të madhe në skenë, sepse isha duke vrapuar rreth e qark skenës. Por dinamika dhe energjia që kishim, ngjarjet e vogla dhe faktet ishin të shpejta ashtu siç është dhe turiri i Sherlok Holms, që nuk është një tru i zakonshëm, por i jashtëzakonshëm dhe procedon shumë shpejt. Dhe doktor Watson përpiqet që ti kapë këto reagimet e tij dhe këto perceptimet e tij mbi fenomenet dhe mbi ngjarjen konkrete, si dhe zbulimin e saj. Pra deshifrimi i hartës së Sherlok Holms për ngjarjen e Langoit të Barskervillëve për ta deshifruar atë. Është një figurë shumë interesante, sepse pjesa duket si një pjesë pazëll i figurës së Sherlokut dhe nuk mund të kuptojmë as Sherlokun pa doktor Watson, ashtu siç është dhe dr. Watson për Sherlokun. Është një miqësi madje disa të tjerë e kanë trajtuar dhe si një marrëdhënie homoseksuale, por ne në shfaqje se kemi trajtuar ashtu.

-Po me projektet e reja si po vijon?

Së shpejti unë do të vijoj punën me një monodramë për Maria Kallas. Në fakt është një projekt privat, sepse nuk ka lidhje me institucionet, pasi nuk po mbështetemi. Unë do jem aktore dhe regjisor Enke Fejzullahu, regjisor shqiptar që ka studiuar në Greqi dhe më ka joshur shumë më ketë vepër. Por për mua është një sfidë shumë e madhe.

-Pse?

Tekstin e ka shkruar një aktore greke dhe po përkthehet. Në prill fillojnë provat dhe diku nga muaji maj do të kemi shfaqjen. E shikoj si sfidë sepse gjithmonë rolet biografike janë sfida të mëdha, këtë e kam provuar më Nënë Terezën në vitin 2008. Rolet biografike kanë nevojë për një punë vetëmohuese.

-Për këtë vepër keni trokuar në dyert e ndonjë institucioni?

Institucionet tani tek ne janë bërë si për marrëdhënie personale, pra më pëlqen mua Rozi apo nuk më pëlqen si fytyrë. Institucionet e teatrit kanë filluar të kenë një vetëmbyllje dhe të bëhen shumë të grupuara.

-Çfarë keni parasysh kur thoni kanë një vetëmbyllje?

Janë grupe njerëzish që funksionojnë me pëlqime personale. Kanë filluar të bëhen të grupuar. Kjo është e dhimbshme. Pra tek ne nuk funksionon sistemi i vlerave, që në çastin që ky sistem nuk funksion do të thotë që ndodh kjo që thashë. Duke qenë se nuk ka askush që ta vlerësojë se çfarë vlere ka një vepër që vihet në teatër, nuk ka më sistem. Çdo gjë është e kryer me pëlqime personale dhe miqësira. Duhet të jesh mik me drejtorin për të vënë vepër, por s’ka pse të jetë kështu. Madje bordi, sepse ka bord teatri. Projekti hidhet në kosh të plehrave dhe nuk ka më vlerë. Ka vlerë vetëm po ti bëjmë fresk dikujt, pra me miqësira. Realiteti për artin është i trishtë, sepse ka filluar dhe një gjueti shtrigash mes njëri- tjetrit.

-Çfarë po ndodh sipas jush?

Ka filluar që xhelozia bëhet ekstreme kur dikush merr një projekt dhe thotë pse e mori ai. Është një situatë e trishtë që i ka zvogëluar sa vetëm artistë nuk mund t’i quaj. Pastaj kur ky profesion bëhet për ekzistencë për nevoja ekzistenciale për të ngrënë bukë, atëherë ne jemi në grahmat e fundit. Që kur vihet në pikëpyetje buka është për të ardhur keq. Mua më vjen keq për të gjitha ata kolegët e mi që ngrenë zërin nëpër portale dhe në Facebook dhe bëhen të vegjël dhe merren me njëri -tjetrin, në vend që të merren me fenomenin.

-Ministria e Kulturës sapo ka shpallur projektet. Ka akuza nga artistët për financimet, çfarë mendoni?

Te Ministria e Kulturës unë nuk kam konkurruar me projekt, sepse aty marrin financim të njëjtët persona. Është e pavlerë. Përveçse tjetër që buxheti është skandaloz. E prova para dy vitesh që ishte e stërmundimshme. Mua si individ me projekt më dhanë 4 milionë lekë të vjetra minus 15 përqind dhe që ti nuk mundesh dot të bësh asgjë.

-Por Ministria e Kulturës i bën jehonë jo pak projekteve?

