Politikanët i shpëtojnë ndëshkimit për fshehjen e pasurisë, 14 kallëzime nga ILDKP gjatë 2018, vetëm 2 përfunduan në gjykatë

    0
    358

    Politikanët shqiptarë duket se janë imunë ndaj ndëshkimit për veprën penale të fshehjes së pasurisë. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë është organi që kryen verifikime dhe analiza të deklaratave të pasurive të politikanëve të lartë dhe në rast se vëren shkelje, i kallëzon penalisht. Por edhe pse ka një numër të konsiderueshëm deputetësh a kryebashkiakësh shqiptarë që kanë pasuri të dyshimta, sërish numri i kallëzimeve nga ILDKP është shumë i ulët. Vetëm për vitin 2018, ILDKP ka kallëzuar penalisht vetëm 14 zyrtarë. Shifrat bëhen të ditura në raportin vjetor që ka përgatitur Prokuroria e Tiranës për veprimtarinë e saj gjatë 2018. Por edhe ata që janë kallëzuar, janë zyrtarë të ulët dhe jo politikanë të rangut të lartë e të njohur. Ajo që e rëndon akoma më shumë situatën është fakti se nga të gjitha kallëzimet e ILDKP, prokuroria ka pranuar vetëm 11, ndërsa në fund vetëm dy janë dërguar për gjykim. “Mbi bazën e materialeve të referuara nga ana e ILDKP-së gjate vitit 2018 janë referuar gjithsej 14 (7-2017) kallëzime penale, nga ku janë regjistruar 11 (7-2017) procedime, të cilat 2 janë dërguar për gjykim, 5 janë pushuar dhe 3 janë ende në hetim. Këtë vit, numri i materialeve të referuara është më i lartë se një vit më parë, ndërkohë që është vazhduar t’i jepet rëndësi rritjes së cilësisë dhe plotësimit të tyre me të dhënat e nevojshme në funksion të çështjes penale”, thuhet në raportin e Prokurorisë së Tiranës. Këto shifra tregojnë se si politikanët tanë shpëtojnë nga ndëshkimi për fshehje pasurie sepse përveç faktit që ILDKP kallëzon shumë pak emra, as ata që kallëzohen nuk merren parasysh nga prokuroria. Pra në një farë mënyre, prokuroria është shndërruar në një mekanizëm mbrojtës për politikanët shqiptarë sepse të rralla janë rastet kur kallëzimet i dërgon për gjykim.

    Kallëzimet e tjera

    Kallëzime pranë Prokurorisë së Tiranës për zyrtarë që kanë shkelur ligjin kanë dorëzuar edhe institucione të tjera, përveç ILDKP. Sipas raportit vjetor të prokurorisë, me iniciativë të prokurorit janë regjistruar 9 procedime penale, duke shënuar një ulje të ndjeshme krahasuar me 2017. Ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dorëzuar 14 kallëzime. “Janë regjistruar kryesisht (me iniciativë të prokurorit) 9 procedime penale, krahasuar me 18 të një viti më parë. Siç duket kemi një ulje te procedimeve të filluara kryesisht, si dhe përdorimit me qëllim gjenerimin e procedimeve penale duke përdorur të dhëna të marra nga burime të hapura publike, si dhe të dhëna me natyrë inteligjente. Janë regjistruar 14 referime të ardhura nga Kontrolli Lartë i Shtetit, nga këto në 7 raste është vendosur regjistrimi i procedimeve penale, në 4 raste është vendosur mosfillimi, dhe 3 materiale janë në fazë verifikimi”, vijon raporti. Ndërkohë, mbi bazën e materialeve të referuara nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave gjatë vitit 2018, janë regjistruar 12 procedime penale. Nga këto, 6 procedime janë ende në hetim dhe një është transferuar. Ndërsa sa iu takon referimeve te ardhura nga ana e Drejtorisë së Hetimit Tatimor gjatë vitit 2018, në Prokurorinë e Tiranës janë regjistruar rreth 93 procedime penale dhe janë mosfilluar 3 referime të ardhura nga ky institucion. “Krahasuar me 2017 ku janë regjistruar 38 procedime mbi referimin e administratës tatimore, për këtë vit vërehet një rritje e referimeve nga Drejtoria e Hetimit Tatimor. Mbi bazën e materialeve të referuara nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit gjatë vitit 2018, janë regjistruar gjithsej 62 referime penale, i njëjtë me atë të një viti më parë”, thuhet në raportin vjetor të Prokurorisë së Tiranës.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here