Reshat Ibrahimi: Institucionet në ngërç, duhet ligj i ri për artin dhe kulturën

0
480

Institucionet e artit në vend janë në ngërç ku ligji aktual ka nxjerrë shumë probleme dhe nuk i përgjigjet fushës së artit dhe kulturës në Shqipëri. Për problemet që janë sot në institucionet e artit, më herët Sindikata e Artistëve të Pavarur të Shqipërisë iu drejtua përmes një letre ministres së Kulturës duke kërkuar dhe një takim, por deri tani nuk është zhvilluar. Të gjendur në këto kushte Reshat Ibrahimi president i SPASH shprehet se ministrja e Kulturës duhet ta marrë në konsideratë kërkesën e tyre dhe ti presë sa më shpejt në takim. Nga janari e deri më sot takimi nuk është zhvilluar, dhe për kreun e SPASH situata në art dhe kulturë po vijon me shumë probleme që presin zgjidhje, dhe ministria duhet të bashkëpunojë me artistët. Por ditën e premte pritet të zhvillohet dhe kongresi i katërt i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë. Në këtë kongres që zhvillohet një herë në pesë vjet pritet të bëhen zgjedhjet e reja për këshillin apo kreun e saj, por dhe të diskutohen problemet mbi gjendjen e artit dhe kulturës. Presidenti aktual i SPASH Reshat Ibrahimi shprehet se me miratimin e rezolutës do të përcaktohen dhe detyrat themelore të SPASH për pesë vitet e ardhshme.

-Ditën e premte do të zhvillohet kongresi i katërt i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë. Çfarë pritet në zhvillimet e kongresit?

Kongresi që do të zhvillohet ditën e premte është statusor dhe mblidhet 1 herë në pesë vjet, i cili do të aprovojë këshillin kombëtar të sindikatës, do të aprovojë raportin që do të mbahet në kongres mbi aktivitetin nga 2014 deri në 2019, por do të ketë dhe zgjedhje të presidentit i sindikatave dhe në fund do të miratohet rezoluta. Rezoluta do të jenë detyrat themelore, që do të caktojë kongresi për periudhën e ardhshme pesëvjeçare. SPASH gjatë kësaj periudhe 3 mujore ka bërë zgjedhjet kryesore të sindikatave në institucionet e artit dhe kulturës në vend, për të cilën janë zgjedhur dhe artistë rinj, dhe ne jemi të kënaqur sepse të rinjtë do ti japin një energji më shumë sindikatës. Në kongres do të jenë kryesitë e sindikatës që janë zgjedhur deri tani, delegatët e kongresit që do të jenë përfaqësues të këtyre institucioneve, por kemi të ftuar edhe drejtuesit e institucioneve shtetërore, ministren aktuale të Kulturës Elva Margariti si dhe ministrat që kanë kontribuar në sistemin e artit dhe kulturës në vend dhe sipas nesh kanë bërë punë të mira.

-Sipas jush, kush janë ministrat e Kulturës ndër vite që kanë bërë punë të mira për artin dhe kulturën?

Përmend Agron Taton ish ministër Kulture në 2002, Bujar Leskaj, Ferdiand Xhaferaj apo dhe Abaz Hado që ka qenë zëvendësministër.

-Ju u shprehët se keni ftuar dhe ministren e Kulturës. Çfarë u bë me letrën që ju i keni dërguar ministrisë në ditët e fundit të janarit të këtij viti?

