Pas SHBA, edhe gjermanët mesazh të fortë opozitës: Qeveria dhe deputetët e rinj legjitimë, nuk duam asnjë vonesë në ngritjen e SPAK

0
277

Basha, Berisha dhe Kryemadhi kanë marrë ditën e djeshme një tjetër goditje nga ndërkombëtarët. Deri më tani asnjë institucion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Europian nuk e mbështet djegien e mandateve, por madje ndërkombëtarët janë rreshtuar krah deputetëve të rinj që po futen në Parlament. Javën që lamë pas, ishte ambasada e SHBA në Tiranë, e cila doli hapur duke kërkuar që të mos pengohet puna e deputetëve të rinj, ndërsa dje në të njëjtën linjë ka qenë ambasada gjermane në Tiranë. Përmes një deklarate për mediat, ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Susanne Schutz deklaroi se vendi i saj do të vijojë të bashkëpunojnë me qeverinë, duke e quajtur atë tërësisht si legjitime, ndërsa theksoi se me të njëjtin përkushtim do të bashkëpunojnë edhe me deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Madje, Schutz vlerësoi edhe futjen e deputetëve të rinj në Parlament, ndërsa bëri thirrje që kandidatët e listave pasardhëse të pranojnë mandatin. “Ne respektojmë vendimin e secilit deputet dhe të pasuesve të tyre në lista për dorëzimin, pranimin apo refuzimin e mandateve. Njëkohshëm theksoj, se në demokraci parlamenti është vendi kryesor për zhvillimin e debatit politik mes partive politike. Qeveria Federale do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe në të ardhmen me qeverinë aktuale të legjitimuar në mënyrë demokratike si dhe mbajtësit e mandateve në Kuvend”, deklaroi ajo.

Asnjë vonesë në ngritjen e SPAK

Ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Susanne Schutz më tej bëri apel për vijimin e reformave, sidomos asaj në drejtësi. Në këtë kontekst, Schutz u shpreh e bindur se vendi i saj nuk do asnjë vonesë në ngritjen e SPAK, pasi sipas saj, Shqipëria ndodhet përpara negociatave dhe se duhet të intensifikojë luftën ndaj korrupsionit. “Shqipëria gjendet përpara vendimmarrjes të rëndësishme të BE lidhur me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ndaj tani nuk duhet humbur kohë, në mënyrë që reformat e nisura të vijojnë më tej dhe të arrihen rezultate të tjera konkrete në pesë prioritetet kyç. Përshëndes faktin që-edhe pse ngadalë- reforma në drejtësi po ecën përpara në mënyrë të pandërprerë. Ajo është një sukses; ndaj procesit të reformave nuk ka alternativë, ai është i pakthyeshëm dhe unik në rajon. Në këtë kontekst, përpara duhet të çohet edhe ngritja e strukturës së SPAK-ut. Ne presim hapa të tjerë përpara edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të gjitha këto përpjekje janë të rëndësishme për të bindur shqiptaret dhe shqiptarët, por edhe investitorët e huaj, që drejtësia shqiptare garanton siguri ligjore”, u shpreh ajo.

Reforma zgjedhore

Ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Susanne Schutz e ndali theksin më tej edhe tek reforma zgjedhore. Në deklaratën e saj, ambasadorja Schütz shprehet e zhgënjyer për bashkëpunimin mes opozitës dhe qeverisë për reformën zgjedhore, duke mos e miratuar atë. Sipas saj, kjo reformë është tejet e rëndësishme për proceset zgjedhore në Shqipëri. “Shprehim keqardhjen e madhe, që megjithë bashkëpunimin fillimisht të mirë mes shumicës dhe opozitës, reforma zgjedhore deri më tani nuk është miratuar. Zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbetet një komponent i rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi zgjedhor solid në Shqipëri, i cili do të mund të gëzojë besimin e qytetarëve”, nënvizoi ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schutz.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here