Zbardhet urdhri i Shahinit për pezullimin e Konit, rektori i zhytur në skandale, ja të gjitha abuzimet që zbuloi MASR

0
422

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka zëvendësuar menjëherë Mynyr Konin në krye të Rektoratit të Universitetit të Tiranës. Gazeta ka siguruar urdhrin e saj për pezullimin e tij, ndërsa deri në zgjedhjen e emrit të ri kompetencat do i marrë zv/rektori Bernard Dosti. Sipas urdhrit që mban datën 12, Mynyr Koni është gjetur në shkelje flagrante të ligjit dhe për këtë arsye është pezulluar nga detyra. “Urdhëroj: Pezullimi nga detyra bëhet me motivacionin: “Për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës”, bazuar në rekomandimet e dhëna nga grupet e punës, mbi bazën e kontrolleve të ushtruara në Universitetin e Tiranës”, thuhet në dokument. Por çfarë realisht ka bërë Koni? Pse ministrja e Arsimit u detyrua që të ndërmarrë një veprim kaq ekstrem me rektorin e Universitetit të Tiranës? Gazeta ka siguruar raportin e plotë të auditimit që është bërë në Universitetin e Tiranës dhe shkeljet janë të pafundme. Raporti mban datën 31.07.2018 dhe në 115 faqe tregohen me detaje se si Koni është zhytur në paligjshmëri. Janë 5 persona të cilët e kanë firmosur dhe kanë konstatuar shkeljet që po çojnë drejt shkarkimit rektorin. Por çfarë është konstatuar realisht? Me vendim nr. 3 datë 19 01 2017 të Senatit të UT “Për miratimin e strukturës së grupit të punës për hartimin e Statutit dhe Rregullores së Universitetit të Tiranës” si dhe Urdhrin e Rektorit nr.13, datë 16.02.2017 “Për miratimin e grupit të punës për hartimin e Statutit dhe “Universitetit të Tiranës”, është ngritur grupi i punës për hartimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë ”. Grupi i Punës së MASR, ka konstatuar se ende nuk ishte miratuar nga Senati Akademik, Statuti dhe Rregullorja e brendshme e IAL-së, gjë e cila është e provuar pasi mungon vendimi i miratimit nga Senati Akademik i UT. Statuti dhe Rregullorja e brendshme e UT duhet të kishin përfunduar dhe të ishin miratuar nga Senati Akademik brenda vitit të parë akademik nga hyrja në fuqi e ligjit”.

Parregullsi në vendimet

Ministria e Arsimit ka konstatuar gjithashtu parregullsi në lidhje me vendimet e organeve kolegjiale dhe nënshkrimin e procesverbaleve të mbledhjeve të të dy organeve kolegjiale, si më poshtë: Vendimet‘e Senatit dhe të Rektoratit nuk janë protokolluar në institucion. Procesverbali i mbledhjes së Rektoratit me nr. 4, datë 08.03.2017 dhe procesverbali nr.2, datë 17.03.2107 i mbledhjes së Senatit nuk janë nënshkruar nga Kryetari, procesverbali nr. 3, datë 26.04.2017 i Senatit është firmosur për sekretarinë nga një person që nuk është sekretar (D. Panariti), ndërkohë që neni 3 i ligjit Nr. 8480, datë 27.05.1999 “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”, parashikon dy anëtarët e organit kolegjial për zëvendësimin e përkohshëm në rast të mungesës së kryetarit apo sekretarit. Gjithashtu nga drejtues të njësive kryesore është kërkuar që mbledhjet të zhvillohen, periodikisht, mundësisht çdo javë për çështje të administrimit dhe funksionimit normal të institucionit.

Lëvizjet e rektorit

Raporti i Ministrisë së Arsimit thotë gjithashtu se Rektori i UT ka miratuar me urdhrin nr. 37, datë 28.12.2017 të Rektorit “Për miratimin e dy rregulloreve në zbatim të ligjit nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, me shkresë nr. 63/1, datë 24.1.2018 të Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë, drejtuar anëtarëve të Rektoratit, Dekani i konsideron këto akte absolutisht të pavlefshëm. Ministria e Arsimit ka konstatuar se në b zë të shkronjës “d”, të nenit 38, të ligjit nr. 80/2015, miratimi i rregulloreve të institucionit është kompetencë e organit kolegjial drejtues, Senatit Akademik, ndaj urdhrat e rektorit bien ndesh me ketë nen. Në lidhje me këto urdhra të Rektorit të UT, Ministria e Arsimit ka konstatuar se ky i fundit gjendet në kushtet e kapërcimit të kompetencave, duke marrë dhe ushtruar funksionet e Senatit Akademik. Neni 38 i ligjit nr. 80 2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, ngarkon Senatin Akademik me funksionet e miratimit të rregulloreve të brendshme të IAL-së.

Sistemi informatik

Myhyr Koni akuzohet nga grupi i auditit të Ministrisë së Arsimit se ka bllokuar qëllimisht dhe ka nxjerrë jashtë funksionit sistemin informatik të Universitetit të Tiranës. Në raport specifikohet se në takimet që grupi i punës realizoi me autoritetet drejtuese të Universitetit të Tiranës, rezultoi se prej muajit korrik të vitit 2017, sistemi informatik nuk funksionon. Në këtë sistem hidhen të dhënat e studentëve, si notat, mungesat, etj. Gjithashtu, ky sistem ndihmon si sekretaret mësimore, ashtu edhe studentët në mbarëvajtjen e procesit mësimor. Nga procesverbalet e mbledhjeve të Senatit dhe Rektoratit, mosfunksionimi i sistemit ka qenë një problem i ngritur nga shumë anëtarë të këtyre organeve kolegjiale. Nga dokumentacioni që grupi i punës posedonte, ka rezultuar se problemet me funksionimin e sistemit kanë filluar në fund të vitit 2016. Në shkresën e shoqërisë “BNT Electronics” Nr.418/1 prot, datë 09.02.2017, me lëndë “Kthim përgjigje” shkresë nga UT, nr. Prot. 39/2, datë 07.02.2017”, shoqëria që është përgjegjëse për mirëmbajtjen e sistemit bën me dije se problematikat kanë lindur si pasojë e paaftësisë së personave që administrojnë sistemin në universitet. Gjithashtu, në këtë shkresë shoqëria bën me dije se nga universiteti është bërë kërkesë me email për të bërë restore disa të dhëna të fshira disa ditë më parë. 

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here