Është e vërtetë që ne i jemi drejtuar që në janar ministres së Kulturës Elva Margariti për problemet, që shqetësojnë artistët prej kohësh, dhe ne si Sindikatë e Pavarur të Artistëve të Shqipërisë. Kërkesat janë të miratohet në parlament statusi i artistit, të cilin sindikata ka mbi dhjetë vjet që e ka përgatitur dhe është i gatshëm për ta diskutuar. Në këtë projekt status, është një nen shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me uljen e moshës së daljes në pension të artistëve, për tre gjini arti, valltarët, balerinët dhe artistët e cirkut, ku realizohet reforma më e thellë në fushën e artit, pasi po na kthehen institucionet e kulturës në azile pleqsh. Të bëhet ligj i ri mbi artin dhe kulturën. Në takimin që unë bëra me të dhe pasi ajo na premtoi që do të mblidhemi me kryesinë e SPASH dhe do ti trajtojmë këto kërkesa, unë jam gjithmonë në kontakt me sekretaren e ministres, ku është shtyrë dy herë ky takim për shkak të axhendës së ministres së Kulturës. Unë i kam dërguar dhe një mesazh së fundmi sekretares së ministres, që i kërkoj këtë takim para zhvillimit të kongresit të ditës së premte. Në rast se deri të premten nuk do të zhvillojë takim me përfaqësinë e SPASH atëherë dhe kjo ministre do të vijojë si ish ministrja Kumbaro, që në më shumë se pesë vjet vetëm njëherë e ka takuar kryesinë e SPASH. Kumbaro nuk pati dëshirë për të bashkëpunuar dhe zgjidhur problemet e artistëve. Në rast se takimi nuk do të zhvillohet në kongres unë do të bëj thirrje që ne do të mbajmë qëndrim karshi ministres. Nuk do ta lejojmë që të veprojë si ish ministrja Kumbaro. SPASH ka rregulla dhe ka statutin e saj.

-Kur thoni që nuk do ta lejojmë të veprojë si ish ministrja e Kulturës, çfarë hapash do të ndërmarrë SPASH?

Ne do të fillojmë vetëm për këtë pikë të moskomunikimit, të mos takimit, të mungesës së dialogut social, dhe SPASH ka të drejtë të fillojë lëvizjen sindikaliste. Kjo do të bëhet me kongres.

-Për lëvizje të tilla është folur dhe më parë dhe me përjashtim të disa letrave dërguar në ministri asgjë tjetër nuk ndodhi…

SPASH merr vendimin përmes këshillit kombëtar, që është një institucion që vendos me protestat dhe grevat, dhe pikësëpari do të bëjmë sensibilizimin e opinionit, do ti drejtohemi sërish të gjithë institucioneve të shtetit se pse ministrja nuk dëshiron që të bashkëpunojë dhe komunikojë me sindikatat, fillon ndërprerja e punës një orë, e provave po ashtu, dy orë ndërprerje, ndërprerje ditore dhe deri sa të bëjmë grevë në të gjithë institucionet e kulturës për pezullimin e aktiviteteve, që Ministria e Kulturës ka planifikuar gjatë periudhës që do të zhvillohen. Por jam i sigurt që ministrja do ti thërras arsyes dhe do të ndryshojë mënyrën e komunikimit, do të sjellë një frymë të re në Ministri të Kulturës.

-Kur ju pohoni se do të sjellë frymë të re në ministri, çfarë prisni?

Aty ka pesë vjet që personeli është burokratik administrativ, dhe ajo të çojë një mesazh tjetër. Ndryshe ata persona, që nuk i përgjigjen është ligji për statusin civil, sepse mbase aty ka persona që nuk duan dhe të bashkëpunojnë me sindikatën e artistëve.

-Po SPASH, sa ka bërë përballë problemeve?

Ne si SPASH në 2014 kemi kthyer mbrapsht tre herë reformën, që desh të bënte ish ministrja Kumbaro, kemi bërë protesta dhe jemi përballur dhe me policinë e përmbarimin dhe për çadrën e Cirkut Kombëtar. Ne në momentin që do të dalim sërish i bie që Shqipëria ka mbaruar, por ne se duam një gjë të tillë, ne duam që institucionet të bëjnë punën e tyre. Unë shpresoj që ministrja Margariti do të bëjë takim sa më shpejt me kryesinë e SPASH dhe të trajtojmë problemet dhe kërkesat tona. Institucionet e artit janë në ngërç institucional.

-Kur ju thoni ngërç institucional, çfarë po ndodh?

