AKU bllokon 17.5 ton farë misri, merr masa drastike ndaj subjektit

0
62

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar një sasi prej 17.5 tonësh farë misri gjatë kontrolleve në një pikë shumice e cila furnizonte tregjet në qytetin e Elbasanit.

Pas analizave të bëra ka rezultuar se treguesi i fuqisë mbirëse për mostrën e farës së misrit me emërtimin LG 30600 ishte nën normën zyrtare të lejuar për mbjellje.

Gjatë kontrolleve AKU bllokoi sasinë prej 17,551.4 kg, si dhe urdhëroi tërheqjen e sasisë prej 100.8 kg gjendje nga subjektet e tregtimit me pakicë në Elbasan dhe Lushnje, me detyrimin për ta kthyer farën jashtë standartit tek furnizuesi.

AKU ka marrë tre masa administrative ndaj këtij subjekti ku përfshihet një “Gjobë” në vlerën 200,000 lekë, “Bllokim” me qëllim asgjësimin e produktit, detyrimin e subjektit për të njoftuar AKU-në për të qenë prezent në momentin e asgjësimit sipas parashikimeve ligjore në fuqi.

Njoftimi i plotë:

Në vazhdim të kontrolleve intensive, për të gjitha kategoritë e ushqimeve dhe produkteve, Autoritet Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar me destinacion asgjësimin e sasisë prej 17.5 ton farë misri.

Fillimisht, nga drejtoria rajonale e AKU në Elbasan janë kryer kontrolle zyrtare në subjektet që tregtojnë me pakicë inpute bujqesore dhe janë marrë mostra nga fara të ndryshme (përfshirë edhe farën e misrit me emërtimin LG 30600) për t’i analizuar për treguesit cilësor të tyre. Nga këto analiza ka rezultuar se treguesi i fuqisë mbirëse për mostrën e farës së misrit me emërtimin LG 30600 ishte nën normën zyrtare të lejuar për mbjellje.

Me marrjen e këtij informacioni, Drejtoria e Përgjithshme e AKU identifikoi subjektin furnizues (përfshirë datën e importimit në territorin e vendit tonë, si dhe sasinë e importuar të kësaj fare) dhe ushtroi kontroll zyrtar në këtë subjekt. Në kuadër të kontrollit zyrtar, AKU bllokoi sasinë prej 17,551.4 kg (për të cilën u mor mostra zyrtare për analizim), si dhe urdhëroi tërheqjen e sasisë prej 100.8 kg gjendje nga subjektet e tregtimit me pakicë në Elbasan dhe Lushnje, me detyrimin për ta kthyer farën jashtë standartit tek furnizuesi (subjekti i shumicës).

Analiza sërish tregoi se normat ishin jashtë atyre të përcaktuara për mbjellje.

Si rrjedhojë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi ndaj subjektit furnizues:

1) masën administrative “Gjobë” në vlerën 200,000 (dyqind mijë) lekë, për tregtimin e farave me fuqi mbirëse nën normën e lejuar,

2) masën administrative “Bllokim” me qëllim asgjësimin e produktit me sasi 17.5 ton farë misri me vlerë tregu 7,020,400 lekë,

3) detyrimin e subjektit për të njoftuar AKU-në për të qenë prezent në momentin e asgjësimit sipas parashikimeve ligjore në fuqi.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është i vendosur dhe i motivuar të verifikojë në vazhdimësi plotësimin e kërkesave ligjore për inputet bujqësore, me qëllim garantimin e fermerëve për produkte sa më cilësore.

Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët!

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj