CIA tregon detajet, ja si Enver Hoxha nisi “luftën” ndaj mendësive borgjeze dhe roli i sovjetikëve në regjimin komunist

0
419

Amerikanët japin të tjera detaje nga bashkëpunimi i Shqipërisë me BRSS 

CIA tregon se më 1959 Enver Hoxha nisi sulmet dhe ndaj intelektualëve. Në një fjalë që ai mbajti më 1959 ai akuzoi intelektualët se nxisnin borgjezinë dhe revizionizmin. Nga ana tjetër, tregohet se si nisën dhe arrestimet në radhët e fesë, ku disa priftërinj u arrestuan me akuza se ishin spiunë të Jugosllavisë.

Shtator 1959

Kërkesat periodike 1 shtator – 31 dhjetor 1951

Partia e Punës së Shqipërisë nën drejtimin e Enver Hoxhës vazhdon të ndjekë linjën e ashpër politike pa hasur opozicion të konsiderueshëm nga brenda partisë. Linja e saj është aprovuar nga udhëheqësi sovjetik Hrushov gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë më 25 maj deri më 4 qershor. Megjithëse një përmirësim i vogël i kushteve të jetesës i ka dhënë regjimit një rritje të vogël të popullaritetit, partia qëndron e gatshme si gjithmonë për të përballuar çdo opozicion popullor me masa të forta represive. Sipas raportimeve të refugjatëve, mes radhëve të partisë vazhdon të ekzistojë një masë disidence, megjithë shtypjen e ashpër ndaj titistëve vitet e fundit. Prandaj ne duhet të zbulojmë nëse ekziston ende titizimi brenda partisë apo nëse ka kontradikta për politikat ekonomike. Në një fjalim të 24 qershorit 1959 në Gjirokastër, Hoxha sulmoi si intelektualët e vjetër dhe të rinj, duke pretenduar se tendencat oportuniste, revizioniste dhe të borgjezisë së vjetër vazhdonin ende mes këtyre klasave. Ajo që na intereson të dimë është sa e përhapur është kjo mendësi dhe në cilat pika mendësia borgjeze e intelektualëve përplaset me atë komuniste? Cilat segmente të inteligjencës shqiptare e kanë më të theksuar dhe çfarë masash dënuese po merren? Para sheshimit të polemikave anti-jugosllave në prag të vizitës së Hrushovit, ka pasur një numër gjyqesh kundër të akuzuarve si spiunë jugosllavë, mes të cilëve ishin dhe dy priftërinj katolikë. Raportime të mëtejshme thonë se priftërinjtë katolikë të burgosur kanë qenë të shumtë, që do të thotë se në fakt kemi të bëjmë me një fushatë të posaçme kundër klerit katolik në Shqipëri. Objektivat tona janë zbulimi i asaj që po bëjnë autoritetet ose që planifikojnë të bëjnë në të ardhmen për eliminimin e burokracisë. Gjithashtu me interes është masa e korrupsionit që praktikohet nga punonjësit civilë, si dhe suksesi ose dështimi i rregullit për 30 ditë në vit punë vullnetare për punonjësit e administratës. Dëshirohet gjithashtu informacion për veprimet e përditshme të dikastereve të qeverisë, marrëdhënien mes tyre dhe qeverisë qendrore në Tiranë. Shqipëria nuk ka shpallur zyrtarisht “hapin e madh përpara” apo përshpejtim të operacioneve ekonomike siç kanë bërë vende të tjera komuniste, prandaj nevojitet të dimë nëse ka prova se regjimi po intensifikon shtypjen politike përkrah rritjes së objektivave ekonomike.

