Rrapo Taho: Futbolli shqiptar barbar, në kampionat vetëm 50 minuta janë lojë efektive

0
820

Futbolli shqiptar u trondit javën e kaluar nga një ngjarje e dhunshme e ndodhur në përfundim të ndeshjes Kamza-Laçi, ku zyrtarët dhe tifozët e klubit të Kamzës dhunuan brutalisht gjyqtarin Eldorian Hamiti. Aktet e dhunës ndaj arbitrit në fjalë çuan në reagimin e shoqatës së gjyqtarëve që bojkotuan aktivitetin dhe kërkuan kthimin e policisë në stadiume, një lëvizje të cilës iu bashkua edhe FSHF, e cila ndërpreu garën pa afat në të gjitha kategoritë dhe grupmoshat. Kjo çon në zhytjen e futbollit në kaos dhe një paqartësi në rritje, teksa është planifikuar të hënën një tryezë sigurie me kreun e futbollit Duka, ministrin e brendshëm Lleshaj dhe kryeministrin Rama, me shpresën e një zgjidhjeje që të kënaqë palët dhe t’i hapë rrugën rikthimit normal të aktivitetit. Në lidhje me këto zhvillime, “SOT” intervistoi një prej ikonave të futbollit vlonjat dhe atij kombëtar, Rrapo Taho, i cili shprehu keqardhje për këtë katrahurë që po shoqëron futbollin në vend, duke vënë gishtin tek presidentët e klubeve që nuk sillen mjaftueshëm mirë, si dhe lojtarët grindavecë që ankohen pas çdo vërshëllime të arbitrave. Për Tahon duhet kthyer policia në stadium si masë sigurie, ndërsa nuk la jashtë vëmendjes edhe pritshmëritë e Kombëtares në prag të eliminatoreve të Euro-2020.

Kampionati është ndërprerë si pasojë e bojkotit të arbitrave, një veprim i kushtëzuar nga dhuna që plasi në stadiumin e Kamzës. Ka pasur shumë deklarata por thelbi i qëndrimeve të FSHF-së dhe aktorëve të futbollit është kthimi i policisë në stadiume. Si e shihni zgjidhjen e këtij ngërçi të krijuar?

Futbolli shqiptar po degjeneron. Ngjarjet e fundit na kujtojnë se situata nuk jep optimizëm. Sjellja e drejtuesve të klubeve nuk është normale, do të thosha është ekstremiste. Ky nuk është një futboll normal, por një barbarizëm i paparë, që nuk i bën nder futbollit. Janë sjellje jo normale dhe zhvillime që nuk e ndihmojnë aspak futbollin. Nuk na vjen aspak mirë që ndodhin këto në shtetin tonë dhe këto ngjarje (por edhe të tjera) na vënë në pikëpyetje a do të mund të bëhemi ndonjëherë seriozë dhe profesionistë si bota. Kultura jonë e sjelljes në tërësi dhe e futbollit në veçanti është e dobët. Masat e policisë duhet të merren në përputhje me ligjin. Sporti nuk bëhet me dhunë, por me talent dhe organizim serioz. Kemi kuptuar nga këto ngjarje që stjuartët nuk e ruajnë qetësinë në stadiume, shumë prej tyre i bëjnë bisht përgjegjësisë, gjë që duket dhe nga pamjet filmike që janë dhënë. Kuptohet, pesha e rrobës së policisë është vendimtare dhe për këtë arsye duhet të kthehet policia në stadiume. Privatët nuk e bëjnë dot, u vërtetua që s’e bëjnë dot. Nuk janë pjekur kushtet dhe nuk e kemi në stadiumet tona atë kulturë që është e domosdoshme për të parë një futboll normal. Prandaj, jam i shokuar nga pamjet e fundit dhe njëherësh shoh skepticizëm rreth këtij fenomeni.

Duhet të kapim thelbin e problemit. Dhe gishti shkon tek arbitrat, vendimet e të cilëve krijojnë përplasje në fushë dhe në shkallët e stadiumit. Sipas jush, a kanë faj gjyqtarët në këtë histori?

