Përshpejtohen procedurat e SPAK, Prokuroria Speciale nis punë sapo të kalojnë vetingun emrat e parë, SHBA kërkon hetime në nivel politik

0
457

Struktura e Posaçme Antikorrupsion duket se do të jetë gati më parë seç pritej. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur dje që të mos pritet procesi i vetingut për të 27 kandidatët, duke shmangur kështu vonesa të mëtejshme për ngritjen e këtij organi. Para pak kohësh u mbyll gara për ata që donin të ishin pjesë e Prokurorisë Speciale dhe në fund u regjistruan 27 kandidatë. Por teksa u kalua kjo fazë e parë e punës, çështja nisi të ndërlikohej disi tek kalimi në veting për të gjithë kandidatët. Ligji e përcakton shumë qartë që anëtarët e SPAK duhet të kenë kaluar më parë në sitën e vetingut dhe kjo gjë u bë pengesë në krijimin sa më parë të kësaj strukture. E gjithë puna është në dorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Si fillim, KLP duhet të hartojë raporte të imtësishme për secilin kandidat dhe më pas ato i dërgohen KPK e cila i merr për bazë gjatë kalimit në sitë. Por duke qenë se kjo është një punë intensive dhe kërkon pak kohë, KLP ka menduar që të mos humbet asnjë ditë për të ngritur sa më parë SPAK. Dje u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku u votua unanimisht edhe rregullorja për përzgjedhjen e anëtarëve të Prokurorisë Speciale. Përveç parashikimit që garuesit duhet të kalojnë edhe fazën e intervistimit ballë për ballë në prani edhe të ndërkombëtarëve, në rregullore është përcaktuar edhe mënyra sesi do të vijojnë procedurat për ngritjen e SPAK.

Në pritje të vetingut për emrat e parë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në konsultime edhe me ekspertët ndërkombëtarë, ka vendosur që të mos pritet procesi i vetingut për të gjithë prokurorët që kanë shfaqur interes të jenë pjesë e SPAK. Diçka të tillë e bëri të ditur vetë kryetari i KLP, Genti Ibrahimi dje për mediat. Ai tha se puna e Prokurorisë Speciale do të nisë edhe me më pak se 10 anëtarë. Kjo do të thotë që KLP po pret nga KLP që të kalojë me përparësi në sitë garuesit e parë, për të vijuar më pas me ngritjen e kësaj strukture të rëndësishme. “Për ta ne i presim rezultatet në një kohë relativisht të shpejtë, në harkun kohor të 2-3 muajve. Megjithatë ne mund të vijojmë me themelimin e Prokurorisë së Posaçme pa pritur përfundimin e procesit të vetingut për të gjithë kandidatët. Kushtetuta ka vënë një minimum prej 10 anëtarësh për Prokurorinë e Posaçme dhe ky është një minimum që do të ofrojë një garanci përfundimtare që çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen numri i prokurorëve të SPAK nuk do të jetë më pak se 10, por për fillimin e punës së SPAK numri i prokurorëve mund të jetë më pak se 10. Për të filluar mendoj se mund të fillojë edhe me më pak. Sesa do të jetë numri është një vendim që do të merret në kohën e duhur. Në momentin që ne kemi një numër të arsyeshëm të kandidatëve që e kanë kaluar vetingun në të dyja nivelet, ne mblidhemi dhe e themelojmë”, tha Genti Ibrahimi.

SHBA kërkon hetime politike

Një rol të rëndësishëm në përshpejtimin e procedurave për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion kanë patur padyshim ndërkombëtarët. Sipas burimeve të gazetës, kanë qenë pikërisht ekspertët e SHBA ata që kanë shtyrë KLP drejt vendimit për të mos pritur vetingun për të gjithë kandidatët sepse duan që kjo strukturë të ketë marrë formë para vendimit për hapjen e negociatave. Ndërkombëtarët kanë kërkuar gjithmonë që SPAK të jetë gati sa më parë me qëllim që të fillojnë edhe hetimet e zyrtarëve të lartë dhe politikanëve. Të rrezikuar nga SPAK janë deputetët, ish-ministrat, ish-kryeministrat, presidenti, kryeministri dhe shumë drejtorë e zyrtarë të tjerë të lartë. Duke qenë se ngritja e kësaj strukture po bëhet gati më parë nga ç’parashikohej, edhe era antikorrupsion në nivele politike siç kërkojnë ndërkombëtarët po afron. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here