CIA zbardh detajet: Ja si Partia Komuniste mbante të izoluar shqiptarët përmes propagandës dhe si justifikoheshin nga regjimi fushatat vullnetare

0
398

CIA ka hedhur dritë mbi makinerinë e propagandës që përdorte sistemi komunist për të mbajtur të izoluar qytetarët. Në një dokument të deklasifikuar tregohet se si përmes saj qytetarëve u bëhej në një farë mënyre lavazh truri. Po ashtu jepen detaje dhe mbi fushat vullnetare.

Situata politike

Influencat kryesore të politikës së brendshme e të jashtme të Shqipërisë është masa e saj e vogël, ekonomia e pazhvilluar dhe izolimi i thellë, të cilat bëjnë që vendi të mbajë gjithmonë një pozitë defensive dhe rrjedhimisht të qeveriset nga regjime diktatoriale. Deri kohët e fundit politika e jashtme e regjimit ka qenë mbi lidhjet e ngushta me vendet padronë si Jugosllavia, BRSS e Kina, por prej vitit 1969 vendi ka nisur të krijojë më shumë lidhje normale me fqinjët dhe vende të tjera. Politika e vetëmjaftueshmërisë ka bërë që mes të tjerave regjimi të mbajë një sistem të gjerë e të ashpër sigurie dhe politika të mbështetura nga slogane si “Në njërën dorë kazmën e në tjetrën pushkën”. Çdo vendimi rëndësishëm është i lidhur ideologjikisht me nevojën për të luftuar kërcënimet e “revizionizmit”, “imperializmit” dhe “kapitalizmit”. Me realizimin e këtij programi ideologjik është justifikuar mobilizimi për punë vullnetare, normat e prodhimit apo rritja e pjesëmarrjes së grave në forcën punëtore.

Propaganda

Mekanizmat e propagandës janë nga elementët më të zhvilluar të shoqërisë shqiptare dhe depërtojnë në çdo aspekt të jetës. Partia e Punës kontrollon jo vetëm agjencitë e posaçme të propagandës por dhe aktivitetet e masave dhe organizatat e specializuara në vend. Pikëpamjet opozitare janë të ndaluara ashtu si dhe përhapja e materialeve kritike ndaj regjimit. Kontrolli i propagandës kryhet nga drejtoria e Agjitacion e Propagandës në Komitetin Qendror, i cili shpërndan direktivat e tij në ministritë e ndryshme, në bordin e gazetave e televizionit dhe gjithashtu në studiot e filmit dhe agjenci të tjera. Qëllimet kryesore të propagandës së brendshme janë sheshimi i zakoneve të vjetra dhe ndalimi i pikëpamjeve armiqësore ndaj regjimit, të cilat mund të sjellim inkurajim të rezistencës. Një tjetër objektiv është sigurimi i mbështetjes publike për politikat e qeverisë, me anë të kritikave apo lavdërimit, sipas rastit. Regjimi i konsideron fjalët po aq të fuqishme sa dhe rrogat për rritjen e prodhimit ekonomik, dhe harton fushata të tëra publicitare mbi ngjarje si konkurset e prodhimit në fabrika, projektet e punës vullnetare dhe arritjet individuale të planit të prodhimit. Grupet lokale të agjitacion-propagandës vendosin nëpër mure artikujt lavdërues të gazetave dhe hartojnë fletërrufe për elementë dembelë ose anti-shtet, si dhe organizojnë takime periodike ku theksohet nevoja e realizimit të planeve. I ashtuquajturi revolucion kulturor në vitet 1966-1969 bëri që punonjësit e qytetit të dërgoheshin në kultivimin e tokave të reja në fushatën e “decentralizimit të administratës” dhe të punës vullnetare në projektet e ndërtimit. Fushata të tilla u justifikuan me slogane si “përpjekja kundër burokracisë dhe mentalitetit kapitalist” ose me emancipimin e gruas dhe luftën kundër zakoneve të prapambetura. Propaganda e brendshme është kufizuar disi nga numri i vogël i aparateve radio në qarkullim, i megafonave në qytete dhe faktorë të tjerë teknikë. Gjithashtu ekspozimi i popullit ndaj pretendimeve të ekzagjeruara dhe keqinterpretimeve të propagandës, prandaj ka krijuar një mendësi apatie ndaj saj. Mediat kryesore të shpërndarjes së propagandës së brendshme janë shtypi, radio, filmat dhe fjalimet publike. Të gjitha këto janë përdorur në vitet 1960-1961 për të kushtëzuar popullin mbi prishjen me Bashkimin Sovjetik dhe bashkimin me Kinën komuniste. E përditshmja partiake “Zëri i Popullit” është krijuar gjithashtu dhe për konsum të jashtëm, shkruan vetëm brenda termave të ideologjisë marksiste ndërsa për propagandën e brendshme përdor temat nacionaliste. Publiciteti i gjerë që iu kushtua 500 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Skënderbeu në 1968 dëshmon për theksin që i jep regjimi përforcimit të nacionalizmit. Ndërsa qëllimi kryesor i propagandës shqiptare ndërkombëtare është avancimi i pikëpamjeve të regjimit dhe të Kinës në çështjet e bllokut, si dhe përpjekjet për të fituar mbështetjen e komuniteteve të emigrantëve jashtë vendit. Vende të tjera evropiano-lindore janë përpjekur të ndalojnë përhapjen e materialeve shqiptare në kufijtë e tyre dhe ka pasur disa përplasje mes diplomatëve, pas shpërndarjes së stafit shqiptar të ambasadave të broshurave me fjalimet e Hoxhës.

