Zbardhet rezoluta e Kuvendit për Bankën e Shqipërisë, deputetët 15 kërkesa Gent Sejkos nga kreditimi, transparenca e deri tek monitorimi i bankave

0
23

Banka e Shqipërisë ka akumuluar mjaft problematika gjatë drejtimit të saj nga guvernatori tashmë pa mandat, Gent Sejko. Në këtë kuadër, pas diskutimit të raportit vjetor për 2018, Kuvendi i Shqipërisë i ka adresuar 15 rekomandime Bankës së Shqipërisë. Kështu, Kuvendi kërkon së pari nga BSH, që të zbatojë Strategjinë e Politikës Makroprudenciale, e cila siç referohet nga raportimi në kuvend, synon ndërmarrjen e veprimeve për parandalimin dhe trajtimin e rrezikut sistemik, në funksion të garantimit të një sistemi financiar të qëndrueshëm dhe të suksesshëm. Kuvendi kërkon gjithashtu të vijojë politika e deeuroizimit duke bërë paralelisht edhe vlerësimin e ecurisë dhe afateve të zbatimit të kësaj politike dhe në funksion të transparencës, ai kërkon të bëhen publike konkluzionet e vlerësimit në mënyrë që të mund të shërbejnë si orientuese për grupet e interesit.

Një tjetër rekomandim i Kuvendit për BSH ka të bëjë me zbatimin dhe monitorimin në vijimësi të planeve të miratuara të ndërhyrjes së jashtëzakonshme për çdo bankë, në funksion të realizimit të mandatit të Bankës, që i njeh ligji nr. 133/2016 “Mbi rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”. Kuvendi rekomandon po ashtu që BSH të identifikojë faktorët dhe veprimet e nevojshme që duhen ndërmarrë për të bërë të mundur parashikimin e kthimit të normës së inflacionit pranë objektivit. Në funksion të parashikimeve të lidhura me normën e inflacionit, të identifikohet qarte objektivi në përqindje dhe të detajohet në terma kohorë parashikimi për periudhën e konsideruar “afatmesme”. BSH duhet të monitorojë në vazhdimësi treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar të tilla si likuiditeti, kapitalizimi dhe rentabiliteti dhe vijimin e organizimit të stres-testeve për të siguruar në vazhdimësi rezistencën e sektorit bankar ndaj goditjeve të mundshme. Në optikën e kuvendit, BSH duhet gjithashtu të bëjë analizën e rritjes së portofoleve të kredisë sipas sektorëve, duke detajuar rritjet sektoriale të kredisë me rrisqet e sektorëve për identifikuar radhën pritoritare të inspektimeve të lidhur me rriskun më të lartë.

Mbajtja e bankave nën kontroll

transaksionet bankare gjatë vitit 2018 duket se nuk kanë kaluar pa shqetësim nga Kuvendi, i cili i ka kërkuar BSH që të monitorojë në vazhdimësi situatën tek bankat që gjatë vitit 2018 kanë realizuar transaksione tregtare të formës bashkim me përthithje dhe studimin e fenomenit nga këndvështrimi i analizës së tregut bankar, për të nxitur efektet pozitive dhe minimizuar ato të padëshiruara si dhe vlerësimin nëse ky proces do të vijojë dhe do prekë edhe banka të tjera. Ndërkohë, kuvendi ka një sugjerim edhe për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Kuvendi i kërkon BSH që të marrë në shqyrtim zbatimin e Kodit të Etikës nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, për të standartizuar rregullat e sjelljes dhe përfaqësimit publik të institucionit, në përputhje edhe me dispozitat e miratuara nga Kuvendi ne lidhje me manualin e Monitorimit Vjetor dhe Periodik, për pjesën që i takon kësaj çështje. Kuvendi kërkon po ashtu që BSH të ndërmarrë hapa konkretë dhe të ofrojë bashkëpunim dhe ekspertizë me autoritetet e tjera mbikëqyrëse të tregjeve, për të krijuar sinergji pozitive e cila rrit sigurinë e sistemit financiar dhe promovon konkurrencën e drejte midis te gjithë segmenteve te tij. Për kuvendin, BSH ndër të tjera duhet të ndërmarrë hapa konkretë dhe të ofrojë bashkëpunim dhe ekspertizë me autoritetet e tjera mbikëqyrëse të tregjeve, për të shqyrtuar mundësitë e investimit dhe duke identifikuar llojet e investimeve të cilat nga këndvështrimi i mbikëqyrësit të tregut Bankar, në kushtet aktuale konsiderohen me risk të lartë. Baanka e Shqipërisë duhet të vijojë gjithashtu punën për edukimin dhe ndërgjegjësimin e publikut lidhur me rreziqet që paraqet përdorimi dhe investimi në kripto-monedha (para’virtuale) si dhe të marrë masa për parandalimin e lindjes ose zhvillimit në tregjet financiare, të skemave spekulative mashtruese në kripto-monedha, duke instaluar një mekanizëm edhe për matjen e efekteve të veprimtarive ndërgjegjësuese. BSH duhet që gjatë 2019 të nxisë politikat e bankave në lidhje me edukimin e publikut për produktet bankare si dhe të monitorojë, verifikojë dhe standardizojë procedurat bankare të ofrimit të shërbimeve bankare në përgjithësi.

Nxitja e kredidhënies

Banka e Shqipërisë është kritikuar jo pak gjatë kësaj kohe edhe për rënien e kreditimit nga bankat. Në këtë kuadër, kuvendi i kërkon BSH të nxisë kredidhënien dhe në funksion të kredidhënies, (nëpërmjet përgatitjes dhe vënies në dispozicion të të dhënave tabelare si anekse të kontratave të kredisë bankare), të sigurojë ofrimin e plotë të gjithë informacionit të domosdoshëm e të detajuar për sa i takon detyrimit që shtetasit, personat fizikë ose juridikë do marrin përsipër si rezultat i sigurimit të kredisë. Gjatë vitit 2019, BSH duhet të shqyrtojë edhe efektet e veprimtarive të ndërmarra në vite me qëllim rritjen e kuptueshmërisë së politikës monetare dhe forcimin e besueshmërinë publike të institucionit, për sa i takon fushatave sensibilizuese të deklaruara dhe raportuara në kuadër të edukimit të publikut në lidhje me termat “lek i ri” dhe “lek i vjetër”, duke instaluar një mekanizëm për matjen e efekteve të veprimtarive ndërgjegjësuese. Së fundmi, në funksion të rritjes së transparencës, Kuvendi i kërkon Bankës së Shqipërisë që të mos kufizohet vetëm në aktivitete që nxisin transparencën e veprimtarive të Bankës së Shqipërisë, por të përmirësojë cilësinë dhe thellësinë e analizave profesionale që i vihen në dispozicion publikun dhe grupet e ndryshme të interesit, me qëllim orientimin e tyre të drejtë drejt zgjedhjeve dhe investimeve të shëndetshme.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj