Gati trajtimi financiar suplementar për 25.500 minatorë, metalurgë dhe naftëtarë, qeveria miraton pr/ligjin, ja përfitimet për çdo kategori

0
394

Qeveria ka miratuar pak ditë më parë projektligjin për trajtimin financiar, suplementar, të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji. Sipas relacionit të këtij projektligji, i cili pritet që së shpejti të mbërrijë për diskutim dhe miratim në Kuvend, bëhet fjalë për 25.500 punonjës të këtyre 3 kategorive, të cilët do të mbulohen me përfitime përpara kohës së mbushjes së moshës për pension, si dhe përfitime shtesë mbi ato që akordohen nga ligji nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Referuar kushteve për pension, bazuar në të dhënat që disponohen, si dhe në numrin aktual të punësuarve në industrinë e naftës, parashikohet që numri i personave që përfitojnë të arrijë në rreth 7000, nga 9900 që përllogaritej të ishte para ndryshimeve me një efekt financiar vjetor rreth 750 milionë lekë. Numri i përfituesve minatorë parashikohet të jetë rreth 16 mijë persona dhe efekti përllogaritet rreth 530 milionë lekë në vit ndërsa për metalurgjinë, numri i përfituesve parashikohet të jetë rreth 2500 me një efekt financiar rreth 250 milionë lekë.

Përfituesit

Përfitues, sipas këtij ligji janë: Pensionistët, të cilët kanë përfituar pension sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; Pensionistët, të cilët kanë përfituar pension sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”; Punonjësit, të cilët kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë; Punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhim, sizmikë, gjeofizikë kantieriale, përpunim dhe transport me naftësjellës dhe gazsjellës; Punonjësit që kanë punuar në metalurgji, në profesione, punë dhe ndërmarrje sipas përcaktimeve në krerët III, VIII e XII, të vendimit nr.526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori, për efekt pensioni”. Përfituesve sipas këtij ligji u sigurohen përfitime suplementare, si pension për shkak të profesionit (llojit të punës), shtesë mbi pensionin e pleqërisë dhe shtesë mbi pensionin e invaliditetit.

Kushtet dhe masa e pensionit

Për ish-punonjësit, të cilët kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë, trajtimi me përfitime përpara moshës dhe kushteve të përcaktuara në dispozitat e ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, periudha e sigurimit dhe vjetërsia e punës në profesion do të vazhdojë të bëhet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij. Për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 1, “Punë, që hyjnë në kategorinë e parë”, krerët IV, pikat 2 e 3, dhe XI, të vendimin nr.526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, të ndryshuar do të përcaktohet kështu: mosha për burrat 55 vjeç, për gratë 50 vjeç; periudha përgjithshme e sigurimit për burrat 30 vjet, për gratë 25 vjet; vjetërsia në punë e kategorisë së parë për burrat 15 vjet, për gratë 12.5 vjet. Për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr.2, “Punë, që hyjnë në kategorinë e dytë”, kreu V, në vendimin nr.526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori, për efekt pensioni”, të ndryshuar, dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, sipas listës së miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, përcaktohet: mosha për burrat 60 vjet për gratë 55 vjeç; periudha e sigurimit për burrat 30 vjet, për gratë 25 vjet; vjetërsia në punë e kategorisë së dytë për burrat 20 vjet, për gratë 15 vjet. Për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në metalurgji në profesione, punë dhe ndërmarrje sipas përcaktimeve në krerët III, VIII e XII, të pasqyrës nr.1, në vendimin nr.526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, përcaktohet kështu: mosha për burrat 60 vjeç, për gratë 55 vjeç; periudha e sigurimit për burrat 30 vjet, për gratë 25 vjet; vjetërsia në punë e kategorisë së parë për burrat 20 vjet, për gratë 15 vjet.

Masa e përfitimit

Ish-punonjësit që kanë përfituar ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfitojnë shtesë pensioni për çdo vit periudhe sigurimi në profesion, si më poshtë: Punonjësit e nëntokës, 1% të masës së pensionit të pleqërisë; Punonjësit e industrinë së naftës e të gazit dhe punonjësit e metalurgjisë, 0,6 % të masës së pensionit të pleqërisë. Shtesën mbi pension, për ish-punonjësit që kanë përfituar ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, e përfitojnë të gjithë personat që kanë jo më pak se 6 vite në profesionet dhe punët e përcaktuara në këtë ligj. Përfituesit që kanë përfituar ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension invaliditeti sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kanë të drejtën e përfitimit të shtesës mbi pension në masën 1% për çdo vit vjetërsie pune në miniera, në nëntokë, industrinë e naftës dhe në metalurgji, sipas përcaktimeve në nenin 3, të këtij ligji.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here