Nuk janë gjyqtarët që sjellin dhunën në stadiumet tona, por presidentët e kubeve. Unë nuk e vë në dyshim që ka dhe ndonjë gjyqtar që mund të jetë i korruptuar, apo gabime gjyqtarësh që në fund të fundit janë njerëzore, por nxitësit e dhunës janë vetë drejtuesit e klubeve. Ne kemi gjyqtarë shumë të mirë futbolli dhe në tërësi kanë arbitruar mirë, pra nuk duhet etiketuar e keqja me gjyqtarët. Sigurisht, kanë dhe ata fajin e tyre, por ne nuk duhet të lëmë pa përmendur dhe vetë lojtarët, që shkaktojnë dhunë, një pjesë janë grindavecë dhe nuk kanë haberin e profesionalizmit. Ne nuk kemi VAR-in të instaluar këtu dhe jemi të detyruar të pranojmë vendimet që jep arbitri dhe jo pas çdo vendimi që jep arbitri duhet ndërprerë loja dhe krijuar tension, prandaj dhe vetë futbollistët janë përcjellës të dhunës. Si përfundim, e parë në tërësi, për mua sjellja e arbitrave është korrekte. Mendoj se ka pasur klube që janë penalizuar shumë nga vendimet jo vetëm të arbitrave, por kjo është histori tjetër.

Çfarë keni parasysh me këtë?

Kam parasysh Flamurtarin, i cili është “masakruar” nga penalizimet këtë sezon, si asnjë klub tjetër. Dhe jo vetëm prej gjyqtarëve, por kjo është një histori tjetër që kërkon analizë më të plotë dhe në kohën e duhur. Duke u kthyer tek dhuna që ndodhi në kampionat dhe ndërprerja e garës, duhet ta pranojmë që s’na vjen mirë, por situata është kjo që është. Megjithatë, ka vend për të rikuperuar dhe për ta marrë këtë ngjarje si një mësim të mirë. Jam i bindur që edhe vetë dhunuesit janë bërë pishman për sjelljen e tyre, me siguri që edhe ata kanë reflektuar për këtë rast dhe kanë kuptuar që në futboll nuk shkon dhuna. Ç’kuptim do të kishte futbolli nëse do të shoqërohej me dhunë? Nga ana tjetër, nuk mendoj se duhej ndërprerë gara. Është bërë një bojkot, ndoshta ishte i detyruar, por unë s’shoh zgjidhje me ndërprerjen e garës.

Pse?

Sepse bojkoti e dëmton garën, jo vetëm si imazh, por edhe në aspektin cilësor. Sigurisht, ka ekipe që thonë se i kanë marrë masat, sidomos këta që pretendojnë titullin, por ndërprerja e garës sjell pasoja të tjera në stërvitshmëri dhe hap probleme të karaktereve të tjera.

Ka një ligj për sjelljen e policisë në ndeshjet e futbollit. Gjithë kjo katrahurë erdhi nga fakti se me ndryshimet në ligjin për sportin, policia nuk rri brenda impianteve, por jashtë tyre. Nëse tentojmë sport profesionist si e gjithë bota, duhet që klubet të paguajnë stjuartët…

E kemi ligjin sigurisht, nuk na mungojnë ligjet, por nga ajo që shihet duhet pranuar se policia jashtë stadiumit nuk bën punë, duhet futur brenda. Pas ngjarjeve të fundit kjo është bërë domosdoshmëri, nuk mund të zhvillohen ndeshjet tek ne pa prezencën e uniformave blu në stadium, ky është fakt evident tashmë. Shpresoj të gjendet një zgjidhje që çliron ngërçin e krijuar nga bojkoti i arbitrave dhe ndërprerja e garës, për t’i hapur rrugën zhvillimit të një kampionati normal. Na duhet futbolli dhe të gjithë aktorët duhet të përpiqen të bëjnë më të mirën e tyre për të pasur garë të qetë dhe “fair-play”.

Meqë po flasim për kampionatin, me atë që është luajtur deri tani në Superiore, si do ta përshkruanit nivelin e garës në përgjithësi?

