Zana Çela: Në “La Boheme”, 4 kaste kryesore artistësh

0
495

Opera “La Boheme” është produksioni i parë operistik për sezonin janar-qershor 2019, i cili ka angazhuar krijues dhe artistë të rinj. Në këtë shfaqje në skenën e Pallatit të Kongreseve ata bëhen bashkë me solistët e TOB dhe këngëtarët e ftuar me famë ndërkombëtare. Regjia e këtij produksioni i është besuar regjisores Ada Gurra. Gjithashtu skenografia i është besuar një tjetër talenti Renold Sula. Orkestra e TOB do të dirigjohet në katër netët e shfaqjes nga dirigjenti italian Lorenzo Tazzieri. Interpretojnë solistët e TOB si dhe solistët e rinj të angazhuar në teatër në tre vitet e fundit, së bashku me të ftuarit, këngëtarët operistikë me famë ndërkombëtare Giussepe Tomaso dhe Ghocia Abuladze. Kostumografia është realizuar nga kostumografi Ardi Asllani. Drejtoresha e teatrit Zana Çela shprehet se lindja e një produksioni të ri është një proces i fortë rigjenerues për gjithë. “Është periudha kur ne të gjithë përjetojmë emocione shumë komplekse, optimizëm por dhe dilema, gëzim dhe dyshim nëse do ia dalim të kemi sukses e marrim duartrokitjet e publikut. Për të gjithë ne, lindja e një produksioni të ri është një proces krijues të cilin e përjetojnë të gjithë, jo vetëm artistët kur punojnë rolin, por edhe mjeshtrat e prodhimit, zonjat e rrobaqepësisë kur qepin kostumet e shtojnë diçka nga mendja e shpirti i tyre, mjeshtrat e skenës që punojnë drurin apo hekurin e i japin krijimtari gjithashtu skicave të skenografisë nga mjeshtria e tyre”, shprehet drejtoresha Zana Çela. Vepra do të jetë në skenë në datat 16, 17, 18 dhe 19 mars në Pallatin e Kongresve dhe drejtoresha e TOB vijon se kjo do të mbahet mend si premiera që promovoi të rinjtë. “Jam e bindur se kjo “La Bohem” do mbahet mend si premiera që i besoi e promovoi më shumë artistë të rinj se asnjëherë tjetër në historinë e këtij teatri. Do mbahet mend si produksioni që në 4 shfaqet do prezantojë 4 kaste kryesore dhe kjo është e rrallë jo vetëm për operat me formate mesatare, siç është teatri ynë, por edhe për teatrot më të mëdhenj në Europë. Puçini e krijoi këtë vepër për artistët e gjeneratës së re e mesazhi i tij ishte i qartë, shoqëria duhet t’i kthej sytë nga artistët e rinj që sjellin të renë mes sakrificash të një arti pa kompromis”, shprehet Çela.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here