Sukses i Antigonës së Laura Nezhës, në Teatrin Eksperimental

    0
    461

    Drama “Antigona” nga e enjtja deri mbrëmjen e së dielës vjen për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vepra shkruar nga Jean Anouilh përkthyer nga Ekrem Basha e sjell regjisorja Andrea Brusque. “Antigona” vjen me gjithë fuqinë që një tragjedi e sjellë në kohët moderne mund të ketë. “Lufta për pushtet, revolta ndaj tiranit, dashuria, të gjitha ngjyrat që një shfaqje mund t’ju sjellë”, shkruan teatri. Këtë herë regjisorja franceze i ka besuar rolin kryesor atë të Antigonës aktores së njohur Laura Nezha. Ky rol ka sjellë sukses për aktoren Nezha, e cila është vlerësuar nga publiku, por dhe kritika. Antigona e Jean Anouilh, është një heroinë që përcjell mesazhe që i kalojnë kufijtë. Me interpretimin e aktores Laura Nezha është historia e një vajze të re që thotë jo, që kundërshton. Ajo thotë atë që mendon, dhe kjo liri e të shprehurit do t’i kushtoj jetën. Përballë Antigonës edhe më i fuqishmi bëhet i dobët. Aktorja Laura Nezha për këtë rol është shprehur se është me fat që interpreton Antigonën. “Jam me fat, që më është besuar ky rol. Antigona më ka bërë të dashurohem pas saj, për disa elementë të çiltërisë dhe pastërtisë, që them se duhet ruajtur, se janë vlera shumë njerëzore, të shoqërisë e aq më tepër shqiptare. Që në momentin që ajo kundërshton, më ka bërë për vete, sepse nuk do që të bëjë kompromise. Më ka bërë për vete kjo heroinë e kohëve moderne”, u shpreh aktorja. Rolet në dramë interpretohen nga Laura Nezha, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Xhino Musollari, Xhulia Musagalliu, Adriana Tolka, Endri Çela, Klejdi Metaj. Skenograf në shfaqje është Beqo Nanaj dhe kostumografe Sofi Kara. “Antigona” e Jean Anouilh është një përshtatje e tragjedisë së Sofokliut me të njëjtin titull. E shkruar në vitin 1942, kur trupat naziste pushtuan Francën, historia sillet rreth konfliktit të Antigonës idealiste dhe xhaxhait të saj të ngurtë, Kreonit, në lidhje me varrimin e vëllait të Antigonës, Poliniku. Gjithashtu vepra u interpretua se përfaqësonte luftën e lëvizjes së rezistencës franceze kundër forcave të qeverisë Vishi gjatë kulmit të pushtimit nazist.

    Antigona në skenë

    Varianti i Anouilh i Antigonës prek tema si tragjedia, meta-teatri, idealizmi i rinisë, kompromiset e moshës madhore, dueli mes moralit dhe politikës, si edhe zgjedhjet dhe paqartësitë e jetës në një botë komplekse jo bardhë e zi. Në shkrimin e tij Eugent Kllapi shkruan se “Antigona”, erdhi si një premierë e rijetësuar mrekullisht në tragjedinë e saj. “Kasta e aktorëve kishte të veçantat e saj. Laura Nezha, një aktore dinamike dhe elokuente në performancat e mëparshme erdhi me kryerolin e Antigonës, vajza që mban mbi peshë vdekjen, sa dhe me shumë dëshirën e një jete të drejtë. Gjithashtu si peng në zemër vdekjen e vëllait të saj”, shkruan Kallpi. Ai vijon se vepra kishte disa lloj karakteresh dhe disa ngjarje që mbitheksojnë tiparet e karaktereve. “Nga një anë kemi Antigonën idealiste, nga ana tjetër në qendër është xhaxhait të saj Kreoni, tiran i pushtetit absolut që mund të shndërrohet në bamirës jete sa dhe tolerant. Së fundmi ai ka dhënë urdhër të panatyrshëm për një të vrarë. Vëllai i Antigonës është lënë i pavarrosur, veprimi i Kreonit duket i sertë, i ngurtë, katil. Tema e autorit Anouilh i Antigonës sjell shumë mesazhe dhe shumë raporte të drejtpërdrejta, dialektikë në rritje nga fillimi në fund”, vijon Kllapi.Sipas tij,në qendër të vëmendjes vihet Antigona në rolin e Laurës, baza e ngjarjes shtrihet në antikitet e përshtatur për ditët moderne, një ndërthurje kohe. Antigona është e re, e dashur, e vrullshme dhe me plot pendesa. “Laura shkrihet me rolin, me lëvizjet dhe plastikën, ajo ndjek të njëjtin ritëm si në ngjarje e shkathtësi si një atleteje, revolucionare sa një njeri i fortë, dhe e brishtë sa një fëmijë me dashurinë e saj. Një vajzë dinamike, idealiste sa dhe e lirë, e lirë për të bërë atë që mendon dhe atë që do të bëjë. Por jo të gjithë bëjnë atë që duhet në një kohë kur absoluti tiran është mbi të gjithë dhe ndjell vdekje për këdo që e cënon. Kjo nuk i bën përshtypje Antigonës së mbrujtur që në fillim me një urrejtje të pashoqe për këtë lloj sistemi. Nga fillimi në fund të shfaqjes Laura erdhi si melodi në rolin e saj, ritmikisht dhe njëtrajtësisht për të arritur qëllimin final, kryerolin e lartësuar”, shkruan Eugent Kllapi.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here