Haig Zacharian: Nuk mund të flasim për politika kombëtare kulturore, e drejta e autorit një rrëmujë institucionale

0
437

Shteti duhet të krijojë një fond për krijimtarinë muzikore shqiptare, një kërkesë e bërë prej vitesh nga krijuesit e muzikës në vend, por deri tani mungon. Sipas krijuesve mungojnë dhe konkurset që kanë në fokus krijimtarinë kombëtare. Kompozitori i njohur Haig Zacharian shprehet se fondi për krijimtarinë duhet të saktësohet nga shteti përmes ligjit, dhe vlerësimi për autorët sjell dhe rezultate më të mira në fushën e muzikës. Në intervistën për “SOT” kompozitori i njohur Haig Zacharian shprehet se si shoqatë e kompozitorëve do të kërkojnë dhe një takim me ministren e Kulturës, pasi sipas tij deri tani vetëm është folur dhe asgjë nuk ka marrë zgjidhje për krijimtarinë. Haig Zacharian ka krijuar vepra të shumta në gjini të ndryshme të muzikës (vepra e tij janë luajtur në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare si dhe jashtë: Kosovë, Maqedoni, Zvicër, Itali, Austri, Spanjë). Ka kompozuar gjithashtu këngë për fëmijë, korale, muzikë filmash dhe aranzhuar shumë pjesë të muzikës klasike dhe romantike për ansamble të ndryshme. Kritikët pohojnë se stili i muzikës së tij është i dallueshëm, me ngjyra të holla dhe me një sens të komunikimit të drejtpërdrejtë. Është vlerësuar me çmime të shumta për krijimtarinë dhe aktivitetet e tij muzikore. Pas viteve 1990 krijimtaria e tij përveç filmave është kryesisht në gjinitë e muzikës së dhomës, ku duken qartë tendenca të përdorimit dhe eksperimentimit në teknikat bashkëkohore të krijimtarisë muzikore.

-Ju po punoni për Festivalin e Romancave Shqiptare, që do të zhvillohet pas disa kohësh. Këtë vit nuk patët përkrahjen financiare nga Ministria e Kulturës për zhvillimin e festivalit. Sa vështirë është për ju si organizatorë zhvillimi i tij?

Këtë vit ne nuk e kemi kuptuar si organizatorë se pse nuk u mbështet Festivali i Romancave nga Ministria e Kulturës. Por dëshira jonë që festivalin do ta organizojmë, edhe pse Ministria e Kulturës nuk na përkrahu këtë vit me buxhet për zhvillimin e tij. Por se si do ti zgjidhëm çështjet financiare për festivalin këtë vit nuk e di. Do të them që ne si organizatorë do të përpiqemi mes miqve apo dhe krijuesve që do të na përgjigjen për festivalin.

-Mbahet dot një festival vetëm me ndihmë nga miqtë?

Mua më vjen keq për një gjë, pikërisht kur ne si organizatorë të festivalit menduam që mund të zgjeroheshim me veprat muzikore, me pjesëmarrjen e autorëve shqiptarë, tani ne do të tkurremi, sepse duhet ta zhvillojmë festivalin me sa më pak fonde. Ne sigurisht që do të mundohemi që të gjejmë dhe burime tjera për të na financuar për festivalin por dihet që do të jetë e vështirë.

-Ju jeni shprehur që ka dhe mungesë transparence nga projektet e financuara nga Ministria e Kulturës. Për ju si ndikon kjo?

Mungesa e transparencës mbi projektet te Ministria e Kulturës tashmë është bërë traditë. Nuk e kuptoj se si një ministri, që duhet të bëjë transparente çdo gjë që ka lidhje me projektet, si buxheti, bordi që përzgjedh, nuk e bën. Nëse ata mund ti kenë kthyer përgjigje si duhet personalisht disa emrave, unë vetë nuk e kam parë këtë transparencë me projektet sa herë që shpallen. Në faqen e Ministrisë së Kulturës shpallen vetëm projektet fituese dhe kaq. Asgjë më tepër për të na treguar se si u bë vlerësimi, mbi çfarë kriteresh u zgjodhën projektet, emrat e bordit. Ministria vetëm sa i shpall projektet dhe vazhdon për llogari të vet.

