Deputetë, ish-deputetë e krerë bashkish në alarm nga reforma në drejtësi, 53 emra fshehën pasuritë gjatë 2018, ILDKP valë padish në prokurori

    0
    380

    Reforma në drejtësi duket se i ka frikësuar të gjithë. Vetingu tregoi se si gjyqtarët e prokurorët ranë brenda me këmbët e veta, pasi 52 emra janë shkarkuar për shkak se kanë deklaruar pasuri që nuk e justifikojnë dot. Kjo ka shqetësuar deputetë, ministra, ish-ministra e krerë bashkish, të cilët duket se po mundohen të mos përsërisin gabimin e njerëzve të drejtësisë, duke mosdeklaruar gjithë të ardhurat. Por jo të gjitha kanë arritur ta realizojnë këtë, pasi kanë rënë në rrjetën e Inspektorati të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Gazeta ka siguruar raportin vjetor të ILDKP për vitin 2018, i cili shumë shpejt do të prezantohet në Parlament. Në këtë raport janë dhënë detaje mbi deklarimet dhe masat që janë marrë ndaj zyrtarëve, të cilët kanë detyrim që çdo vit të deklarojnë të ardhurat dhe pasuritë e tyre. ILDKP ka bërë me dije se gjatë vitit që lamë pas janë gjetur me shkelje plot 53 deputetë, ish-deputetë, ish-ministra, krerë bashkish dhe zyrtarë të lartë, të cilët janë kallëzuar dhe penalisht. Në raport është bërë dhe një bilanc i 4 viteve të fundit, ku rezulton se janë 315 zyrtarë të gjetur në shkelje të ligjit. “Inspektorati i Lartë, gjatë periudhës 2014 – 2018 ka referuar pranë Institucionit të Prokurorisë, strukturave të hetimit tatimor, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit te Parave, si dhe Policisë së Shtetit 315 subjekte, në të cilët janë përfshire zyrtarë të të gjitha kategorive dhe niveleve, si deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kryetar Bashkie, drejtorë drejtorie etj. Për periudhën raportuese janë paraqitur në total 53 raste referimesh penale”, njoftoi ILDKP. Fshehja e pasurisë nga pushtetarët në këtë periudhë është dhe një sinjal se i tremben reformës në drejtësi. Në Rumani, Kroaci e Maqedoni janë dënuar pushtetarët që nuk i kishin deklaruar fare pasuritë dhe i kishin fshehur mjaft mirë, por te ne të gjithë i kanë deklaruar milionat që zotërojnë dhe një pjesë e kanë kuptuar se BKH dhe SPAK mjafton të marrin formularët e ILDKP dhe mund të hapin hetime për shumë emra të njohur.

    Gjobat 

    Përveç padive penale, ILDKP ka vendosur dhe mjaft gjoba për shumë zyrtarët, të cilët e kanë deklaruar pasurinë përtej afateve. “Inspektorati i Lartë, në zbatim të nenit 44 të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave… “, i ndryshuar dhe nenit 40, të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive… “, i ndryshuar, ka aplikuar masën administrative “gjobë”, për rastet e refuzimeve për deklarim, si dhe për rastet e mosdeklarimeve dhe /apo për çështje të konfliktit të interesave. Zyrtarët e ndëshkuar me masa administrative, “gjobë”, për periudhën deri më 31.12.2018 janë në total 112 masa administrative. ILDKPKI për periudhën 2014 – 2018 ka sanksionuar me masë administrative “gjobë” në total rreth 1.672 zyrtare”, thuhet në raport. Më tej është bërë e ditur se për periudhën gati 11 vjeçare 2003 – 2013, Inspektorati i Larte rezulton të ketë aplikuar në total 118 masa administrative dhe të ketë depozituar pranë organit të akuzës në total 57 kallëzime penale. Ndërsa vetëm për pesë vitet e fundit për periudhën 2014 – 2018, ILDKP rezulton të ketë aplikuar në total 1.672 masa administrative ndaj zyrtarëve, si dhe të ketë aplikuar 140 masa administrative me “gjobë” në kuadër të ligjit nr. 60/2016 “Për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve “. Në total për periudhën 2014-2018 rezulton të jenë aplikuar 1.812 masa administrative “gjobë”.

    Dështimi i prokurorisë

    Ajo që bie në sy gjatë 10 viteve të fundit, është se asnjë deputet, ministër, ish-ministër e funksionar i lartë të jetë dënuar për fshehje pasurie. Edhe pse ILDKPI ka bërë me dhjetra kallëzime çdo vit, prokuroria nuk ka marrë asnjë masë. Numri i rasteve të shkuara për gjykim është përgjysmuar në raport me kallëzimet, ndërsa në fund gjykata kanë rrëzuar të gjitha pretendimet. Por situata pritet të ndryshojë me ngritjen e SPAK, pasi do jetë ky organi që do skanojë zyrtarët e lartë.

    Kliti Topalli

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here