Futbolli ynë ka një nivel mesatar, me Partizanin në vend të parë dhe që për mendimin tim e ka mbyllur garën sepse e shoh favorit kryesor për të fituar titullin. Njëherësh uroj t’ia dalë në objektivat e tij, megjithëse shoh që ka shumë probleme dhe nuk është vetëm Partizani, por ka disa skuadra që nuk prodhojnë lojë. Për mendimin tim është një futboll i dobët, i ngadaltë, të cilit i mungon qartësia dhe shpejtësia. Punohet me objektivin “hajde të marrim pikët se ato janë të rëndësishme” dhe nuk punohet aspak për të pasur kampionat të bukur, që të prodhohet lojë, që të ketë rrjedhshmëri në aksione etj. U përjashtua Kamza dhe mendohet “hajde të shohim çfarë përfitojmë nga kjo gjë, sepse ky do të marrë aq pikë e ne kaq pikë”. Mendohet sot për sot e aspak për një garë të gjatë, ku stërvitja serioze duhet të jetë në bazë të suksesit.

Mos ndoshta këto mangësi lidhen me formimin e dobët të lojtarëve tanë në akademitë e klubeve?

Jo, nuk besoj se është kjo, ne kemi trajnerë shumë të mirë, por nuk kemi lojtarët në nivel cilësor. Unë e thashë pak më lart, futbollit tonë i mungon shpejtësia dhe zhdërvjelltësia në aksione. Është i ngadaltë dhe një pjesë e konsiderueshme e kohës shpenzohet për gjëra koti, me ndërprerje të pakuptimta, vonesa loje të pajustifikuara, grindje me arbitrat etj. Kjo sjell një futboll jo cilësor, nga 90 minuta që zgjat një ndeshje, në kampionatin shqiptar lojë efektive bëhen vetëm 50 minuta, shumë pak krahasuar me kampionatet profesioniste. Është turp ta thuash por këtu ka lojtarë që dalin nga fusha me bluzë të padjersitur. Çfarë futbolli qenka ky? Kjo lojë njeh përparime të jashtëzakonshme në planin tekniko-taktik, për rrjedhojë përgatitja fizike duhet të jetë në lartësinë maksimale. Futbolli ynë është rastësor, nuk më tërheqin aspak ndeshjet, sepse futbollistët nuk kanë qartësi në veprimet e tyre, nuk bëhet një lojë e rrjedhshme për pasojë nuk ka bukuri. Është thjesht futboll rastësor, asgjë më shumë. Nuk shohim një kundërsulm serioz të një skuadre, shumicës së skuadrave nuk u funksionon sulmi, por kjo duhet parë në mos ekipet kanë mangësi në përgatitjen fizike. Që futbolli të jetë më i shpejtë dhe i rrjedhshëm duhet që të ketë përgatitje të fortë fizike e ndoshta kjo mungon tek ne.

Së shpejti nisin eliminatoret e Europianit. Ne do të përballemi në një grup të vështirë me skuadra të forta. Pas dështimit në Ligën e Kombeve, trajnerit Panuçi këtë herë nuk i falen më gabimet. Në tërësi gjendja e grupit tani është më e mirë, sepse janë kthyer disa titullarë që mungonin për shkak dëmtimi. Çfarë parashikoni në këto eliminatore? Sa shanse ka skuadra jonë?

Dua të jem, optimist dhe kam kuptuar që edhe Panuçi është optimist. Më pëlqen ky optimizëm i tij dhe dua ta shoh me shpresë skuadrën në këto eliminatore. Natyrisht, asgjë nuk është e lehtë, jemi në një grup të vështirë, me skuadra të vështira. Por shanset për të arritur objektivin ekzistojnë dhe besoj se Panuçi do t’i përkushtohet këtij objektivi. Unë shoh që ai ka nisur të lëvizë, po i ndjek lojtarët në kampionatet ku luajnë dhe ka krijuar një përfytyrim të saktë për futbollistët mbi gjendjen e tyre sportive, pra ai po përpiqet të afrojë lojtarë cilësorë. Mos harrojmë, shumë lojtarë që ai angazhoi më parë ishin rezervë në skuadrat e tyre në kampionatet ku luanin, por tani ka një mundësi zgjedhjeje më shumë. Dhe duke pasur mundësi zgjedhjeje jam i bindur që ai do të seleksionojë elementët e duhur për të përballuar eliminatoret. Mendoj se mund të bëjë një goditje të fortë dhe me goditje nënkuptoj që të kalojmë grupin. Ka shumë që e kritikojnë trajnerin, por unë prirem të besoj se Kristian Panuçi është trajner i aftë dhe do të bëjë gjëra të mëdha me Kombëtaren.

Intervistoi: Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here