Haradinaj paralajmëron tërheqjen: Gati të diskutojmë për tregtinë e lirë me Serbinë

0
461

Presioni i Uashingtonit për taksën ndaj produkteve serbe nisi dje të japë rezultatet e para, teksa pas takimit të krerëve të shtetit me nënsekretarin amerikan të çështjeve politike David Hale, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova është e gatshme të diskutojë mes të tjerash, dhe për tregtinë e lirë me Serbinë. Takimi me dyer të mbyllura mes Hale, Haradinajt, presidentit Thaçi, kryeparlamentarit Veseli dhe ambasadorit Philip Kosnett në ambientet e ambasadës, ishte faza e fundit e rekomandimit të SHBA për heqjen e taksës së Kosovës por dhe konfirmim i mbështetjes së SHBA për Prishtinën. Haradinaj në komentet e tij nuk foli drejtpërsëdrejti mbi taksën por tha se Kosova ishte e hapur për dialog. “E ritheksova se ne jemi gati për dialog dhe ftojmë Serbinë që t’i kthehet tavolinës e të diskutojmë të gjitha çështjet e hapura duke përfshirë edhe tregtinë e lirë dhe të arrijmë një marrëveshje që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues”, ka shkruar Haradinaj.

Përkushtim i SHBA për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjithashtu tha se në takim in “Kosova përsëriti zotimin se është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Për këtë edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Platformën për Dialogun”. Ambasadori i SHBA në Kosovë, Philip Kosnett komentoi se nënsekretari Hale ka vlerësuar qëndrimet e liderëve të Kosovës dhe ka nënvizuar përkushtimin e SHBA për Kosovën dhe rajonin.“Ndjehem mirë që jam në Kosovë për të diskutuar se si Shtetet e Bashkuara dhe Kosova mund të vazhdojnë bashkëpunimin në ndërtimin e paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për Kosovën dhe rajonin”,tha Hale. Edhe kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook tha se ka ritheksuar qëndrimin e Kosovës për rikthimin e dialogut me Serbinë “ku do të diskutohen të gjitha çështjet përfshirë edhe tregtinë e lirë që të arrihet marrëveshje me njohje në kufijtë ekzistues”.

Hale refuzon spekulimet

Në një intervistë me mediat vendase pas takimit me krerët e shtetit, nënsekretari amerikan i shtetit David Hale, i ka hedhur poshtë spekulimet mbi përkeqësimin e raportet Kosovë – SHBA. Hale ka thënë se u takon palëve që të merren vesh, kurse SHBA do t’i mbështes në këtë proces. Zyrtari i lartë amerikan ka thënë që SHBA dhe shtetet e BE-së në përgjithësi kanë qëndrim të njëjtë për zgjidhjen e problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Hale gjatë kësaj interviste është treguar jashtëzakonisht i matur në përzgjedhjen e fjalëve, duke mos akuzuar asnjë lider të Kosovës si pengues të dialogut. Ai madje ishte i kujdesshëm edhe për çështjen e taksës. Spekulimet e javës së kaluar se ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të tërhiqen nga Kosova, nëse Qeveria e Kosovës e pengon dialogun, nënsekretari i shtetit nuk i ka komentuar, por ka thënë që përkushtimi i SHBA-së në Kosovë do të vazhdojë i pandryshuar. “Asgjë nuk ka ndryshuar në përkushtimin tonë”, ka thënë ai./Andi LAMKO

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here