Gati ligji i ri për naftëtarët dhe minatorët, kreu i federatës së sindikatave zbardh detajet: Ja benefitet që do të sjellë

0
444

Federata e Sindikatave të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë ka përgatitur një ligj, i cili do të sjellë më shumë përfitime për minatorët, naftëtarët dhe metalurgët. Duke qenë se kjo kategori po has shumë probleme, është menduar që të dilet me një ligj të unifikuar. Presidenti i Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, Taf Koleci ka treguar në një intervistë për gazetën “SOT”, të gjitha benefitet që do të sjellë ky ligj. Sipas tij, qëllimi kryesor është që të ketë më shumë benefite financiare si për naftëtarët e minatorët, ashtu dhe për metalurgët.

-Zoti Koleci, ju përfaqësoni punonjësit e industrisë në Shqipëri. Sa është bërë nga qeveritë në vend për të mbështetur këtë kategori?

Me thënë të drejtën nga të gjitha qeveritë, që nga vitit 1992 e mbrapa, është bërë shumë pak. Pra është folur shumë dhe është bërë pak. Është folur shumë në kohë fushatash elektorale dhe është bërë shumë pak, pasi kanë mbaruar fushatat dhe politikanët kanë hipur në karriget e pushtetit. Pushtetarët kur hipin në karrige bëhen si egërsira dhe të shkatërrojnë, duke mos marrë parasysh premtimet që kanë dhënë në fushatat elektorale ku ata kanë marrë votën. Flasim për minatorët e Shqipërisë, ku është grupi më i lodhur, grupi si mund të themi ne më i shkatërruar për vite e vite me radhë. Minatorët i kanë dhënë zhvillimin këtij vendi që në kohën e komunizmit dhe në vazhdim, duke ndërtuar shtetin, duke i dhënë vota shtetit, madje kanë dhënë karrige e mbështetje, por pushtetarët u kanë kthyer krahët kësaj kategorie. Dhe në fund minatorët nuk kanë fituar asgjë, madje edhe sot e kësaj dite që flasim minatorët janë në ditët më të këqija të tyre, me një pension prej 133 mijë lekësh të vjetra, ku këta nuk mund të mbulojnë asnjë gjë me këtë pension duke mos paguar dot ujin, nuk marrin dot ilaçet, pasi të gjithë janë me sëmundje profesionale. Ashtu siç ju thashë më sipër, minatorët kanë një pension qesharak, ndërsa e njëjta gjë është edhe për naftëtarët, të cilët me pensionin që marrin jovetëm që nuk paguajnë dot ilaçet, por as ujin, pasi për energjinë elektrike as që bëhet fjalë. Pra janë lënë në mes të katër rrugëve. Kështu që unë si drejtues i Federatës së Industrisë së Shqipërisë, ku në këtë federatë bëjnë pjesë disa sindikata si ajo e Energjisë, Minierat, Metalurgjia, Kimi-Metalurgjia, Nafta e gazi dhe Rrymat e dobëta dhe Mekanika, por unë jam i pakënaqur nga veprimet që pushtetarët e djeshëm dhe të sotëm nuk po e marrin parasysh vendimin për t’i dhënë një ligj të posaçëm trajtimit të minatorëve, naftëtarëve dhe metalurgëve.

-Çfarë parashikon ligji që keni hartuar ju?

Sot minatorët dhe naftëtarët kanë shumë probleme. Për naftëtarët është bërë një ligj dhe ka dalë edhe në Fletoren Zyrtare, por qeveria nuk është dakord për këtë ligj që ka dalë. Kështu që këtu është një ngërç që mund ta zgjidhë vetëm gjykata, pasi ne si Federatë nuk mund ta zgjidhim dot. Ndërsa ligji për minatorët, naftëtarët dhe metalurgët është tani në prag të përfundimit të tij. Dhe aktualisht po diskutojmë mbi vlerën se sa do të përfitojë çdo minator, metalurg dhe naftëtarët, të cilët nuk duhet ta quajnë masë zbatuese por duhet ta quajnë ligj mbi përfitimet mbi pension. Dhe unë do t’iu kujtoja disa nene të projektligjit që jemi duke bërë sa i takon trajtimit financiar të punonjësve të minierave që kanë punuar nën tokë, të punonjëseve të industrisë së naftës dhe të punonjësve që kanë punuar në Metalurgjik. Unë po citoj disa nene që ka ky projektligj, i cili vendos trajtimin financiar suplementar për profesionet e vështira dhe shumë të vështira të minatorëve nën tokë, punonjësve të naftës dhe metalurgët. Projektligji është dhe flet për trajtimin financiar që është shtesë dhe nuk është një status për këto profesione, pasi statuset janë në një spektër më të gjerë, që lidhen jo vetëm me përfitimet financiare në moshë pensioni.

