Adrian Devolli: Galeria e Artit jashtë funksionit, drejtori një hiç që vendos për fatin e artistëve

0
601

Galeria Kombëtare e Arteve ka mbyllur dyert shprehen artistët dhe sipas tyre është një situatë që tregon se askush nuk po mendon çfarë po ndodh me këtë institucion. Në reagimet e tyre ata pohojnë se Ministria e Kulturës duhet të mbledhë artistët dhe të diskutojë mbi problemet, gjë e cila deri tani nuk është bërë. Në vijim të reagimeve edhe piktori i njohur Adrian Devolli e quan të papranueshme situatën që është sot me GKA. Në intervistën për “SOT” piktori tregon se përgjegjësia për këtë situatë është për drejtorin e GKA, por dhe Ministrinë e Kulturës, që nuk pop tregojnë vëmendje ndaj problemeve që pohojnë artistët. Deri tani GKA nuk ka bërë publike dhe një axhendë të aktivitetit, gjë e cila po sjell sipas piktorit shkëputjen e artistëve me këtë institucion. Piktori Adrian Devolli vijon se në art dhe kulturë është një situatë ku ka zyrtarë që rrinë në zyra pa bërë asgjë për artin, duke harruar pse janë në institucione.

-Po punoni për ekspozitën e rradhës në aktivitetin tuaj me pikturën. Ekspozita do të çelet pas disa ditësh, por këtë herë çfarë keni përzgjedhur të prezantoni nga veprat tuaja?

Puna ime me pikturën vazhdon çdo ditë në studion time dhe në aktivitetin tim është ekspozita e rradhës personale. Unë ekspozoj herë pas here dhe në ekspozita që janë grupime artistësh, por dhe personale. Në këtë ekspozitë një pjesë e punëve ekspozohen për herë të parë nga krijimtaria ime me pikturën, dhe një pjesë janë vepra në pikturë që janë ekspozuar dhe më parë në grup me artistët e tjerë. Kam menduar që unë të bëj një përmbledhje të veprave të mia në pikturë, por dhe të marr një mendim nga kolegët dhe miqtë e mi mbi artin tim. Kjo më shërben dhe mua për krijimtarinë time si piktor. Mendoj që ekspozitën ta hap më datë 18 mars në galerinë “Kalo”, që është e vetmja që ka parametrat më të afërta për galeri dhe është nga më seriozet. Kjo galeri ka një ndriçim profesional për veprat e artit dhe kjo është shumë e rëndësishme.

-Galeria Kombëtare e Arteve është institucioni, që zhvilloi më pak aktivitete vitin e kaluar por dhe deri tani nuk kemi një axhendë të publikuar për këtë vit. Çfarë mund të na thoni?

Galeria Kombëtare e Arteve është antikombëtare. Po e nis me mbylljen e dyerve që ka bërë ky institucion ndaj artistëve. Mbyllja e dyerve ka një shkak tjetër, kjo është pasoja. Shkaku është që drejtor i GKA është një njeri askushi. Drejtori i GKA në rradhë të parë me nivelet intelektuale artistike duhet të ishte i prezantuar si një personazh, i cili ka një biografi të caktuar. Por unë s’e di çfarë biografie ka ai, është artist, është studiues, apo kritik arti? Unë nuk di që ky njeri të ketë vepra të tilla mbi zhvillimet kritike. Galeria është jashtë funksionit. Çfarë është ky? Ky është një hiç dhe ky hiç duhet të vendosë mbi krijimtarinë e të gjithë artistëve shqiptarë. Por dhe Ministria e Kulturës ka përgjegjësi që nuk ka idenë nga arti. Mungesa e një kalendari artistik deri tani nga ai institucion është pasojë, por shkaku është sepse zgjidhet drejtor një njeri që nuk ka asnjë lloj biografie artistike sipas meje. Kjo sjell si rezultat kompleks inferioriteti. Kompleksi i inferioritetit kërkon mbyllje, sepse ai do të krijojë antagonizëm me çdo gjë, dhe që të jetë sa më rehat është që mos të ketë asnjë lloj aktiviteti në GKA ose të jenë aktivitete të vakta. Kur në kohën që është sot Shqipëria, kur po ikën truri, atëherë çfarë po bën ti Ministri Kulture dhe ti Galeri Arti Kombëtare, që truri intelektual dhe i artistëve shqiptarë mos të ikë? Artistët e shohin GKA si një institucion i Ministrisë së Brendshme së kohës së Enverit, sepse kështu është kthyer ai institucion. Nëse do të bisedoni me artistët ata e shohin si një neveri, si një zyrë e sigurimit të shtetit nga atmosfera që ka krijuar ai aty. Është një atmosferë e keqe në GKA dhe aspak mikpritëse. Ministria e Kulturës nuk ka bërë njëherë një takim me artistët, t’i ftojë ata dhe të diskutojë mbi problemet, që ne flasim përditë. Kjo ministri, po të ishte në nivelet e një Ministrie Kulture duhet të dinte se ku janë adresat e gjithë artistëve shqiptarë, çfarë bëjnë këta artistë dhe të shkojë t’i shikojë krijimtarinë dhe punën e tyre. Por kjo ministri nuk i di. Janë disa kukulla, një ministre kukull, të cilat kanë atë funksion atje, kanë një zyrë, por funksioni real i tyre është zero. Duke mos pasur GKA një axhendë të bërë publike, që nuk dimë gjë deri tani, atëherë kjo galeri sjell një shkëputje shpirtërore të artistëve me këtë galeri, sepse ti si institucion nuk arrin që të krijosh një atmosferë artistike.

-Për këto probleme kanë kërkuar artistët një takim me titullarin e GKA, çfarë mund të na thoni?