-Keni vite që ju e kërkoni një fond për krijimtarinë muzikore nga Ministria e Kulturës deri tani mungon. Si ndikon kjo për krijuesit dhe aktivitetin e tyre?

Ne e kemi diskutuar dhe njëherë tjetër, që në gjithë institucionet në botë që përkrahin dhe mbështesin krijimtarinë muzikore përcaktohet dhe fondi i veçantë për pjesën e krijimtarisë. Ndërsa aktiviteti artistik ka tjetër fond të veçantë. Por krijimtaria ka shumë rëndësi, sepse është dhe ushqimi i gjithë pjesës tjetër. Krijimtaria muzikore duhet të trajtohet nga shteti si pjesa më e rëndësishme, sepse mund të bëhen aktivitete artistike me vepra muzikore, por nëse ne nuk merremi me krijimtarinë tonë muzikore nuk kemi bërë asgjë. Një shtet që ka një politikë kulturore nacionale duhet ta vlerësojë vetë këtë problem, por deri tani me shtetin tonë nuk ka ndodhur. Në shtetin tonë nuk ka një politikë kulturore nacionale, vetëm flitet në ajër dhe nuk bëhet gjë zyrtare për krijimtarinë muzikore, nuk ka asnjë vendim.

-Si e zhvillojnë sot aktivitetin krijuesit?

Krijuesi krijon muzikë dhe pa pagesë është fenomen që ndodh me artin. E keni parasysh që luajnë artistët dhe nëpër rrugë dhe po i hodhi njeri ndonjë gjë, ose luajnë në koncerte pa fund dhe pa pagesë. Pra krijuesit besoj nuk do ta ndërpresin krijimtarinë nëse nuk do një institucion ose një ministri. Por kuptohet që një vlerësim material do të ishte shumë i vlefshëm për krijuesit. Vlerësimi material duhet për krijuesit e muzikës, sepse njeriu nuk jeton me ajër. Nëse do të jetë ky vlerësim material nga institucionet, nga Ministria e Kulturës, sigurisht që sjell dhe rezultate më të mira në krijimtarinë muzikore, sepse krijuesi nuk mund të rrijë dot pa shkruar, po dhe instrumentistët do të luajnë muzikë, edhe këngëtarët do të këndojnë. Por nuk i takon atyre, që të kujdesen se si mund të shpërblehen për këtë punë që bëjnë. Edhe më parë e kam thënë nuk ka gjetur zgjidhje fondi për krijimtarinë e muzikës shqiptare. Kjo gjë duhet të saktësohet me ligj. Nëse nuk saktësohet përmes ligjit dhe rregullave nuk do të gjejë zgjidhje ajo që duhet për të nxitur krijimtarinë dhe ndihmuar autorët shqiptarë. Fond për krijimtarinë e muzikës serioze shqiptare nuk kemi prej vitesh që e kërkojmë. Në Shqipëri nuk mund të jetosh vetëm me krijimtarinë e muzikës serioze. Nuk po them për këngën pasi ajo gjen treg, por me muzikën serioze nuk mund të jetohet.

-Ka pasur artistë që janë shprehur dhe për takim me ministren e Kulturës për këtë problem. Çfarë mund të na thoni?

Ne si krijues me shoqatën e kompozitorëve po përpiqemi dhe besoj do t’ia arrijmë dhe një takimi me ministren për të diskutuar këto probleme. Deri tani është treguar dashamirëse, ka treguar interes për rregullimin e sallës së Universitetit të Arteve. Ne shpresojmë që të fusim në rrugë zyrtare dhe krijimin e një fondi për krijimtarinë muzikore. Ministrja ka treguar vëmendje, por shpresojmë që ti themi që duhet dhe kjo. Krijimtaria muzikore nuk është vetëm pjesë e universitetit, por e gjithë shtetit. Nuk janë vetëm më universitet krijuesit ndaj duhet parë në një prizëm më të gjerë. 