Rezistenca

Regjimi has rezistencë sporadike aktive dhe pasive nga brenda dhe aktivitete subversive të motivuara nga jashtë. Por ai ka ruajtur stabilitetin me anë të terrorit të rrjetit të fuqishëm të sigurisë dhe policisë që ushtron presion ndaj popullatës, eliminon elementët disidentë dhe parandalon kristalizimin e pakënaqësive në veprim të organizuar. Kërcënimi kryesor është subversioni i drejtuar nga jashtë. Deri para vitit 1961 BRSS kishte kapacitete të mëdha influence në vend dhe në 1960 tentoi të përmbyste regjimin e Hoxhës, por pas largimit të stafit sovjetik nga vendi mundësitë e tij u minimizuan. Si Greqia dhe Jugosllavia janë përfshirë në aktivitete klandestine kundër regjimit komunist shqiptar, por janë kufizuar nga ndërhyrjet e hapura prej frikërave të njëra-tjetrës dhe faktorëve ndërkombëtarë. Kohët e fundit tre fqinjët e Shqipërisë kanë rënë dakord të përmirësojnë marrëdhëniet mes tyre dhe të hepin dorë për momentin nga pretendimet e tyre në Shqipëri. Pretendimet greke për jugun e Shqipërisë e kanë origjinën nga pushtimi i zonës nga ushtria greke gjatë Luftës Ballkanike në 1912 dhe më tej në periudha të shkurtra gjatë Luftës së I dhe II Botërore. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar prej pretendimeve se Shqipëria keqtrajton atë që Greqia quan minoritet i saj në Shqipëri. Një përmirësim i marrëdhënieve mes të dyjave ndodhi në 1970 kur u raportua për një shkëmbim të arratisurish dhe në 1971 dy vendet vendosën marrëdhëniet diplomatike.

Marrëdhëniet me Jugosllavinë

Jugosllavia ka sponsorizuar aktivitete kundër udhëheqjes shqiptare që prej prishjes së lidhjeve në 1948, por prej vitit 1960 duket se politika e saj ka qenë ajo e tejkalimit të urrejtjes së hershme të shqiptarëve për Jugosllavinë, dhe jo më tentativat e përmbysjes së regjimit të Hoxhës. Infiltrimet e agjentëve jugosllavë dhe aktet e izoluara të sabotazhit mund të vazhdojnë por në nivel të reduktuar nga vitet 1950-të. Fillimisht aktivitetet subversive jugosllave drejtoheshin nga Komiteti i Lidhjes së Prizrenit i krijuar në 1951, i cili pati fillimisht disa suksese në rekrutimin dhe infiltrimin e agjentëve shqiptarë, por nuk arriti të fitonte mbështetjen e popullit për të dobësuar regjimin. Pas disa dështimeve grupi u shpërbë pas 3-4 vjetësh në aktivitet. Në fund të viteve 1950-të e fillim vitet 1960-të një tjetër grup subversiv shqiptar ishte krijuar në Jugosllavi nga Dushan Mugosha, në rajonin autonom të Kosovës. Edhe kjo iniciativë zgjati disa vjet pa sukses dhe humbi impaktin e saj pas transferimit të Mugoshës në Beograd në maj 1965. Pas ndarjes së Tiranës me BRSS në 1961 Jugosllavia qetësoi aktivitetin e saj anti-Hoxha për arsye të ruajtjes së politikës së saj ndërkombëtare të paanësisë dhe të bashkëekzistencës paqësore. Pas lëvizjeve sovjetike në 1956 për përmirësim të lidhjeve me Jugosllavinë, Moska raportohet se nisi të ushtronte presion dhe ndaj Shqipërisë për të bërë të njëjtën gjë. Hoxha ka thënë në një fjalim në 1961 se Moska i ka kërkuar rehabilitimin e figurës së Koçi Xoxes, një ngjarje që koinçidonte në konferencën e bashkisë së Tiranës ku elementë disidentë folën hapur kundër politikave të qeverisë. Pas dështimit të përmbysjes së qeverisë me puçin e brendshëm, BRSS nisi aplikimin e presionit ekonomik, që më vonë do të përfundonte me ndalimin e ndihmave dhe prishjen e marrëdhënieve. Largimi i teknikëve sovjetikë dhe ndërprerja e ndihmës e vuri regjimin shqiptar në një provë të vështirë, por Hoxha e Shehu ruajtën pushtetin prej ardhjes së ndihmës kineze.