Kontrolli sovjetik

A po i lejon BRSS Shqipërisë më shumë autonomi në vendimet e brendshme sesa vendeve të tjera satelite? Sa ka ndryshuar masa e kontrollit të Moskës vitin e fundit? A ka ndryshuar përbërja e figurave sovjetike në Shqipëri? Si i ka prekur kontrolli sovjetik personalitetet shqiptare që kanë të bëjnë më shumë me ta? A po luan ambasadori sovjetik Ivanov rol më të madh në Shqipëri nga pararendësi i tij Krilov? Nevojitet gjithashtu informacion për organet e sigurisë dhe policisë, duke përfshirë dhe rojet kufitare, struktura e tyre e organizimit, figurat kryesore dhe forcën e tyre. Cili është opinioni i popullsisë ndaj Sigurimit dhe organeve të tjera të shtypjes? A ka prova se Shqipëria do të riorganizojë sistemin e saj arsimor sipas sistemit të shkollave “politeknike” të ngjashëm me atë sovjetik? Nëse do të ketë ndryshime në arsim,l cili është reagimi i mësuesve, prindërve e nxënësve? Si ndryshojnë reagimet mes popullatave urbane dhe atyre rurale? A mendojnë shqiptarët se po shfrytëzohen nga Bashkimi Sovjetik? Cili është reagimi ndaj fushatës së përshpejtimit ekonomik? Deri ku ia ka arritur regjimi të fitojë mbështetje për fushatën e tij anti-jugosllave? Cili është reagimi i popullatës ndaj idesë së instalimit të bazave të raketave sovjetike në Shqipëri? Cili është perceptimi i përgjithshëm popullor për SHBA? Çfarë sjelljeje ka ndaj refugjatëve që kthehen nga SHBA? A ka influencuar vizita e Hrushovit opinionin publik në ndonjë mënyrë? Po atë ndaj Italisë, Greqisë e Jugosllavisë? Më 27 prill 1959 qeveria njoftoi një seri uljesh çmimesh dhe rritje të çmimeve të pranimit të mallrave bujqësore. Këto masa ndikuan në një përmirësim të jetesës së popullatës fshatare dhe mund të kenë nxitur rritjen e prodhimit bujqësor. Si kanë influencuar këto lëvizje në opinionin publik?

Çështjet e jashtme

Megjithëse Tirana e Ankaraja pranuan të rihapin marrëdhëniet diplomatike në qershor 1958, vetëm në qershor 1959 ambasadori turk Hasan Nureglin erdhi në Tiranë. Në këtë kohë Shqipëria nuk ka marrëdhënie me Greqinë e Jugosllavinë, prandaj Turqia bëhet vendi i parë jo-komunist i Ballkanit me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie normale. Nevojitet çdo informacion i mundshëm mbi trajtimin dhe pritjen e Nureglin si dhe për trajtimin e misionit shqiptar në Ankara. Prej qershorit 1959 janë ringjallur sulmet anti-jugosllave të Shqipërisë, edhe pse nuk kanë arritur intensitetin e sulmeve të kohës para vizitës së Hrushovit. A ka ngacmime ndaj diplomatëve jugosllavë në Tiranë? A do të rinisë Tirana praktikën e sulmeve personale ndaj Titos? Çdo informacion mbi arrestimet dhe gjyqet e spiunazhit është me vlerë, si dhe informacionet mbi incidentet kufitare. Megjithëse vendi nuk ka marrëdhënie zyrtare me Greqinë që prej kohës së luftës, relatat janë përkeqësuar muajt e fundit. ka pasur një incident kufitar në 30 mars 1959 dhe instalimi i kohëve të fundit i bazës raketore të NATO në Greqi e ka tensionuar më tepër gjendjen. Gjyqi i Manolos Glezos gjithashtu ka shkaktuar komente të hidhura nga Tirana, prandaj na interesojmë të dimë nëse do të mund të arrihet marrëveshja e këmbimit të mbetjeve të ushtarëve të dy vendeve, të vrarë në Luftën II Botërore? A do të hapet Tirana për një përmirësim të marrëdhënieve me Athinën në kuadër të një akordi ballkanik? Çfarë do të bëjë Tirana për të bërë presion ndaj Greqisë që ajo të marrë jesh në konferencën e Ballkanit? Me sa duket BRSS ka instaluar një bazë nëndetësesh në gjirin e Vlorës dhe punime të gjera vazhdojnë në ishullin e Sazanit. Informacionet mbi ekzistencën, masën dhe qëllimin e këtyre punimeve janë të dobishme, siç janë dhe informacionet për shtimin e trupave ushtarake në Vlorë.

Ekonomike

Llogaritet se objektivi i vitit 1960 për futjen në kooperativa të 70 për qind të tokave të punueshme nuk është arritur në qershor 1959. Por me sa duket janë të pakta përpjekjet për zgjerimin e zonave të kolektivizuara, dhe do ishte me interes të dinim arsyet për këtë. Gjithashtu ndalimi i procesit të bashkimit të kooperativave është në kundërshtim me politikat e ndjekura nga vende të tjera satelite. Prodhimi i mineralit të hekur-nikelit pritet të arrijë në 200 000 ton në 1960 dhe në rreth 500 000 ton deri në 1965. Çekosllovakia po furnizon me pajisjet për zhvillimin e minierave, importon minerare dhe i proceson për të marrë nikelin. Planet për ndërtimin e një impianti nikeli në Sllovaki në 1962 tregon se Shqipëria do të vazhdojë eksportimin e mineraleve pa mundësi procedimi në vend. Edhe prodhimi i kromit pritet të arrijë në 500 000 ton në vit deri në 1965, prandaj nevojiten informacione mbi plane të mundshme të ndërtimit të impianteve të përpunimit të kromit ose hekur-nikelit, ose plane investimesh në teknologjinë e nxjerrjes së tyre. Nevojitet gjithashtu një llogaritje e rezervave totale të këtyre mineraleve në vend. Ndihma sovjetike; Në fillim të korrikut 1959 u njoftua se Shqipëria po merrte një tjetër kredi sovjetike me vlerë rreth 300 milionë rubla, për financimin e projekteve industriale e bujqësore. Çdo detaj mbi kohëzgjatjen e kredive, kushtet e shlyerjes, projekteve të përfshira etj. do të ishte me vlerë.