-Çfarë po ndodh me të drejtën e autorit?

Nuk di ta shpjegoj se çfarë po ndodh me të drejtën e autorit, por di që ka një rrëmujë totale. Janë disa sherre e gjyqe, që janë gjërat aq të ndërlikuara sa nuk ka zot që e merr vesh. Por është çështje interesash, ai që konsumon të drejtën, ai që shpërndan, është e ngatërruar dhe nuk është aq e qartë. Duhet të jetë njeri kompetent, që ta zbulojë se çfarë po ndodh.

-Ministria e Kulturës vjet hapi konkursin për vepra muzikore, opera, balet dhe muzikal në kuadër të Vitit të Skënderbeut. Ju patët vërejtje, sa u morën parasysh?

Ne patëm vërejtje si krijues, donim të jepnim disa sugjerime dhe i dhamë, por dikush i dëgjoi, dikush nuk i dëgjoi. Pra nuk na pyetën për konkursin që u zhvillua në kuadër të Vitit të Skënderbeut. Normalisht konkurset në botë nuk janë të rastësishme. Kanë një vizion dhe bëhen një vjetore dhe dy vjetore. Konkursi zakonisht bëhet për të nxitur krijimtarinë muzikore, dhe nuk bëhet për një histori. Konkurset bëhen për të nxitur krijimtarinë nacionale, apo konkurset e interpretimit bëhen për të nxitur interpretimin dhe nuk bëhen konkurset si e bëri Ministria e Kulturës me raste përvjetorësh. Mendoj që konkurset duhen bërë dhe duhen të ketë qëllime pse bëhen. Nuk mund të kemi vetëm për momente historike nga ministria konkurse. Por duhet të jetë një gjë e mirëmenduar për krijuesit, pra konkurse që kanë në fokus krijimtarinë kombëtare.

-Një koncert që ju e vlerësuat ka qenë dhe ai me muzikën filmave. Për ju, sa rëndësi ka vijimi i tij?

Po e vërtetë që ai ishte një koncert shumë i mirë. U mirëprit nga publiku dhe duhet të vazhdojë sërish. U bë një premtim që do të vijojë me krijimtarinë e muzikës së filaneve, sepse ishte një projekt i bukur, por duket se nuk u mbajt.

Festivali Romanca shqiptare

Festivali Romanca Shqiptare zhvilloi edicionin e njëmbëdhjetë në skenën e Universitetit të Arteve vitin e kaluar. Veprat muzikore të shkruar nga 15 autorë shqiptarë erdhën për të pranishmit në festival nën interpretimin e artistëve të njohur lirikë. Festivali i Romancës Shqiptare zhvillohet në vendin tonë në drejtimin e kompozitorëve të njohur Haig Zacharian dhe Endri Sina. Festivali është një aktivitet sa tradicional aq dhe elitar i muzikës shqiptare. U zhvillua për shumë vite rresht pas viteve ‘90 nga shoqata “Tonin Harapi”. Pas vitit 2000 për arsye të ndryshme nuk arriti të  ketë vazhdimësi, duke krijuar edhe një hapësire boshe në rrugëtimin e muzikës së re shqiptare. Kjo mangësi në fushën e krijimtarisë vokale nxiti krijues dhe interpretues në idenë e riaktivizimit të këtij festivali. Dobia dhe impakti i këtij lloj festivali në jetën koncertore muzikore kombëtare e kishin bërë të domosdoshme riaktivizimin e tij si dhe rikthimin e kompozitorëve, apo këngëtarëve drejt gjinisë së romancës vokale, gjë që u bë e mundur nga Shoqata ACA(Shoqata e Kompozitorëve Shqiptarë). Kjo lloj gjinie vokale instrumentale bën pjesë në grupin elitar të muzikës së dhomës dhe njëkohësisht krijon mundësi komunikimi të lehta në shtrirje (qytete të ndryshme) për shkak të formatit të thjeshtë (solist-shoqërues).

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here