Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ka miratuar në mbledhjen e djeshme projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Palëve të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Europën Juglindore, për shkëmbimin e automatizuar të të dhënave të ADN-së, daktiloskopike dhe të të dhënave të regjistrimit të automjeteve dhe marrëveshjes së saj zbatuese”. I pranishëm në Komision ishte zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili gjatë prezantimit të projektligjit të iniciuar dhe hartuar nga Ministria e Brendshme u shpreh se nënshkrimi i marrëveshjes do të forcojë bashkëpunimin policor ndërkufitar në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimit kufitar dhe emigracionit të paligjshëm.
“Kjo bëhet e gjitha në funksion të një lufte më efikase kundër krimit të organizuar dhe krimit ndërkufitar, hetimit të krimit, parandalimit dhe vënies para përgjegjësisë së autorëve të tyre, pavarësisht nëse janë shtetas shqiptarë që kanë kryer krime këtu dhe jashtë vendit apo anasjelltas, e më tej edhe nëse këta shtetas kanë ndërruar identitetet, të dhënat biometrike nuk mund të ndryshohen, janë të ruajtura në bazën e të dhënave të këtyre vendeve nënshkruese e rrjedhimisht Shqipërisë i krijohet mundësia për të pasur një bazë më të gjerë të dhënash për hetimin dhe zbulimin e autorëve. Ky projektligj dhe zbatimi i Kuadrit të Prum do të mundësojë që Shqipëria të avancojë dukshëm në zbatimin e Kapitullit 24 ‘Drejtësia, Liria dhe Siguria’”, deklaroi zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Marrëveshja, e cila është nënshkruar në Vjenë më 13 shtator 2018, përmban rregullat për shkëmbimin e automatizuar të të dhënave të ADN-së, të dhënave daktiloskopike, si dhe të dhënave të regjistrimit të automjeteve. Me anën e shkëmbimit automatik të të dhënave të ADN-së dhe daktiloskopike Shqipërisë i krijohet mundësia që të shfrytëzojë 10 bazat e të dhënave të shteteve të tjera që do të bëhen palë të marrëveshjes, duke i dhënë akses që të kontrollojë profilet e ADN-së, shenjat daktiloskopike dhe të dhënat e regjistrimit të automjeteve, si të shtetasve shqiptar ashtu dhe profilet e ADN-së të ngjarjeve kriminale të ndodhura në Shqipëri me qëllim identifikimin on-line të personave që janë përfshirë në këtë aktivitet kriminal apo kanë ndryshuar të dhënat e tyre identifikuese, emër, mbiemër, etj.