Maj 1961

Lidhjet e Shqipërisë me Kinë-BRSS

Aftësia e Shqipërisë për t’iu shmangur udhëheqjes së Moskës në sistemin e satelitëve të Evropës Lindore, është simbol i marrëdhënieve të tensionuara në bllok mes Moskës e Pekinit. Këtu përfshihet gjithashtu situata e Shqipërisë dhe frika e saj nga fqinjët ballkanikë, të cilët mirëpresin çdo mundësi për të ndërhyrë. Të preokupuar gjithashtu me ruajtjen e rendit të brendshëm dhe ekonominë më primitive në Evropë, udhëheqësit shqiptarë kanë qenë të pakënaqur me politikat sovjetike që prej vdekje së Stalinit. Mes të tjerave ata janë ankuar për përmirësimin e marrëdhënieve të bllokut me Jugosllavinë në 1954. Një tjetër mundësi për këtë erdhi në pranverën e 1960, kur Pekini doli hapur me debatin e tij me Moskën. Në të dyja konferencat komuniste, si në atë të Bukureshtit në qershor dhe në të nëntorit në Moskë udhëheqësit shqiptarë Hoxha e Shehu e vendosën vendin e tyre në mënyrë të pamohueshme përkrah Pekinit. Prej nëntorit ata kanë përmendur disa herë pakënaqësitë me Moskën, megjithëse mes vetë Moskës e Pekinit publikisht marrëdhëniet dukeshin të qeta. Në samitin e Paktit të Varshavës në mars Shqipëria dërgoi një delegacion të nivelit të dytë dhe përsëritën opozicionin ndaj politikave sovjetike. Lëvizja e fundit kundër Moskës ishte gjyqi publik këtë muaj i dhjetë “tradhtarëve e spiunëve” të akuzuar se kërkonin të përmbysnin pushtetin në Shqipëri, si agjentë të Greqisë, Jugosllavisë e Shteteve të Bashkuara. Por në fakt dëshmitë e gjyqit i drejtoheshin Bashkimit Sovjetik dhe politikave të tij, veçanërisht atyre ndaj Jugosllavisë. Grushti i pretenduar i shtetit jo vetëm që nuk kishte të bënte me Perëndimin por ishte tentativa e BRSS vitin e kaluar për të spastruar partinë shqiptare nga elementët anti-sovjetikë dhe pro-kinezë. Pas kësaj tentative Moska e ka sulmuar Shqipërinë vetëm me presionin ekonomik, me nënkuptime në fjalimet e saj dhe me kritikat direkte të liderëve të partive satelite sovjetike, si udhëheqësi gjermano-lindor Ulbricht dhe kreu komunist italian Togliatti. Ndërsa komunistët kinezë nga ana tjetër kanë treguar në shumë mënyra mbështetjen për qëndrimin “heretik” shqiptar. Ata kanë zëvendësuar Moskës si furnizuesi kryesor i grurit për Shqipërinë duke dhënë rreth 180 000 ton që prej shtatorit të shkuar, përkundër 70 000 ton nga BRSS, një pjesë e së cilës është blerë me para në dorë nga Kina megjithë krizën e urisë në vend. Në prill at njoftuan një akord të ri miqësie me Tiranën dhe kredi prej rreth 125 milionë dollarë për planin pesë-vjeçar 1961-1965. Këto veprime reduktojnë aftësinë e Moskës për të ushtruar presion ekonomik ndaj Tiranës. Duke reflektuar debatin e gjerë me Moskës e Pekinit, problemi shqiptar tashmë ka marrë përmasa më të mëdha në Moskë, e cila herët e vonë do të marrë masa për ta eliminuar. Pro aftësia momentale e Tiranës për të bërë atë që nuk arriti të bënte Hungaria, i ka hapur sytë vendeve të tjera të orbitës sovjetike që kërkojnë më shumë pavarësi dhe atyre që kanë simpati për orientimin e majtë të Kinës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here