-Pse janë përfshirë në një ligj 3 profesione dhe çfarë risish ka?

Përfshirja në një ligj i tre profesioneve të vështira, është bërë për shkak të ngjashmërisë dhe lidhjeve të vështirësisë në punë brenda këtij parimi, ku janë bërë dallime në punë të vështira dhe shumë të vështira. Nuk është rasti i parë që një ligj hartohet për disa kategori të ndryshme punësh, por edhe karakteristika të ngjashme dhe që adresojnë problematika të njëjta. Ky projektligj u jep pension para kohe deri në dhjetë vjet para moshës normale të daljes në pension, pra kjo do të thotë që nga 65 vjeç të shkojë 55 vjeç, ose nga 55 vjeç në 45 vjeç. Po ashtu, ky projektligj iu jep moshën normale të daljes në pension këtyre profesioneve dhe iu jep shtesë mbi pension për të gjithë pensionistët aktualë dhe ata që do të dalin në periudhën afat shkurtër. Kjo shtesë në pension nuk është e financuar nga kontributet e paguara por është një ligj dhe një privilegj i pastër që iu bëhet këtyre kategorive të financuara nga buxheti i shtetit. Në këtë shtesë të ardhurat e shumicës së minatorëve arrijnë një pension maksimal që përfitojnë pension, pensionistët e tjerë. Në ligjin aktual është ulur dalja e moshës në pension. Qeveria “Berisha” e çoi 60, ndërsa qeveria “Rama” në 55 vjeç.

-Si do të zgjidhet çështja për pensionin e ish-minatorëve, të cilët marrin pension duke llogaritur pagën minimale të viteve të mëparshme dhe jo tani?

Këtu është një ngërç që ne kemi kërkuar si Sindikatë, që në projektligjin që kemi paraqitur në qeveri për statusin e minatorëve, që kush ka 10 vjet e 6 muaj të përfitojë pension pleqërie të plotë. Dhe kush ka mbi 10 vjet e 6 muaj punë nëntokë të llogaritet dhe të flitet me 1% për gjithë secilin për çdo vit mbi 10 vite e 6 muaj. Gjatë konsultimeve që kemi bërë ne me grupet e interesit dhe me qeverinë nuk është marrë parasysh, kjo kërkesë por është reklamuar ligji që sapo thamë mbi trajtimin financiar mbi profesionin. Aktualisht ky projektligj është një projektligj që së shpejti do të kalojë në qeveri. Ne kemi shpresë por kjo varet nga problemi që ka dalë tani siç janë këto trazirat mes opozitës dhe mazhorancës. Ky projektligj duhet të kishte kaluar që në muajin shkurt. Megjithatë, ne do të shikojmë dhe përsëri do të flasim me grupet e interesit dhe grupin e punës të ngritur nga qeveria për të rënë dakord mbi rritjen e fashës së dhënies së pensionit suplementar të minatorëve. Dhe këtu flitet nga viti 1993 deri në vitin 2018. Sipas parashikimeve që ka bërë qeveria ne nuk jemi dakord me këtë përqindje që kanë vënë ata, pra nga 1% ne si sindikatë duam 4% ose 40 % të rritjes së pensionit. Nga kjo rezulton se këta njerëz nuk kanë paguar sigurimet shoqërore dhe nuk kanë paguar ndër vite sigurimet shoqërore, të cilën e thotë qeveria. Por këtu nuk është faji i minatorëve, por i qeverive, këtu përfshihet privati, pasi qeveria e ka toleruar që të ketë evazion fiskal, duke mos paguar sigurimet shoqërore të minatorëve por edhe kategorive të tjera. Pra punëdhënësi i ka paguar këto kategori me një pagë qesharake me 120 mijë lekë të vjetra. Por me 120 mijë lekë të paguash sigurime shoqërore do të thotë që pensioni është qesharak, pasi i bie që të dalë 7 mijë lekë të vjetra pension, më keq se dikur kooperativat bujqësore. Dhe kjo ka hapur një debat të jashtëzakonshëm që ne po diskutojmë me problemin që kanë ngritur edhe Sigurimet Shoqërore edhe përfaqësuesit e sindikatave edhe qeveria. Sidoqoftë, do të shikojmë se çfarë do të bëhet. Këtu është një rritje sipas një tabele që na kanë sjellë ata, për shembull për pensionet 133 mijë lekë të vjetra, sipas rritjes që thonë ata pensioni shkon në 171 mijë lekë. Po ashtu, në disa tabela që kemi ne tregon fashat e pensioneve që kanë dalë në pension në harkun kohor 2014-2018 në këtë fashë kryesisht persona që kanë përfituar trajtim të veçantë si minator që nga viti 2001. Kjo kategori ka dalë në pension që në moshën 37 vjeç. Pra, këta kanë kontribuar vetëm 11 vite e gjysmë nëntokë dhe vitet e tjera i kanë jo kooperativa bujqësore, jo ferma, etj, po jo që kanë kontribuar për sigurimet shoqërore. Pasi për sigurimet kanë kontribuar 11 vjet e 6 muaj. Pjesa tjetër e vjetërisë është si sigurimet si bujk privat. Këta persona duke filluar nga viti 2001 e deri në vitin 2014 përveç se kanë përfituar trajtimin e veçantë nga buxheti dhe i shtetit iu është paguar kontributi në nivelin e masës minimale. Dhe kjo periudhë iu është njohur si vjetërsi pune kur dalin në pension qeverie.

