Pasojat e bojkotit, FSHF shtyn 5 ditë kampionatin dhe dy javë Kupën e Shqipërisë

0
365

Bojkoti që bënë gjyqtarët e futbollit pak ditë më parë, si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tyre në disa takime futbollistike e që kulmoi me dhunën brutale ndaj gjyqtarit Eldorian Hamiti në duelin Kamza-Laçi, ndodhi që të ndërpriteshin të gjitha ndeshjet e futbollit, në të gjitha kategoritë, një situatë që nxiti mbledhjen e tryezës së sigurisë për futbollin me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve të futbollit dhe të qeverisë, me pjesëmarrjen direkte të kryeministrit Edi Rama që premtoi të bëjë më të mirën për kthimin e normalitetit në mbarëvajtjen e garës futbollistike në vend. Por bojkoti i dha efektet e veta. Gara u shty disa ditë dhe kjo shtyrje ka sjellë spostimin e ndeshjeve në kampionat e kupë për më vonë dhe ndoshta kjo është me pasoja për ambiciet e klubeve që nisin fazën përgatitore në fillim të qershorit që të ndryshojnë planet e tyre. Kështu, pas një jave pezullim në të gjitha kategoritë e futbollit shqiptar për shkak të bojkotit të arbitrave, që erdhi pas dhunës në sfidën mes Kamzës dhe Laçit, u vendos që këtë jave të rifillojë aktiviteti futbollistik në vend. Mirëpo, pezullimi duket se ka sjellë një ndryshim për sa i përket kalendarit të Kategorisë Superiore dhe atij të Kupës së Shqipërisë. Ka qenë Sektori i Garave në Federatë, i cili nëpërmjet njoftimit ka lajmëruar ndryshimet e datave. “Sektori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit ka bërë disa modifikime të kalendarit të Kategorisë Superiore dhe Kupës së Shqipërisë, pas një jave ndërprerje të aktivitetit futbollistik. Ndeshjet e kthimit të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë do të zhvillohen më datë 3 Prill. Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen në 24 Prill dhe 8 Maj 2019. Finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2018-2019 do të zhvillohet ditën e dielë më datë 2 Qershor. Java e 36-të e Kategorisë Superiore, e planifikuar për tu luajtur më datë 25 Maj do të zhvendoset për datë 29 Maj”, thuhej në njoftim.

Përjashtimi i Kamzës dhe ndryshimet e ekuilibrave në garë

Përjashtimi i Kamzës nga aktiviteti dhe zbritja e saj dy kategori më poshtë, hap një dimension të ri në Superiore për 11 javët e mbetura të kampionatit. Kjo pasi skuadrat që kanë në kalendar duelet me Kamzën do të marrin pikë të plota në tavolinë. Ekipi që ka më shumë fat në këtë drejtim është Skënderbeu, i cili kishte në kalendar katër takime me kamzalinjtë, dy në kampionat e dy në kupë. Duelet e para i erdhën në kupë, ku korçarët kalojnë automatikisht në gjysmëfinale. Shkak bëhet rregullorja, e cila i jep në të dy ndeshjet fitore në tavolinë 3-0. Pra Skënderbeu është gjysmëfinalist i garës pa u djersitur fare, ndërkohë që kjo u pa nga aktorët e futbollit si “punë fati”, në një kohë që Kukësi e Teuta luftuan për 90 minuta me një rivalitet të spikatur dhe barazuan 2-2, duke e lënë çështjen e kualifikimit për në ndeshjen tjetër. Edhe Tirana vuajti me Laçin për ta fituar ndeshjen e parë çerekfinale, kurse Partizani u përmbys nga Luftëtari në një ndeshje emocionuese dhe fatet e kualifikimit janë të hapura, pasi ndeshja e kthimit do të jetë në Gjirokastër dhe Luftëtari ka shanse të mira të bëjë surprizën e madhe, sepse rezultati e favorizon të jetë ai gjysmëfinalisti i Kupës së Shqipërisë. Kurse Skënderbeu pa u djersitur fare bën një kapërcim madhor e ka kohën të përgatisë si duhet duelin gjysmëfinal, kështu që ka shanse teorike më shumë për ta fituar trofeun e Kupës. Ky është një fakt i pamohueshëm dhe e gjitha bëhet në “bazë të rregullores”. Nga ana tjetër, Skënderbeu ka dy duele për të luajtur me Kamzën, kështu që llogariten 6 pikë të garantuara për skuadrën korçare pa zbritur fare në fushë. Një tjetër fat i madh për skuadrën e Orges Shehit, i cili duhet të mendojë vetëm për kundërshtarët e tjerë, sepse në Kupë e ndihmon “formula” e përjashtimit të Kamzës, kurse në kampionat do të ketë privilegjin e atyre skuadrave që kanë ende në kalendar dy duele me Kamzës, që i takojnë fazës së tretë dhe të katërt. E ndërsa Skënderbeu është më i avantazhuari, duket se Kastrioti është tani “kurban” i Superiores, pasi mbetet praktikisht skuadra më e rrezikuar për të rënë. Diferenca me Luftëtarin është e ndjeshme dhe krutanëve u duhet të fitojnë më shumë se rivalët e tyre në garë.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here