CIA: Ja si Enver Hoxha liroi 1.300 të burgosur për të shuar pakënaqësitë, i trembej rezistencës qytetare

0
899

CIA ka dhënë detaje se si Enver Hoxha instaloi regjimin komunist përmes shtypjes. Sipas disa dokumenteve të deklasifikuara nga amerikanët, që më 1949 nisën pakënaqësitë ndaj regjimit dhe Hoxha i trembej luftës së masave. Por aty tregohet se si ai liroi rreth 1.300 perona të arrestuar me qëllim që të ulte pakënaqësitë.

Shtator 1949

Situata e brendshme, rezistenca

Pakënaqësia në rritje e popullit shqiptar dhe përkeqësimi situatës së brendshme ekonomike kanë kontribuar shumë në rritjen e ndjenjës së armiqësisë ndaj qeverisë komuniste. Incidente vdekjesh e vetëvrasjes prej urisë janë raportuar dhe në shumë rajone të veriut të vendit nuk mblidhen më Asambletë e mësimit të partisë, pasi zyrtarët i tremben armiqësisë së masave. Në çdo fshat 20-30 pushkë i shpërndahen komunistëve të besuar, siç raportohet me kërkesën e tyre, për mbrojtje personale dhe për të ndihmuar me njësitë e sigurimit në kërkimet e tyre në zonë. Në zonat qendrore të Shqipërisë propagandistët e partisë janë sulmuar nga fshatarët, ashtu si dhe në zonat jugore ku në mbledhjet e partisë janë anuluar prej kundërshtimeve dhe zemërimit të fshatarëve. Një tjetër sinjal i krizës në rritje është fakti se qeveria shqiptare ka vendosur të ngrejë një borxh të brendshëm prej 80 milionë lekë prej të cilit popullsia pret të tjera masa shtypjeje. Në të njëjtën kohë qeveria po përpiqet me anë të propagandës së saj të bindë popullin se e pret një e ardhme ekonomike e lulëzuar, e cila varet nga suksesi i kësaj huaje. Në përpjekje për të zbutur pakënaqësinë e popullit qeveria ka liruar së fundmi rreth 1300 të burgosur si për krime ordinere dhe për krime politike, ndërsa janë shkurtuar gjithashtu dënimet për 1277 të burgosur të tjerë. Propaganda qeveritare reklamon suksesin e guerilasve grekë të mbështetur nga Shqipëria e BRSS. Por dhjetorin e kaluar në muret e Korçës u shfaqën slogane anti-qeveritare si “Poshtë Hoxha” e “Poshtë fashizmi i Kuq”. Slogane të ngjashme u shfaqën dhe në janar në muret e shkollës së fshatit të Borshit. Në shkurt të gjitha sloganet në muret e Tiranës u ndryshuan nga disa persona të panjohur; slogani VF-LP (Vdekje fashizmit, Liri Popullit) u ndryshua në TVF-TLP “të vijë fashizmi- Të lirohet populli) Shfaqja e këtyre sloganeve dhe të tjerave të ngjashme me to, si dhe disa akte sabotazhi të cilat qeveria i justifikon me pakujdesi, tregojnë për ekzistencën e grupeve sekrete të rezistencës.