Terrori komunist

Për ruajtjen e rendit publik dhe shuarjen e opozicionit ndaj regjimit ministria e Brendshme ka tre forca të veçanta policie e sigurie: Drejtorinë e Kufijve e ndjekjes, Policisë dhe Sigurimin. ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu ka lidhje fisnore me ish-ministrin e brendshëm Mehmet Shehu, që tani është kryeministër. Më parë Hazbiu ka qenë drejtues i Sigurimit, ndërsa është anëtar i Byrosë Politike. I gjithë personeli i aparatit të sigurisë në Shqipëri llogaritej në rreth 18 000 vetë në 1967. Shumë shqiptarë janë të detyruar të bëhen informatorë dhe llogaritet se një në gjashtë qytetarë raporton e Sigurimi. Një dekret i majit 1966 anuloi gradat tradicionale ushtarake, siç raportohet për të eliminuar rivalitetin mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme. Ka pasur gjithashtu fjalë se Sigurimi është përpjekur të zmadhojë gradat e tij për kaluar pushtetin e forcave të armatosura. Sistemi i policisë është përgjegjës për ruajtjen e rendit publik, por gjithashtu të bashkëpunojë me Sigurimin në eliminimin e elementëve anti-komunistë. Policia ka shumë nën-degë në fshatra e lokalitete, të cilat ndihmohen nga një numër i madh “vullnetarësh”. Drejtoria e Ndjekjes Kufitare është përgjegjëse për kontrollin e zonave kufitare, parandalimin e arratisjeve dhe kapjen e të infiltruarve nga jashtë. Kjo drejtori u krijua në 1957 me bashkimin e Brigadave të Ndjekjes me Mbrojtjen Kufitare. Pro grupet e kufirit gjithsesi nuk kanë arritur të ndalojnë kalimet ilegale të kufirit si me arratisjet e disidentëve të pakënaqur nga Shqipëria, ashtu dhe me infiltrimin e agjentëve të Perëndimit në Shqipëri.

Planet e CIA për dërgimin e agjentëve

Siç është konceptuar prej fillimit, projekti për Shqipërinë ka një objektiv minimal nxitjen e konfliktit të brendshëm në Shqipëri, me qëllim reduktimin e aftësisë së saj për mbështetjen e grupeve guerile në Greqi, dhe objektiv maksimal përmbysjen e regjimit Hoxha. Aktualisht kemi një koordinim të ngushtë të politikave me britanikët, por jo angazhin operacional. Që prej aprovimit të projektit, kanë ndodhur dy ndryshime madhore të situatës ndërkombëtare: ndalimi i luftës guerile në Greqi dhe përkeqësimi i marrëdhënieve mes Titos dhe vendeve sovjetike. Rritja e presionit të Kremlinit ndaj Titos ka sjellë ndryshime në politikat e SHBA, e cila dëshiron që të ruajë regjimin e Titos si një bllok pengues i influencës sovjetike në rajon. Ndryshimet e fundit kanë sjellë zhvendosje edhe në kushtet bazë të projektit dhe rishikim të objektivave të tij. Kështu, më 6 shtator 1949, Departamenti i Shtetit dhe ministria e Jashtme britanike vendosën se objektivi maksimal i përmbysjes së regjimit në Shqipëri, duhej braktisur për momentin. Objektivat e tjerë duhet të ndiqeshin nga afër, me fokus në krijimin e kushteve të tilla në Shqipëri, që aftësojnë OPC (grupi i CIA që punonte për Shqipërinë) të kryejë operacione guerile në kundërveprim të ndonjë sulmi të mundshëm të sovjetikëve drejt Jugosllavisë, apo ndaj një ringjalljeje të mundshme të aktivitete guerile komuniste në Greqi.

