Ngjela goditje të fortë Metës: U la jashtë Samitit të Berlinit për shkak të korrupsionit dhe lidhjeve me rusët, bashkë me Ivanovin punojnë kundër Perëndimit

0
453

Avokati Spartak Ngjela zbardhi dje prapaskenat e Samitit të Berlinit të mbajtur pak ditë më parë. Në këtë samit Shqipëria u përfaqësua vetëm nga kryeministri Edi Rama, njësoj si Maqedonia që “dërgoi” vetëm kryeministrin Zoran Zaev. Por ajo që ra në sy është fakti se ndryshe nga Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja, të cilët kishin të pranishëm në samit edhe kryeministrat, edhe presidentët, nuk ndodhi aspak kështu me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Dy shtetet fqinje u përfaqësuan vetëm nga krerët e qeverisë, pasi presidentët Ilir Meta dhe George Ivanov nuk ishin ftuar nga Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel. Por pse për kreun tonë të shtetit nuk kishte mbërritur një ftesë? Sipas Ngjelës, Gjermania i ka vënë vizën Metës sepse është i lidhur me korrupsionin. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, avokati deklaroi se fakti që për të nuk kishte ftesë nuk është rastësi, por do të thotë se ndërkombëtarët nuk i durojnë dot të korruptuarit. “Janë që të dy njerëz të dyshimtë në funksion të politikës së zonës. Janë të dy të korruptuar dhe ka të dhëna që këta punojnë me qarqet e politikës ruse. Edhe prandaj nuk janë ftuar në Samitin e Berlinit. Fakti që këta dyshohen ose ka të dhëna që këta punojnë kundër politikës perëndimore në Shqipëri, ata i penalizuan dhe nuk i thërritën. Kjo nuk ishte e rastësishme, i lanë të kuptonin që ne nuk ju pranojmë. E dyta pastaj, mund të jetë problemi i korrupsionit për presidentin tonë sepse deri tani thamë qëndrimin politik”, tha avokati. Një tjetër arsye që renditu Ngjela është edhe se Gjermania i ka kuptuar lidhjet e Metës me Rusinë dhe prandaj e ka penalizuar. Ai u shpreh i sigurt se Ilir Meta dhe Ivanov punojnë në prapavijë kundër Perëndimit, duke theksuar se për këtë zotëron edhe informacione sekrete. Po ashtu, sipas Ngjelës, Meta ka dalë edhe kundër reformës në drejtësi, çka për të është një tjetër arsye se pse Berlini e bojkotoi kreun tonë të shtetit. “Në këtë pikë nuk di çfarë të them sepse ne e dimë që është një person i cili i ka rënë shumë, ka tentuar të jetë pengesë e reformës në drejtësi në Shqipëri. Sipas informacioneve të mija sekrete, ai po kërkon të luajë me politikën ruse dhe Ballkanin Perëndimor. Ka pasur miqësi të ngushtë me presidentin Gruevski. Janë që të dy në të njëjtin grup, kështu që Gjermania nuk i pranoi fare”, deklaroi Spartak Ngjela.

Ultimatumet e Gjermanisë

Në vijim të reagimit të tij, avokati Spartak Ngjela e ndali theksin edhe tek ultimatumet që sipas tij, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel i ka dhënë kryeministrit Edi Rama. Ai theksoi se për gjermanët kryesore është që Shqipëria të bëjë përpara me reformën në drejtësi dhe goditjen e korrupsionit në nivele të larta. Ngjela shtoi se epoka e korrupsionit do të marrë fund me ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, konstituimin e së cilës ai e parashikon në fillim të qershorit. “Nga ana tjetër, Rama ka ardhur i goditur nga Samiti i Berlinit në një kohë kur nuk sheh më asnjë mundësi për të ndaluar reformën në drejtësi. Kërkesa e kancelares gjermane ishte për goditjen penale të korrupsionit qeveritar të të dyja krahëve të politikës, në një kohë që Parlamenti i Shqipërisë është me prirje të plotë drejt përfundimit të SPAK-ut. Pas ngritjes së SPAK-ut, që mendohet të përfundojë deri në fund të këtij muaji, apo në fillim të qershorit, pritet të fillojë epoka e re për shqiptarët”, u shpreh avokati Spartak Ngjela.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here