Gynesh zbardh listën, Turqia vjen në Shkodër pa yllin Çengiz Under

0
338

Një prej yjeve të kombëtares së Turqisë, Çengiz Under, nuk do të luajë për kombëtaren e vendit të tij në ndeshjet e radhës, pra ai do të mungojë në duelin e madh të 22 marsit që do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. Në kuadër të këtij takimi, të dy trajnerët, si Kristian Panuçi i Shqipërisë, ashtu dhe Senjol Gynesh i Turqisë, kanë shpallur listën e lojtarëve dhe besojnë se do të marrin maksimumin nga këto dy ndeshje të radhës. Të dy duan ta nisin me fitore dhe kanë shanset e tyre, por fakti që luhet në “Loro Boriçi” të Shkodrës i jep jo pak përparësi ekipit tonë ta fitojë takimin. Në kuadër të kësaj ndeshjeje, trajneri i kombëtares turke ka shpallur listën me 28 lojtarë të ekipit të tij, por ajo që bie në sy është se ylli i skuadrës, talenti i madh i Romës, Çengiz Under, do të mungojë në këtë sfidë dhe për Shqipërinë në fakt ky është një lajm i mirë.

Situata në kampin turk

Dihet që Shqipëria dhe Turqia do të përballen pas pak ditësh në Shkodër në ndeshjen e parë për kualifikueset e Euro-2020. Referuar edhe informacioneve që kanë paraqitur mediat turke gjatë ditëve të fundit dhe veçanërisht gjatë ditës së djeshme, trajneri i Turqisë, Senjol Gynesh, ka publikuar ditën e djeshme listën me futbollistët e grumbulluar. Mes shumë futbollistëve të rinj të cilët mund të konsiderohen edhe surpriza e eksperimente, nuk mungojnë as ata me eksperiencë pasi pjesë e listës është edhe Emre Belezoglu, 38 vjeç. Në sy bie mungesa e talentit të Romës, Çengiz Under, i cili ka pësuar një dëmtim me skuadrën italiane dhe nuk ia ka dalë që të jetë pjesë e Kombëtares së tij në takimin ndaj Shqipërisë dhe më pas ndaj Moldavisë. Megjithatë, edhe pse me këtë mungesë të rëndësishme, te Turqia nuk mungojnë emrat e mëdhenj duke qenë se pjesë e saj është Çalhanoglu nga Milani e Tosun nga Evertoni. Duke parë listën e Turqisë, Shqipëria mund të ketë një mundësi të mirë për të nisur mbarë kompeticionin duke qenë se të rinjtë do të jenë pjesë e formacionit dhe me mbështetjen e publikut, kuqezinjtë mund të bëjnë paraqitje dinjitoze në Shkodër.

Taulant Seferi “kunj” Panuçit: Prisja ftesë, por Kombëtares i uroj sukses

Lojtarët shqiptarë që luajnë në Zvicër dhe në vende të tjera europiane e kanë pritur një ftesë nga trajneri Kristian Panuçi, me bindjen se e meritojnë të kenë një shans. Kuptohet, jo të gjithë do të mund të ftohen, prandaj është në dorën e trajnerit që të zgjedhë, duke u bazuar në performancën e secilit. Gjithsesi, dy ditë më parë, tekniku i Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, shpalli listën e lojtarëve të grumbulluar për dy sfidat kualifikuese të Europianit 2020. Ajo që binte në sy është se në repartin sulmues mungon emri i Taulant Seferit i cili në këtë sezon po aktivizohet rregullisht me skuadrën e Uinterturit në ligën e dytë zvicerane. Megjithatë, reagimi i sulmuesit ka qenë prej një profesionisti të vërtetë duke pranuar zgjedhjen e trajnerit, ndërsa shtoi se për Kombëtaren do jetë gjithmonë i gatshëm pavarësisht momentit se kur do të thërritet. “I gatshëm gjithmonë për Kombëtaren “Kuq e Zi”, edhe pse nuk isha në listën e trajnerit Panuëi, gjithmonë do të pres të jem pjesë e Kombëtares më të mirë. Veçanërisht i falenderoj “Tifozët Kuq e Zi”, për përkrahjen dhe mesazhet e pafund që kanë arritur në adresën time. Jeni më të mirët ndërsa Kombëtares i uroj suksese”, shkruante Seferi në Instagram. Sulmuesi mbylli vitin e kaluar aventurën me shpresat për shkak të moshës dhe tashmë është në pritje të ftesës nga Kombëtarja e madhe. Ndërkohë, theksojmë së fundmi se të pakënaqur janë edhe Lenjani, Llullaku, Manaj e ndonjë tjetër, të cilët e prisnin një ftesë nga Panuçi në kuadër të këtyre eliminatoreve.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here