Lufta ekonomike

Pas krijimit të tij, detyra e Komiteti për Shqipërinë e Lirë (NCFA) ishte dhënia e ndihmës në zgjedhjen e agjentëve të përshtatshëm për infiltrim në Shqipëri, dhënia e asistencës në objektivat e propagandës, dhe në përgjithësi ndihma në të gjitha fazat e operacioneve dhe mbulim i fshehtësisë së projektit. Një zyrë për NCFA është krijuar në Nju Jork nën emrin e Komitetit Kombëtar për Evropën e Lirë. Zyra drejtohet nga dy anëtarë të komitetit ekzekutiv, dhe përveç funksioneve të tjera është përgjegjëse për një gazetë në gjuhën shqiptare. Elementi evropian i NCFA e ka selinë e tij në Romë. Elementi evropian i komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë përfshin një organ shtypi dhe propagande që veprojnë sipas udhëzimeve të OPC, me një staf prej tre shqiptarësh dhe një specialist propagande amerikan. Njësia e propagandës është përgjegjëse për përgatitjen e teksteve si ato të broshurave dhe karikaturave që shpërndahen ilegalisht ose nga ajri në Shqipëri nga kanalet amerikane e britanike.

Propaganda radiofonike

Përveç stabilimentit thuajse të hapur të propagandës së përmendur më sipër, OPC ka krijuar dhe një qendër propagande në Greqi për përgatitjen e propagandës së “zezë” dhe “gri” për Shqipërinë dhe Bullgarinë. Kjo qendër aktualisht ka në dispozicion edhe dy transmetues radio me valë të shkurtra, të lëvizshëm që pritet të nisin transmetimet në shtator. Përveç këtyre, një transmetues me valë të mesme është instaluar në një mjet detar që lundron në detin Jon ose Adriatik, që përdoret për transmetime propagande në Shqipëri. Anija është me bazë në Greqi dhe e aftë të operojë për periudha prej dy javësh, përpara se të kthehet në bazë për furnizime. Transmetimet nga kjo anije pritet të nisin në fund të vjeshtës, mundësisht në 15 nëntor. Si një shtesë ndaj transmetuesve të anijes dhe dy transmetuesve të lëvizshëm po nisin prokurimet edhe për një transmetues tjetër me valë të mesme prej 50 kilovat, që do të ketë një fuqi më të madhe se aparaturat e përmendura më sipër.

Fletëpalosjet dhe trajnimet

Një lëshim broshurash propagande u krye më 16 qershor 1950. Njëqindmijë fletë të pagatitura nga OPS në SHBA u lëshuan me avion mbi Shqipëri nga britanikët. Broshura të ngjashme janë përsëri duke u përgatitur dhe sapo organizmi i lëshimit të tyre të përfundojë do të nisin lëshimet e përmuajshme të fletëve të propagandës. Një kamp për grumbullimin e shqiptarëve të përshtatshëm për agjentë infiltrimi në Shqipëri po operon në formën e kampi të gardës në Gjermani. Për momentin ai përbëhet nga 250 shqiptarë, një numër i vogël i të cilëve do të tërhiqen nga kampi për t’u trajnuar në shkolla të fshehta agjenture. Tre instruktorë tanë janë tashmë atje dhe tre të tjerë po shkojnë në Gjermani.