-Ku qëndron problemi konkretisht?

Rreth 50% e pensionistëve që kanë dalë këto vite kanë një shumë të ardhurash më pak se pensioni mesatar dhe në shtesën që propozohet nga qeveria rritet mesatarisht me 17 mijë lekë të vjetra, pra për këtë fashë pensionesh. Por edhe për këta persona që kanë vite pune më shumë se 11 vjet e gjysmë, shtesa është më e lartë. Personat që kanë dalë si ish-minatorë nëntokë ndër vite kanë masë pensioni pleqërie mesatar deri në masën maksimale të pensionit pa shtesën. Kjo pasi shtesa mesatare për këto kategori është me 26 mijë lekë të vjetra. Dhe këtu stopohet gjithçka. Por ne do t’i bëjmë ballë edhe kësaj, pasi nuk kemi qenë dakord me këtë projektligj që po përgatitet nga qeveria për minatorët. Por si fillim ne do të bëjmë ballafaqime me qeverinë për sa kohë që nuk është votuar projektligji, pasi më pas po nuk u morën parasysh kërkesat tona do t’i drejtohemi gjykatave. Madje, në rast se nuk merren në konsideratë dhe nuk reflektohen nga qeveria në projektligjin e minatorëve, ne do nisim me protestat, ballafaqimet gjyqësore. Kështu që ne jemi të prerë me atë që themi, asnjëherë nuk do të them jo, duke mos humbur këtu qoftë edhe një cent nga ky shans. Qeveria duhet të marrë në konsideratë kërkesat tona si sindikatë, pasi ky ligj njëherë bëhet. Duke përfituar nga rasti, unë iu bëj thirrje edhe sindikatave të tjera, edhe grupeve të interesit që të bashkohen dhe të jemi në një mendje. Dhe kështu mund të fitohet dhe të kemi një ligj të mirë, ku padyshim do jenë reflektuar kërkesat tona, sa i takon minatorëve. Pasi në të kundërt duke qenë të përçarë nuk zgjidhet gjë. Pasi edhe qeveria e ka më të lehtë për të na thënë bashkohuni ju që ta bëjmë ligjin. Unë jam dakord që në këto momente të jemi të bashkuar që ish-minatorëve dhe minatorëve që do të dalin në pension t’iu rregullohet kjo punë njëherë e mirë. Pasi në vite kësaj kategorie i janë bërë padrejtësi që e kanë vuajtur mbi shpatullat e tyre, kanë derdhur gjak e djersë dhe t’i shikosh sot minierat janë në ditën më të zezë.

-Duke qenë se statusi për naftëtarët është miratuar, çfarë risie do të ketë për këtë kategori?

Po patjetër që naftëtarët kanë përfitimet e veta. Por mesa duket këtu është një ngërç ligjor. Ligji për naftëtarët është miratuar në Parlament dhe ka dalë në Fletoren Zyrtare, por kemi një problem që duhet ta ankimojmë në gjykatë. Por aktualisht derisa të ngrihen gjykatat, do nisim konsultimet. Kështu që iu bëj me dije se edhe kategoria e naftëtarëve do të kalojë në sitë si projektligji i minatorëve dhe do të llogaritet me 0,6% për çdo vit pune që kanë naftëtarët. Nuk është se jemi të kënaqur por meqenëse buxheti i shtetit aq e ka kapacitetin shpresojmë të merret në konsideratë. Ne jemi të gatshëm dhe shumë shpejt do të ulemi me qeverinë që të bëj gjithçka edhe për naftëtarët.

Intervistoi:Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here