Ligji 10352 i datës 18 tetor 2010 nuk i përgjigjet kohës dhe ka nxjerrë probleme të ndryshme, ne duam që ligji të bëhet i ri. Ne jemi gati si SPASH të kontribuojmë për këtë ligj. Unë dëshiroj që me ministren aktuale në momentin që do të fillojë puna mbi ligjin të ketë bashkëpunime me SPASH. Ligji i artit sot nuk i përgjigjet më kohës. Bordet artistike duhet të jenë të pavarur dhe të mos kenë konflikt interesi. Sot bordet nuk funksionojnë, sepse përmes ligjit aktual drejtorët e institucioneve i kemi kthyer në pronarë të vegjël. Ne kemi kërkuar demokratizime për institucionet e artit dhe vendimet të merren dhe mbi bazën që jep kongresi i artistëve, pra sindikatat, për bordet, për rregulloren e brendshme apo drejtorët artistikë që është problem, por komuniteti artistik nuk pyetet fare. Ndaj ne kërkojmë demokratizimin e institucioneve të artit nëpërmjet delegimit të vendimeve nëpërmjet komunitetit, nëpërmjet sindikatës. Pra të vendosin artistët në lidhje me ecurinë, për projektet, për zgjidhjen e drejtorëve, për rregulloren e brendshme, statusi i institucionit. Janë një mori problemesh, që ne na dikton ligji i artit, që duhet të ndryshohet.

-Sa janë shqetësuese pagat e artistëve sot?

Rregulloret e brendshme të institucioneve u bënë dikur nga ministria, por sipas ligjit atë e bën drejtoria me sindikatën e artistëve. Në 2014 ishte gabimi i ministrisë, që hartoi një rregullore të brendshme, e ka shpërndarë në të gjithë institucionet e artit dhe kulturës. Por ka qenë shumë problematike ajo, sepse u bë pa mendimin e sindikatës në kundërshtim me kontratën kolektive të punës. Duhet ta dini që rregulloja e brendshme dhe kontrata individuale janë derivat i kontratës kolektive. Çdo nen që bie ndesh me kontratën kolektive quhet i pavlefshëm.

-Po artistët në rrethe, sa janë të përfshirë në këto problematika?

Ne rrethet i kemi shumë problematike. Pothuajse atje nuk janë të organizuara sindikatat. Ne kemi kërkuar që në tetë rrethe teatrot të kalojnë në varësi të Ministrisë së Kulturës, sepse koha tregoi që bashkitë nuk po i menaxhojnë dot këto institucione si duhet. Fatkeqësisht trashëgimia jonë kulturore çdo ditë që kalon po venitet dhe po shuhet. Vitet e fundit është cënuar shumë sistemi i artit dhe kulturës në vend, dhe kjo trashëgimi kulturore që është pasuri kombëtare detyrë e çdo ministri dhe dikasteri është ta promovojë dhe pasurojë, por këto veprime i bëjnë artistët, që me aktivitetin e tyre pasurohet trashëgimia kulturore. Mos harroni që artistët punojnë në kushte të vështira. Edhe trajtimi i tyre nuk është i duhuri.

– Çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve në lidhje me pagat e artistëve?

Unë di t’ju them, që trajtimi i pagave të artistëve në këto pesë vite ka qenë zero. Çdo vit nga 2006 deri në 2018 paga u është rritur 7-8 përqind. Nga 2013 e deri tani në art dhe kulturë nuk është bërë asnjë rritje page. Është e papranueshme për ish ministren Mirela Kumbaro, që SPASH iu drejtua në shtator të 2018 që të rriten pagat 10 përqind, dhe me paturpësinë më të madhe që nga 1 prilli të gjithë buxhetorëve iu rrit paga, ndërsa artistëve jo. Kjo është e papranueshme unë nuk e kuptoj se çfarë janë artistët për ministren dhe qeverinë? Janë gogol? Jo, ata janë trashëgimia e këtij kombi. Unë do kërkoj dhe në kongres, që artistëve shqiptarë ti rritet paga deri në 10 përqind.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here