Partizani përgatit festë madhështore në kryeqytet, titulli dorëzohet të dielën pas ndeshjes me Kukësin

0
402

Në fundjavë Partizani pritet të festojë në mënyrë madhështore titullin kampion pas 26 vjetësh pritje. Kishte ndodhur më parë në vitin e largët 1993 me trajnerin Sulejman Starova, kurse tani është me trajnerin Skënder Gega. Një grup solid, i përkushtuar dhe që bëri një lojë kolektive të admirueshme, ia doli të marrë më të mirën dhe të fitojë matematikisht titullin katër javë para fundit. Në fakt, kampionati ka dhe dy javë, por këtë të diel do të jepet edhe zyrtarisht titulli, pasi Partizani pret në kryeqytet Kukësin, në duelin e parafundit të Kategorisë Superiore këtë sezon. Sikurse njoftojnë “demat e kuq”, lajmi është zyrtar. Titulli kampion i Kategorisë Superiore për sezonin 2018-2019 dorëzohet këtë të diel në duart e Partizanit. Kështu, në “Selman Stërmasi” luhet Partizani-Kukësi, sfida e fundit në shtëpi për të kuqtë, kështu që Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që trofeun t’ua dorëzojnë kampionëve të rinj pikërisht para mbështetësve të tyre, që kanë pritur plot 26 vite për të përjetuar emocionet e një suksesi të tillë. Edhe në kampionatet me prestigjioze të botës tashmë është bërë traditë që Kupa të dorëzohet nga organizatorët e garës në ndeshjen e fundit shtëpiake, sigurisht nëse matematika i ka dhënë verdiktet e saj. Kështu ndodhi me Barcelonën në Spanjë apo me Juventusin në Itali, fundjavën që lamë pas. Gjithçka për të mundësuar një festë sa më të denjë dhe madhështore me praninë sa më të gjerë të tifozëve të kuq. Festa do të vijojë e jashtëzakonshme edhe për disa orë më pas. Drejtuesit e Partizanit prej disa javësh po punojnë që organizimi të jetë perfekt, me surpriza të mëdha, për të qenë në lartësinë e duhur për një titull të pritur prej shumë kohësh. Vetë trajneri Ernest Gjoka, në një prononcim për ka pranuar se skuadra është e qetë dhe po punon për ndeshjen e radhës ndërkohë që ka zbuluar edhe gjendjen fizike të futbollistëve dhe mungesat që do të ketë në këtë takim. Rroca është një mungesë e madhe e Kukësit, ndërkohë që kapiteni Ylli Shameti ka mbyllur sezonin. “Gjendja e skuadrës? Jemi të qetë dhe po punojmë për ndeshjen dhe jemi të fokusuar totalisht te takimi përballë Partizanit tashmë kampion. kemi të dëmtuar Rrocën, ndërsa Shameti ka mbyllur sezonin. Rama do të jetë në dispozicion të skuadrës këtë ndeshje. Titulli te Partizani? Partizanin e kemi respektuar si ekipi kampion dhe e kemi respektuar si të tillë”, tha Gjoka në prononcimin e tij. Nga ana tjetër, është e qartë se kjo nuk është ndeshje e zakonshme, por nga më të rëndësishme. Sepse Partizani-Kukësi nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat prandaj edhe këtë herë interesi nuk do të mungojë. Lojtarët e të dyja skuadrave sidomos ata më të rinj në moshë duhet të tregojnë vlerat e tyre më të mira sepse në stadiumin “Selman Stërmasi” të dielën pasdite pritet të jenë skautë të shumë dhe menaxherë që punojnë për klube të njohura europiane. Jasir Asani, Esat Mala, Jurgen Bardhi, Egzon Belica por edhe Bruno Telushi në njërin krah dhe Vesel Limaj, Valon E’themi, Simon Rrumbullaku, apo edhe Eduart Rroca nëse luan në kampin tjetër do të jenë lojtarët që do të vëzhgohen me kujdes prandaj të gjithë duhet të japin më të mirën e tyre në këtë sfidë ku rezultati i intereson vetëm Kukësit, pasi në fund të kësaj ndeshjeje mund të fitojnë kontrata milionere jashtë vendit edhe pse Partizani e Kukësi vështirë se do të lejojnë largimin e lojtarëve të tyre më të mirë duke patur parasysh faktin që këtë verë do të përfaqësohen në Kupat e Europës dhe do të synojnë të kalojnë sa më shumë ture. Dueli i së dielës është në fakt përplasja e dy skuadrave më të mira të këtij sezoni dhe menaxherët do të kenë ç’të shohin. Mundet që këtë takim ta ndjekë dhe trajneri i Kombëtares kuqezi, Edi Reja. Në një duel ku do të jepet edhe titulli spektakli dhe festa janë të garantuara.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here