Plani për lëshimin e agjentëve me avion

Po mendojmë për lëshimin me avion në Shqipëri të pesë grupeve me nga katër agjentë, më datë 30 shtator. Për këtë qëllim është siguruar një avion C-47 nga OPC, i cili do të operohet nga një ekuipazh polak. Avioni do të raportoje në Gjermani më 25 shtator. Dy avionë C-47 janë caktuar nga ushtria për operacionet e OPC në Gjermani, për operacione komunikimi tokë-ajër, të frekuencave ultra të larta, me agjentët e OPC në Shqipëri. Pajisjet e nevojshme të komunikimit po instalohen aktualisht në avionë, të cilët do të operojnë prej një bazë greke, dhe do të fluturojnë me personel ushtarak amerikan. Është duke u organizuar një kamp në Greqi për agjentët e kthyer nga infiltrimi në Shqipëri. Krijim i kamp[it u bë i nevojshëm për eliminimin e ndërhyrjeve të autoriteteve greke me këta të infiltruar (shpeshherë janë detyruar të rikthehen në Shqipëri nga rojet kufitare) dhe marrjen e kujdestarisë së tyre nga OPC. Për arsye të natyrës primitive të ekonomisë shqiptare, vendi nuk është objektiv i përshtatshëm i luftës ekonomike, por mund të bëjmë ndërhyrje në tregtinë shqiptare në Trieste apo nxitjen me anë të propagandës së ndalimit të dërgimit të ushqimit të fshatarëve drejt qyteteve.

Futja e agjentëve në Shqipëri

Një grup prej gjashtë njerëzish ka hyrë në Shqipëri në këmbë gjatë natës së 9-10 gushtit 1951. Guida që i drejtonte ata në zonën kufitare u kthye mbrapsht dhe tha se infiltrimi kishte qenë i suksesshëm. Dy burime raportonin se një grup prej katër njerëzish të lëshuar me parashutë në jug të Shqipërisë gjatë një operacioni të fshehtë të OPC më 22-23 korrik, u zunë në pritë nga forcat shqiptare të sigurisë. Të dyja burimet raportonin se një agjent u vra, dy kryen vetëvrasje dhe i fundit i shpëtoi grackës. Ky grup besohet se është tradhtuar nga një prej guidave.Një tjetër grup prej katër njerëzish të parashutuar në Shqipëri natën e 22-23 korrikut, arritën të shpëtonin duke u tërhequr jashtë kufirit grek në datën 15 gusht. Grupi kishte humbur të gjithë materialet që ishin lëshuar bashkë me ta dhe u tërhoqën prej mungesës së ushqimit. Anëtarët e këtij grupi do të infiltrohen përsëri në Shqipëri gjatë muajit shtator, në varësi të moralit të tyre (aktualisht morali i tyre është pozitiv). Deri në fund të gushtit një total prej dymbëdhjetë njerëz kanë hyrë në Shqipëri; dy grupe, një prej dy njerëzish dhe një prej katër njerëzish janë në veri të saj, kurse një grup me gjashtë njerëz janë në jug.

Lëshimet e furnizimeve

Një tentativë për lëshime furnizimesh për grupin tonë prej katër personash në jug të Shqipërisë më 11 gusht, rezultoi e pasuksesshme për arsye të kushteve të motit. Një tentativë e dytë më 12 gusht ishte gjithashtu e pasuksesshme për arsye se nuk u dalluan dritat e palës pritëse. Gjatë kryerjes së këtij misioni u has edhe zjarri i avionëve armiq, që u dalluan në afërsi të zonës së lëshimit. Një tentativë e tretë për furnizimin e grupit, e planifikuar për natën e mëpasshme u anulua për arsye të aktivitetit armik të hasur më parë. Natën e 16-17 gushtit një mision rifurnizimi fluturoi në zonën e dy grupeve në veri të Shqipërisë. Dhjetë pako u lëshuan për grupin e agjentëve me dy persona, pas njohjes në terren të sinjaleve të rëna dakord më parë. Ndërsa në zonën e grupit me katër agjentë nuk u bë lëshimi i programuar për arsye të mosnjohjes së sinjaleve paraprake. Një tentativë rifurnizimi e një avioni sekret të OPC për grupin e OSO në Shqipërinë jug-qendrore, natën e 22-23 gushtit ishte e pasuksesshme për arsye të mosdallimit të sinjaleve paraprake. Një tentativë lëshimesh furnizime për grupin me gjashtë persona në jug të Shqipërisë, natën e 25-26 gushtit, ishte e pasuksesshme për arsye të motit. Megjithëse ka pak të dhëna mbi misionin, arsyeja zyrtare ishte mosdallimi i sinjaleve të lëshimit. Në total, nga pesë misione furnizimi gjatë muajit gusht, njëri dështoi për arsye të motit, njëri prej veprimit armiqësor, dhe dy prej mosdallimit të sinjaleve përkatëse të lëshimit. Një mision i 16-17 gushtit arriti të lëshonte me sukses furnizimet për grupin e caktuar, por nuk arriti të dallonte sinjalet në zonat e tjera të lëshimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here