Organizatat

Raportohet se në Shqipëri është aktive organizata “Bashkimi Kombëtar” e cila aktualisht ka qëllimin politik të çlirimit të vendit nga regjimi komunist dhe sipas raportimeve shumë nga anëtarët e saj mbajnë poste në qeveri ose në administratën publike. Një komitet i tillë anti-komunist raportohet se është krijuar në Vlorë, i cili është organizuar në rreth 70 fshatra. Në secilin fshat është krijuar një komitet prej 3 deri në 5 personash i drejtuar nga një “përgjegjës ushtarak”. Nëse aprovohet nisja e lëvizjes së armatosur personat drejtues pretendojnë se mund të grumbullojnë rreth 2000 njerëz dhe gjithashtu thonë se një pjesë e konsiderueshme e ushtrisë do të bashkohet me ta. Emrat e anëtarëve të komitetit të Tiranës nuk dihen ende. Tare Shuti një tiranas i punësuar në Ministrinë e Transportit, vepron si ndërlidhës mes grupeve të Tiranës dhe Vlorës. Kjo organizatë është ende e vogël dhe e papajisur, por ka treguar shenja aktiviteti në Shqipërinë qendrore dhe jugore deri në dhjetor 1948. Por prej asaj kohe, komiteti drejtues ka urdhëruar ndalimin e aktivitetit prej frikës së eliminimit nga autoritetet komuniste. Organizata beson se lëvizja anti-komuniste e rezistencës mund të ruhet e gjallë me anë të ndikimit te populli dhe krijimit të sloganeve, në mënyrë që ajo të jetë e suksesshme kur më në fund të vijë dhe mbështetja nga jashtë. Për këtë ata kanë tentuar të kontaktojnë me autoritetet greke dhe Aleate. Mendësia e matur e organizatës është korrekte pasi eksperienca e ka treguar se asnjë organizatë e tillë nuk ka mundur të ekzistojë në të kaluarën pa mbështetje nga jashtë.

Emrat

Në lidhje me liderët politikë jashtë Shqipërisë, organizata dëshiron të bashkëpunojë me ato grupe që nuk kanë treguar armiqësi ndaj popullit shqiptar në të kaluarën e afërt. Për këtë arsye ata refuzojnë të bashkëpunojnë me njerëz si Ismail Vërlaci, Koço Muka, Ali Këlcyra, Pandeli Papalilo dhe të tjerë që i konsiderojnë vegla të interesave të huaja dhe kundër popullit shqiptar. Përgjithësisht organizata është e gatshme të kundërshtojë këta njerëz njësoj si dhe komunizmin pasi program i i ndjekur prej saj pretendon 1) largimin me të gjitha mjetet të regjimit të Kuq dhe 2) ftesën e popullit për zgjedhje të lira dhe zgjedhje me liri të plotë të sistemit qeveritar që dëshirojnë. Grupi “Bashkimi Kombëtar” nuk ka simpati për tentativat e Titos për përmbysjen e Hoxhës dhe nuk ka interes në zëvendësimin e regjimit komunist me një qeveri pro-jugosllave. Me gjithë sulmet sovjetike ndaj tij, Tito nuk e kufizon veten te vetëmbrojtja pasi po përgatitet për veprim kundër Hoxhës, dhe kjo provohet nga disa fakte të kohëve të fundit. Një prej tyre është gjyqi në Tiranë i shqiptarëve që punonin si agjentë të rrjetit të atasheut jugosllav Savo Bozidaroviç, apo ndoshta dhe aktiviteti i Koçi Xoxe dhe arrestimi i tij i mëpasshëm. 2000 deri në 2500 shqiptarë anti-komunistë janë larguar në Jugosllavi të cilët Tito i ka organizuar në një Komitet për Çlirimin e Shqipërisë, por për të evituar pasojat Komiteti nuk mban asnjë shenjë nga mbikëqyrja e qeverisë së Beogradit. Nacionalistë të burgosur shqiptarë si vëllai i Muharrem Bajraktarit janë liruar nga burgu dhe vënë në kryesinë e komitetit të refugjatëve. Për të treguar vëmendje ndaj shqiptarëve Beogradi i ka dhënë autonomi rajonit shqiptar të Kosovës duke hapur shkolla shqipe e duke lejuar gazeta në gjuhën e tyre. Këto praktika kanë fituar mbështetjen e shumë shqiptarëve. Komiteti jugosllav i refugjatëve ka degën e tij politike dhe atë të armatosur. E para është e vendosur në Prizren ndërsa e dyta në Pejë. Ndërsa në Podgoricë ka një qendër pritjeje për refugjatët shqiptarë. Komiteti politik përfshihet në shpërndarje propagande për shqiptarët me anë të radios e gazetave, ku këshillon ata të përqendrojnë rezistencën në veri të vendit dhe jo në jug, pasi ndoshta i paraprin tolerimeve të mundshme për Greqinë.

