Vuçiç pranon krizën për Kosovën: Serbinë e pret periudhë e vështirë

0
359

Mes krizës së brendshme në vend dhe anti-mitingut që organizon në fundjavë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç është përpjekur dje të justifikohet me publikun e tij duke thënë se Serbinë po e pret “një periudhë e vështirë” sa i përket çështjes së Kosovës, pasi e vetmja gjë që po i kërkohet Serbisë është njohja e pavarësisë së saj. Në mbledhjen e partisë së tij SNS, Vuçiç, ka thënë se presioni mbi Serbinë për ta njohur pavarësinë e Kosovës sa vjen e po shtohet. “Presioni do të jetë çdo herë e më i madh, për njohje të plotë të pavarësisë pa ndarje dhe asgjë për Serbinë, dhe duhet të jemi të lumtur nëse nuk kërkohet formimi i ndonjë Tribunali për serbët”, ka shtuar Vuçiç, duke thënë se javët e fundit në Beograd kanë ardhur shumë zyrtarë që kërkojnë takime, në të cilat insistojnë që Serbia duhet të bëjë diçka që “të inkurajojë shqiptarët të heqin taksën” për mallrat e Serbisë. Më pas ai u mbrojti politikën e tij duke thënë se situata është edhe më e keqe sesa disa kohë më parë kur kishte mundësi kompromisi. “Kur flisja se e kemi rastin për kompromis më shpallën tradhtar, e ndoshta ka qenë mundësia jonë e vetme që të bëjmë kompromis. Sot këtë kompromis nuk po na e ofron askush”, ka shtuar presidenti serb.

Asnjë shpresë nga Berlini

“Kurrë më parë nuk ka qenë presioni kaq i madh, kanë kaluar gati gjashtë muaj që jemi duke pritur që bashkësia ndërkombëtare të reagon që të hiqet taksa, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka shtuar Vuçiç. Ai ka paralajmëruar se do të bisedojë me zyrtarë të ndryshëm botërorë, por pranoi se “asgjë e mirë” nuk e pret Serbinë në takimin e Berlinit me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Emmanuel Macron. “E vetmja gjë që pres të kërkojnë nga ne është formati i ri i dialogut që për qëllim ka njohjen e pavarësisë së Kosovës, ku serbët nuk fitojnë asgjë. Do të kërkojnë nga ne të vazhdojmë bisedimet me shqiptarët e ata të mos e heqin taksën”, shtoi Vuçiç.

Serbët të bashkohen

Pasi besonte se e kishte dramatizuar mjaftueshëm situatën, më tej Vuçiç tha se ishte koha që serbët të bashkohen për çështjet e rëndësishme, duke iu referuar protestave masive të opozitës që vazhdojnë prej katër muajsh në Beograd, çdo fundjavë, kundër regjimit të tij autokratik. “Kështu do të kuptojmë se vetëm së bashku mund të luftojmë për interesat tona, si për çështjen e Kosovës e Metohijes dhe për më gjerë në rajon”, tha Vuçiç. Ndërsa duke iu referuar protestave të opozitës ai tha se anti-mitingu i tij në fundjavë, duhet të jetë përgjigja e duhur. “Mendoj se është e rëndësishëm që të reagojmë menjëherë në mitingun e të premtes, që do të jetë grumbullimi më i madh politik në 50 vitet e fundit në Serbi. Aty do të bëhet thirrja jonë që populli të bashkohet”, tha Vuçiç. Më tej ai quajti mitingun e opozitës grumbullim sherri. “Pas sherrit të  së shtunës së kaluar të organizuar nga Dilas, Obradoviç e Jeremiç, të cilët kanë kërcënuar me marrje të dhunshme të pushtetit, është e rëndësishme që të gjitha thirrjeve të tyre për konflikt, ne të ftojmë njerëzit dhe jo partitë politike për bashkim dhe unifikim të premten”, tha Vuçiç, duke shtuar se populli serb e kupton shumë mirë rëndësinë e bashkimit.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here