Skënder Jazexhiu: Në 30 vite nuk u arrit më asnjë vepër e përmasave “Halili dhe Hajria”

0
631

Artistët nuk trajtohen si duhet nga shteti dhe sot shumë probleme që janë me jetën artistike vijnë nga mungesa e vlerësimit ndaj tyre. Solisti i parë në TOB për vite me radhë Skënder Jazexhiu shprehet se nga institucionet shumë pak bëhet për artistët. Problem për solistin e parë në TOB dhe pedagogun e Shkollës së Baletit është dhe mungesa e krijimtarisë kombëtare në skenë. Sipas tij duhet që Ministria e Kulturë të hapë konkurse dhe të angazhojë krijuesit për veprat kombëtare, sepse në skena nuk ka vepra të reja shqiptare. Në intervistën për “SOT” Jazexhiu shprehet se nëse në 1963 u vendos në skenë një balet si “Halili dhe Hajria”, në 2019 nuk mund të flitet të kemi vepra të atyre përmasave në skenë. Sipas tij duhet bërë shumë më tepër nga institucionet që duhet të vlerësojnë artistët dhe mos të mungojnë konkurset dhe stimujt për autorët shqiptarë. Në aktivitetin e Skënder Jazexhiut në balete kombëtare dhe të huaja përmendim personazhet Musta te “Halili dhe Hajria”, Arbani te “Delina”, roli i burizanit te “Fatosi partizan”, Pjetri te “Cuva e Maleve”, te “Don Kishtoi” Sanço, “Lola” roli i Mengos, “Arrëthyesi” spanjolli, “Tokë e pamposhtur” peshkatari, “Bijtë e peshkatarit” Petriti, “Lumi i vdekur” Llazi, etj. Në 2002 mbyll aktivitetin në skenë me baletin “Don Kishoti”. Në jetën artistike ai ka një numër mbi 30 personazhe ndër vite, mes tyre përmendim dhe baletet për fëmijë si “Periti dhe ujku” roli i Petriti, “Kecat dhe ujku” Birko, “Shqiponja sypatrembur” roli i Albanit, etj.

-Artistët e brezit tuaj herë pas here shprehin dhe kritika me çfarë po ndodh sot me jetën artistike. Pse?

Tani gjërat kanë ndryshuar, Teatri i Operës dhe Baletit është spostuar në kushte jo të favorshme, dhe kjo po shkon gjatë. Një trupë baleti në kaq kohë larg një teatri, pa një strehë tamam aktiviteti është i dobët, sepse duhet ta ushqesh trupën e baletit me aktivitete. Mundësitë janë të pakta, por ti duhet ti kërkosh që të ketë. Në artist baleti nëse nuk bën dy shfaqje në javë nuk mund të quhet më i tillë. Por tani nuk e di a japin edhe një në muaj. Pra nuk ka më aktivitete si dikur. Trupat artistike në institucionet tona janë reduktuar shumë, pagesat janë mjaft të vogla për artistët tanë. Shteti nuk po i mban si duhet artistët, kur ai duhet që të ti ketë prioritet ata sepse janë vlera kombëtare dhe jo me këtë lloj trajtimi që kanë sot. Një artist paguhet më shumë në një televizion se sa kur është në institucion. Shteti nuk mund ti ketë parasysh këto? Shteti ynë nuk mund të krenohet me prodhime në domate por me artistët, dhe ata duhet të trajtohen më mirë. Nëse ai nuk i mban atëherë dhe artisti ikën në shtete të tjera, sepse nuk gjejnë ngrohtësi këtu. Ju thashë trupat janë zvogëluar shumë se sa kanë qenë dikur. Ne sot kemi vetëm një shkollë baleti dhe nuk po përgatisim më kuadro si dikur. Kur them kuadro që të jenë krijues, sot nuk ka më as krijues si dikur që të krijojnë. Nuk mbahet teatri me dy krijues. Ne sot kemi të mangët repertorin klasik në skenë, më shumë vënë në skena vepra moderne se sa to që janë klasike botërore dhe të ballafaqohet artisti me nivelin se ku është sot. Kur nuk ka këtë repertor normal dhe artisti nuk ka se si të ballafaqohet me artin klasik botëror. Ky është shqetësimi im si ish solisti i parë i TOB. Nuk kemi më ballafaqime të artistëve si dikur, nuk kemi më ballafaqim krijues se ku po shkon arti sot. Pse nuk krijohet si dikur? Pse sot nuk debatohet si dikur për shfaqjet? Ne kemi mbetur po me atë krijimtari, që ka qenë para ‘90 kryesisht. Ne erdhëm deri në vitin ‘90 me krijimtarinë dhe më pas në vend që të kishim zhvillim ne jemi zvogëluar në këtë drejtim. Ne dikur me trupën artistike dhe artin e veprat tona ballafaqoheshim dhe jashtë shtetit. Ne dikur në balet ishim diku të 70 veta, sot më duket arrijnë te 30.