Grupet e rezistencës

Në veri të linjës Vlorë-Berat-Elbasan janë aktive grupet e mëposhtme të rezistencës: Në rajonin e Elbasanit janë aktive dy grupe; njëri i drejtuar nga Qerim Muzhaqi dhe tjetri nga Sul Selimi. Në rajonin e Durrësit është një grup prej tre personash i drejtuar nga Ram Habili. Në rajonin Tiranë-Krujë ka dy grupe të vogla të drejtuara nga Ban Kupi dhe Idriz Veseli. I pari është dorëzuar te autoritetet komuniste në shkurt pas publikimit të një oferte amnistie. Në rajonin e Burrelit ka një grup rezistence të drejtuar nga Bilal Kola. Ndërsa në rajonin Mirditë-Kukës-Peshkopi ka grupe të drejtuara nga Cen Elezi, Dan Kaloshi, Ali Bajraktari, Ram Kazazi e Pjetër Lleshi. Këto grupe janë më të fuqishme sa i përket numrit të anëtarëve. Në rajonin Pukë-Tropojë ka një grup rezistence të drejtuar nga i biri i ish-kreut të partisë fashiste shqiptare, ish-ministrit të jashtëm, kolaboracionistit Kol Bibë Mirakaj. Në rajonin e Shkodrës ka një grup të drejtuar nga Dik Gjeloshi. Por gjithsesi këto grupe nuk plotësojnë kushtet e grupeve të rezistencës anti-komuniste pasi janë në fakt banda të kërkuarish nga drejtësia, të cilët kanë arritur të mbijetojnë duke i shpëtuar persekurtiit të regjit të Hoxhës. Nga të gjitha grupet e përmendura më sipër, qofshin ato në Jugosllavi ose në Shqipëri, shumica drejtohen ose instruktohen nga jugosllavët me anë të komitetit të tyre shqiptar. Një fakt interesant është se gjatë muajve shkurt-maj 1949 ka pasur ato që dukeshin si përplasje mes forcave qeveritare dhe grupeve disidente. Në veri të Shqipërisë aktiviteti i guerilasve nacionalistë është më i theksuar dhe ka pasur përplasje të shpeshta pranë zonave kufitare me Jugosllavinë, shumica e tyre mes njësive kufitare të dy vendeve. Aktiviteti i guerilasve të armatosur në zonat e Shkodrës e Kukësit gjithashtu po shtohet. Informacionet e fundit flasin për hedhjen në erë të një ure 200 metra të gjatë mbi lumin Buna, rreth 4-5 km në jug të Shkodrës. Për arsye të këtij aktiviteti qeveria shqiptare dita ditës po bën hakmarrje ndaj masave popullore të zonave problematike dhe po internon familjarët e të arratisurve në Jugosllavi. Numri i saktë i të arrestuarve apo i të larguarve nuk dihet, por informacioni i vetëm është në 20 qershor 1949 ka pasur rreth 3500 të larguar shqiptarë në rajonin e Tepelenës dhe në kazermat e Turoni të qytetit. Një tjetër raportim flet për arrestime të shumta të personave të dyshuar si anti-komunistë në të gjithë Shqipërinë. Personat e mëposhtëm raportohet se janë tashmë në Jugosllavi dhe punojnë për lëvizjen shqiptare të Titos: Çaf Bej Ulqinaku, zyrtar i lartë gjatë pushtimit gjerman, i larguar në Vjenë pas luftës, pra disa muajsh tashmë në Beograd; Cen Elezi një nga bajraktarët më të mëdhenj në veri të Shqipërisë;l Dan Kaloshi, Nik Sokoli, Menti Ndreu, i biri i myftiut të Shkodrës, i biri i Mirakajt, Pam Kazazi, Ali Këlcyra, Dik Bajraktari. Vëllai i Muharrem Bajraktarit, i cili ishte dënuar me vdekje nga jugosllavët, është falur tashmë dhe po punon në rajonin e Kosovës kundër Hoxhës. Të gjithë këtyre anti-komunistëve u është dhënë prestigj në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, megjithëse janë vetëm shqiptarë oportunistë që ashtu siç kanë bashkëpunuar me pushtuesit fashistë e nazistë, tani bashkëpunojnë me Titon duke ditur se ai po i shfrytëzon për qëllimet e tij ekspansioniste.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here