Është një gënjeshtër e madhe. Dy vende janë për financime për të marrë ndihmë financiare, bashkia dhe ministria nuk kemi vend tjetër, sepse bizneset nuk afrohen. Bizneset nuk afrohen afër teatrit. Ato japin para për filma, spektakle në televizione. Por për teatrin nuk do t’ia dijë njeri. Teatri në vend është në grahmat e fundit. Mbase kanë për të na vlerësuar brezat e ardhshëm që ne e mbajtëm gjallë dhe kur ishte dhe në grahmat e fundit. Tek ne nuk merret vesh sepse të gjithë lavdërojnë shfaqjet veta, kam dëgjuar që shfaqja ime është më e mira në 10 vjeçarin e fundit. Por në Shqipëri nuk më çudit më asgjë, sepse është çudia vetë. Shqipëria është instilacioni më i bukur që e shquajnë të huajt. Ka një konglomerat ngjarjesh të çuditshme dhe ne në çdo sekondë të jetës sonë jemi vetëm me ngjarje, ndaj jemi popull i traumatizuar.

-Çfarë pret nga ministrja re e Kulturës për teatrin?

Nuk pres asgjë sepse në një takim që pati me pedagogët e Akademisë së Arteve, që në fakt nuk kishte pse të vinte por erdhi sepse ne prisnim ministren e arsimit, megjithatë ne prodhojmë artistë si akademi. Por në atë takim që erdhi zonja ministre e re e Kulturës fakti ishte që ajo nuk do të ndryshojë asgjë.

-Pse ky mendim?

Po sepse ne e pyetëm dhe çfarë e re do të ndodhë me artin dhe kulturën, sepse secili ka një këndvështrim mbi pozicionin që merr dhe ku do ta çojë. Por ajo na la të kuptonte, që do të çonte më tej atë që la Kumbaro. Që në këtë moment çdo gjë bie në gjumë sërish ose është po atje ku ishte. Nuk ka asnjë ndryshim, vetëm se është pak më e re se Mirela.

-Kur ju pohoni se nuk vlerësohet artisti, çfarë po ndodh?

Politika në vend nuk ka interes për artin dhe artistin. Problem tjetër është se tek ne nuk ka sistem vlerash. Sistemi i vlerave u shkatërrua ndër vite, sepse ra interesi për artin dhe teatrin, në tollovitje që ishte në fillim. Ujku mjergull do thotë populli dhe në këto situata të paaftit gjejnë forma dhe metoda për tu ngritur në krye dhe t’u bërë grup. Është bërë barrikadë e madhe dhe secili thotë shfaqja e vet është më e mira, sepse nuk ka sistem vlerash. Ne jemi në një tollovitje të madhe. Arti është në një tollovitje të madhe, sepse quhet si hallka e fundit. Thonë se dhe populli ka nevoja të tjera, por ama arti është ushqim shpirtëror dhe e ndihmon popullin. Ne nuk po e shikojmë që po i bëjmë keq, sepse sot po ia dalim, por më shqetëson e ardhmja.

-Ju keni vërejtje dhe për Festivali Mbarëkombëtar të Teatrit. Pse?

U bë Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, por si u përjashtokemi ne që jemi artistë të lirë? Pse kjo ndarje. Festivali u bë nga Teatri Kombëtar dhe Ministria e Kulturës e mbështeti, por pse i lanë jashtë artistët e lirë me shfaqjet e tyre?

-Artistët janë shprehur se kanë dhjetë vjet që kërkojnë statusin. Sa është problem sipas jush?

 Statusi i artistëve mungon, statusi i Akademisë së Arteve mungon. Ne kemi shumë probleme. Jemi pa mbrojtje, sepse nuk kemi status artisti. Duke mos pasur status konsiderohesh njëlloj si çdo profesion tjetër, por ne kemi një profesion specifik. Ka shumë vite që flitet për statusin dhe nuk bëhet nga Ministria e Kulturës.

-Sa problem janë kushtet e punës për artistët?

Janë kushte mjerane. Gjithmonë kemi qenë me vuajtje. Vuajtje të punosh në dimër sepse ngrohja mungon, thajmë ftohti kur fillojmë provat në gjendje të mjerueshme. E kam thënë dhe më parë profesioni jonë në këto kushte është dashuri në kohën e kolerës. Nuk e di se si janë kushtet në “arTurbina”. Dhe nuk kam se si ta provoj, sepse nuk jam në preferencat e “arTurbinës”.

-Me këto probleme ku po shko arti dhe kultura në vend?

Unë ka frikë se arti po bën hapa mbrapa. Kam frikë për të ardhmen. Në mënyrë individuale ne po mbijetojmë. Arti po mbijeton në forma individuale, por ama e ardhmja është e dyshimtë.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here