-Të gjithë artistët përmendin statusin e munguar. Mungesa e tij çfarë sjell?

Pa status është një zhvlerësim i artistëve nga shtetit. Artisti duhet të ketë statusin  tij se është artist i shtetit. E ka bota ne nuk e kemi. E imagjinoni që sot një artist del në pension 65 vjeç? Një balerin duhet të presë që të arrijë 65 vjeç që të dalë në pension. Balerina më e madhe e Shqipërisë Ganimet Vendresha ka mbetur me një pension 16 mijë lekë të reja. Por sot dhe një pastruese merr më shumë pension se sa një artist. Sot ka artistë të njohur që marrin një pension fare minimal. Është krim, sepse nga shteti janë harruar artistët e njohur shqiptarë, që kanë themeluar artin koreografik në vend.

-Çfarë mendoni për niveli artistik në skenat tona me shfaqje të ndryshme?

Më shqetëson, sepse mungon analiza artistike. Nga kjo nuk ka debat. Nuk ke mundësi që të kërkosh më shumë, sepse përmes analizave arrin ta bësh këtë, por nëse kjo mungon atëherë ke regres, sepse bën çfarë do vetë. Është mirë apo keq shfaqja, gjithsekush bën si do vetë. Në kohën tonë kishte analiza dhe bëhej nga këshilli artistik apo dhe kolektivat artistike, që mblidheshin për një vepër që do të vihej në skenë, debatohej dhe krijohej ato vite. Nuk kishte shfaqje pa këtë lloj diskutimi dhe kritike, por sot kjo mungon. Nga kjo mungesë diskutimi dhe ana arktike nuk ka ecuri, ulet niveli dhe kërkesa artistike. Ti mund të kërcesh dhe interpretosh dobët në një shfaqje, por nuk ka kritikë dhe çdo gjë kalon. Unë nuk di të jetë bërë kjo, por dhe nëse është bërë ne nuk dimë gjë, nuk ka gjë të prezantuar publikisht. Nëse nuk ka informim kam të drejtë të mendoj që nuk është bërë. Nëse dalin titullarët flasin për shfaqjet dhe arritjet, për nivelet artistike ne nuk kemi dijeni se si është diskutuar dhe çfarë është bërë. Nëse thuhet që sot nuk ka fonde nga drejtuesit në institucionet tona nuk mund të vazhdohet më duke gjetur justifikime.

-Po shteti i ndan buxhetet?

Ne kemi 30 vjet që dëgjojmë justifikime, por duhet lëvizur dhe të gjenden fondet për jetën artistike. Në vetëm dëgjojmë prej vitesh nga institucionet nuk ka shteti, nuk ka shteti…Por drejtuesit vetë duhet të kërkojnë, mund të lidhin bashkëpunime të ndryshme me institucionet jashtë dhe kjo do ti ndihmonte. Nëse në 30 vjet dëgjojmë të njëjtat gjëra atëherë janë të paaftë këta që drejtojnë sot. Ne sot kemi në institucionet tona dhe njerëz që vetëm kanë zënë vendin e punës aty dhe nuk janë ata specialistët e duhur për artin dhe kulturën, por mendojnë vetëm për interesin e tyre. Më thoni ku i ka sot Ministria e Kulturës figurat artistike brenda saj, që ta njohin si duhet artin?

