Konfirmimi/ PE voton pro liberalizimit të vizave me Kosovën

0
497

Deputetët e Parlamentit Europian kanë konfirmuar dje për herë të dytë qëndrimin e tyre pro liberalizimit të vizave me Kosovën, duke konfirmuar se vendi ka përmbushur të gjitha kërkesat e institucioneve evropiane, ndërsa vendimi përfundimtar pritet t’i kalojë Këshillit Europian. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka mirëpritur vendimin, duke thënë se tejzgjatja e procesit është e padrejtë dhe po dekurajon qytetarët, që vazhdojnë t’u mohohet e drejta për të lëvizur të lirë në Evropë. Vota e propozuar nga raportuesja për Kosovën, Tanja Fajon, u prit pozitivisht nga 331 europarlamentarë, 126 u shprehën kundër liberalizimit të vizave dhe 12 abstenuan. Fajon falënderoi kolegët e saj dhe apeloi Këshillin Evropian që të veprojë sa më shpejt për ta çliruar nga regjimi i vizave të vetmin vend të izoluar të rajonit, teksa më herët kishte thënë se Bashkimi Evropian ka dështuar që të realizojë premtimet e tij ndaj Kosovës. Ky votim ka qenë pjesë e hapit ligjor për të vazhduar mandati i këtij procesi edhe në kohën e tranzicionit, pas zgjedhjeve në Bashkimin Evropian që mbahen në maj.

Haradinaj: Liberalizimi, e drejtë e fituar

Vullneti politik i eurodeputetëve, ndërkohë, ka gëzuar Prishtinën, megjithëse aktorët më të fuqishëm sërish presin më shumë. Kreu i qeverisë, Ramush Haradinaj, tha se mohimi i të drejtës për të udhëtuar të lirë në Europë po dekurajon qytetarët e Kosovës. “Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, u bëjmë thirrje kryeqyteteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që t’i japin drejtim dhe epilog çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, si e drejtë e fituar dhe e pakontestueshme, tani kur bëhen shtatë vjet nga data kur na është dorëzuar udhërrëfyesi për vizat”, tha Haradinaj. Aksesi i Prishtinës në zonën Shengen ishte propozuar fillimisht në shtator të vitit 2016 dhe ishte votuar nga eurodeputetët 2 vite më vonë, por një vendim i Këshillit Evropian për të mos e diskutuar çështjen gjatë sezonit dimëror e shtyu vendimmarrjen përfundimtare. Aprovimi nga Ministrat e vendeve evropiane do lejonte qytetarët kosovarë të udhëtonin lirisht në destinacionet e Bashkimit Europian për një periudhë 90-ditore çdo gjashtë muaj për qëllime biznesi, turizmi apo familjare.

Avramopulos: Kosova e meriton liberalizimin

Më herët komisionieri evropian për emigracionin, Dimitris Avramopoulos tha se Bashkimi Europian po humb kredibilitetin me rezistencën e tij kundrejt liberalizimit të regjimit të vizave me Kosovën. Ai bashkë me raportuesen, Fajon apeluan ligjvënësit europianë t’i japin dritën jeshile procesit që nisi fillimisht në vitin 2012. “Kosova është i vetmi partner në Ballkanin Perëndimor që nuk po përfiton nga marrëveshja për lëvizjen e lirë, bashkë me qytetarët e saj. E di që disa vende kanë rezerva për risqet e emigracionit nga Kosova, edhe ata vetë janë dijeni të tyre. Por ne duhet ta inkurajojmë vendin të plotësojë më tej kriteret e mbetura, të forcojë kornizën ligjore, dhe t’ua komunikojë qartësisht qytetarëve të tij të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga regjimi pa viza. Tani na mbetet neve të biem dakord sa më shpejt që ky proces të përmbyllet”, tha Avramopulos, duke shtuar se Bashkimi Evropian duhet të liberalizojë sa më shpejt regjimin e vizave me Kosovën pasi janë përmbushur standardet bazë dhe është në interes të perspektivës europiane të gjithë Ballkanit. Zyrtari i lartë evropian kujtoi se shtatë vite pas fillimit të dialogut për liberalizimin e vizave, vendi ka bërë hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe këto përpjekje duhen vlerësuar.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here