Për të takuar këtë drejtor sot në GKA duhet të ndjekësh shumë shkallë hierarkike, t’i bësh e-mail, pas e-mail të takosh sekretaren dhe të lësh takim, sepse zotëria e tij është shumë i rëndësishëm, por që është askushi. Unë duhet ta takoj atë? Unë, që si artist kam ekspozita brenda dhe jashtë vendit, që kam marrë vlerësime të ndryshme dhe vijoj me aktivitetin tim. Unë duhet ta ul veten për të takuar atë? Jo. Ai është drejtor i GKA, dhe duhet të vijë tek ne, sepse është ai që duhet të ketë respekt për mua dhe kolegët e mi, të ketë respekt për krijimtarinë tonë. Por nëse ai njeri nuk ka respekt për krijimtarinë tonë, t’i vijë trup atij dhe asaj ministreje që rri atje në ministri. Jam një artist në moshë dhe ai që nuk ka bërë asgjë, duhet të shkoj t’i lutem atij për ta takuar. Kritikat e mia nuk shkojnë vetëm për drejtorin, por dhe për ministrinë, për qeverinë. Ministria e Kulturës hap konkurs për drejtorin e GKA, por kush e zgjedh? Kush ishte grupi i punës në ministri? Po kështu edhe në galeri është zgjedhur dhe një bord, por që për mua është me njerëz që nuk kanë bërë asgjë. Ministria dhe GKA nuk kanë asnjë lloj transparence, madje galeria është si një ministri e brendshme “artistike”.

-Më herët piktorët janë shprehur se do t’i drejtohen ministrisë me një peticion me kërkesat e tyre për GKA. Ju jeni në dijeni dhe çfarë është bërë?

Unë kam qenë në dijeni, që do t’u bënte një peticion. Por nuk e di pse u la në gjysmë të rrugës, madje e turpshme që u la. Jo vetëm që duhet bërë peticion për problemet që ne flasim për GKA, por duhet të ishte një klithmë për situatën që është sot. Nëse kemi një vend ku po ikin njerëz të zakonshëm dhe të mençur, atëherë është emergjencë, duhet të jetë situatë alarmi për të bërë diçka për artin. Nëse nuk bën këtë do të thotë që ti nuk ke asnjë lloj predispozite dhe emocioni për këtë vend. Tek ne të thonë flit çfarë të duash, ankohu, por ne do të bëjmë atë që duam. Qeverisë dhe ministrisë, por dhe GKA t’i vijë turp për artin. Flasin për projekte dhe plane, por nuk kanë bërë as minimumin.

-Ministria e Kulturës shpalli disa ditë më parë projektet për vitin 2019. Artistët pohojnë mungesë transparence dhe vendime jo të drejta me financimet. Ju si e gjykoni?

Këtu ka hipokrizi. Po ju them që unë vetë bëra një kërkesë projekt për albumin tim dhe iu drejtova Bashkisë së Tiranës. Dhe nuk mora as përgjigje zyrtare që e kanë dhe me ligj që duhet të të informojnë për kthim përgjigje. Te ministria nuk bëhet transparenca. Unë nuk aplikoj në atë që quhet Ministri Kulture, sepse e di që nuk merr asgjë.

-Kolegët tuaj janë shprehur se është problem që Tirana nuk ka dhe një sallë ekspozimi të kryeqytetit për veprat e artit. Si ndikon kjo?

GKA ka mbyllur dyert për artistët dhe mungon dhe një sallë e kryeqytetit për ekspozita. Një situatë që dihet tashmë. Në vazhdën e gënjeshtrës së madhe duke filluar dhe nga kryebashkiaku më parë, që foli për një sallë ekspozimi me parametra normale, këta njerëz as që e kanë vënë ndonjëherë ujin në zjarr, as majtas dhe as djathtas. Në situatën e sotme artistët nuk kanë një sallë normale për ekspozimin e veprave të artit. Nuk ekziston dhe kjo është e gabuar. Pra artistët i kanë lënë në mëshirë të fatit, të cilët nuk kanë mundësi ti ekspozojnë veprat e tyre. Një kryeqytet prej gati 1 milionë banorësh është turp që nuk kemi një sallë. Turp që shkon për gjendjen e artistëve sot dhe për ministrinë dhe qeverinë jo vetëm për këta tani, por dhe ata më parë. Qeveritë ndër vite nuk kanë bërë asgjë për artin. Kemi pak salla private dhe galeria FAB është e shkollës, GKA ka mbyllur dyert, kjo është situata sot.

-Ju keni qenë kritik jo pak me ish ministren e Kulturës, po për Margaritin çfarë kërkoni në lidhje me artin dhe kulturën?

Ministrja e re duhet t’i kishte thënë drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, si ka mundësi mbaroi shkurti dhe erdhi marsi dhe nuk ke bërë planin e galerisë? Çfarë të presim ne nga ajo ministre? Me fjalë bëhen gjërat? Duhet ti thoshte që ti nuk duhet të jesh drejtor derisa nuk ke bërë asgjë. Për çfarë rri ai drejtor në zyrë? Merr rrogën. Për çfarë rri ajo ministre atje? Çfarë Ministrie Kulture kemi ne? Flasim sot por nuk kemi as botime për ata njerëz që themeluan GKA. Kolanë jo e jo, por si kanë bërë as një antologji. Në institucione njerëz që marrin rrogën kot dhe arti dhe kultura po shkon në një shkatërrim total. Ministrja nëse do të shpallte veten që do bënte një emergjencë duhet ti mblidhte artistët dhe ti bënte një takim mbi problemet, sepse problemet dalin nga ata që punojnë dhe jo nga ata që nuk punojnë. Problemet dalin nga njerëzit që quhen krijues dhe jo administrator.

 Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here