-Në vitin 1957 ju keni qenë për herë të parë në TOB pjesëtar në shfaqje. Jeni shprehur se nuk duhet të mungojnë veprat kombëtare, çfarë duhet bërë?

Mund të them që pothuajse nuk ka fare vepra kombëtare në skenën e TOB. Madje është harruar dhe repertori i vjetër. Kanë vënë në skenë balete të huaja, por kombëtarja është harruar. Janë vënë shumë pak në këto gati tre dekada vepra kombëtare. Sot nuk shkruhen më vepra kombëtare si dikur, sepse shteti nuk ka stimuluar krijuesit prej vitesh. Më parë ne kishim dhe konkurse për veprat. Sot nuk shkruhen më librete për operën dhe baletet, sepse nuk stimulohen krijuesit. Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Teatrin e Operë dhe Baletit të hapin konkurse dhe të vijojë krijimtaria jonë kombëtare. Ne kemi autorë si Aleksandër Peçi, Limos Dizdari etj, që duhet të inkurajohen dhe ndihmon nga shteti për të shkruar vepra dhe të vihen në skenë.

-Në aktivitetin tuaj ju keni marrë pjesë dhe me Ansamblin Popullor. Çfarë mendoni sot për ansamblin?

Edhe Ansambli Popullor nuk ka krijimtari të re si dikur. Vite më parë shkonin krijuesit dhe e merrnin në burim, sot kjo mungon. Nuk shkruhet si dikur, nuk shkohet në bazë për të marrë burime dhe krijuar vepra të reja. Ka mbetur ansambli pa koreograf të mirëfilltë. Unë nuk e di a ka valle të reja më si dikur, përveç atyre valleve të vjetra që ka vënë Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Agron Aliaj, Besim Jazexhiu apo Rexhep Çeliku. Nuk ka më interes si dikur për të mbledhur materiale. Krijimtaria është po e vjetra në përgjithësi, vetëm sa e përpunojnë, por është vetëm ajo që ka qenë. Më thoni sa është marrë në analizë Ansambli Popullor se çfarë ka prurë në skenë gjatë këtyre viteve kur flasim për repertor të ri? Arti në këto tre dekada ka ardhur duke u zbehur. Ne kemi marrë dikur gjerdanin e artë në Dizhon të Francës, por sot a është më ai nivel kur flasim për krijimtarinë? Unë mendoj se jo, kjo edhe në krijimtari dhe në interpretim sepse ne kishim trupa me kërkesa. Në Azerbajxhan që është dhe koreografi jonë Pullumb Agalliu kanë një degë vetëm për krijimtarinë nacionale, një trupë në shkollën e baletit që e kanë bërë akademi. Në 2002 unë kam qenë në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës dhe me vallen “Ra Faja prej fiku” morën çmim të parë me ansamblin. Deri në atë kohë ruhej atmosfera. Shumë pak jehonë ka për ansamblin dhe nga Ministria e Kulturës.  

-Ju keni qenë në skenën e TOB nga viti 1957 e deri në 2002 kur keni dalë në pension. Kë veçoni nga veprat?

Majat e teatrit tonë për mua janë baletet “Halili dhe Hajria”, “Cuca e maleve”, që kanë qenë me shumë vlera nga ana kombëtare, por vijuan më pas dhe “Bijtë e peshkatarit”, “Shota dhe Azem Galica”. Me baletet “Halili dhe Hajria” si dhe “Cuca e maleve” ne jemi përfaqësuar dhe jashtë shtetit, ku kanë marrë vlerësime të jashtëzakonshme dhe janë habitur se si ka mundësi një Shqipëri e vogël të ketë mundësi të konkurrojë me vepra botërore.

-Sipas jush a ka më shfaqje si këto që ju përmendët?

Jo, sot ne nuk kemi më vepra të tilla dhe kjo për shumë probleme që pohova. “Halili dhe Hajria” u vu për herë të parë në skenë më 1963 nga Panajot Kanaçi. Unë kisha rolin e Mustës, por kam interpretuar më pas jo gjatë premierës. Sot ne jemi gati 30 vjet pas 1990 dhe nuk kemi më vepra si “Halili dhe Hajria”. Nuk kërcehen më vepra të tilla, nuk ka më vepra me ato vlera.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here